Rusia deshi me bashkëpunëtorë të brendshëm ta pushtojë Ukrainën, njëri prej tyre u kap në kufirin Serbi-Maqedoni

Me bashkëpunëtorë të brendshëm në shërbimet e sigurisë ukrainase dhe një rrjet agjentësh sekretë të infiltruar, Rusia ka besuar se do të ishte në gjendje të pushtonte Ukrainën dhe të ndryshonte qeverinë qysh në fillim të agresionit ushtarak që filloi më 24 shkurt të këtij viti, shkruan Rojters në një hulumtim voluminoz të publikuar dje, transmeton Portalb.mk.

Ndër zyrtarët e lartë ukrainas, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar me Rusinë, në përpjekjen për të instaluar një qeveri kukull në Kiev, në studimin e Rojtersit përmendet edhe Andrij Naumov. Në fillim të qershorit të këtij viti, në mediat e Maqedonisë dhe në fqinjësi jehonë të madhe bëri informacioni se ky person ishte arrestuar në vendkalimin “Preshevë” në kufirin Maqedoni-Serbi.

Rojters shkruan se Naumov, si ish-zyrtar i shërbimeve sekrete ukrainase, u arrestua gjatë tentimit të kalonte nga Serbia në Maqedoninë e Veriut, kurse në makinën “BMW”, në të cilën Naumov ishte pasagjer, u zbuluan 124.924 dollarë, 607.990 euro dhe dy gurë të çmuar – smeraldi. . Autoritetet ukrainase po kryejnë hetim paraprak për tradhti kombëtare kundër Andrij Naumov.

Naumov u emërua kreu i kompanisë shtetërore ukrainase KOTIZ, e cila ishte përgjegjëse për menaxhimin e pronës në zonën e ndaluar rreth elektro-centralit bërthamor “Çernobil”. Pas angazhimit të tij në “Çernobil”, Naumov u emërua shef i Departamentit të Sigurisë së Brendshme të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SHSU). Vitin e kaluar, agjencia njoftoi se kishte parandaluar përpjekje për atentat ndaj Naumov nga zyrtarë të tjerë të SHSU, ndërsa më vonë ai ishte shkarkuar nga pozicioni i kreut të departamentit.

Andrij Naumov zhduket pak invazionit rus në Ukrainë, në shkurt të këtij viti, kurse informacionet e para për të dalin pas arrestimit të tij në kufirin Serbi-Maqedoni. Më 31 mars të këtij viti, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski lëshoi një dekret, me të cilin Naumovit i hiqet grada gjeneral brigade. Në një fjalim emocionues, Zelenski publikoi se Naumov dhe një tjetër gjeneral i SHSU ishin “tradhtarë” që e kishin thyer betimin për besnikëri ndaj Ukrainës.

Për më tepër, Rojters në hulumtimin voluminoz thekson nga burimet e veta se të paktën pesë persona dinin për përgatitjet zyrtare të Kremlinit për invazion ushtarak mbi Ukrainë. Për më tepër, planifikuesit ushtarakë rreth Presidentit Vladimir Putin besonin se Rusisë, e ndihmuar nga këta agjentë, do t’i duhej vetëm një forcë e vogël ushtarake dhe disa ditë për të detyruar administratën e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski të tërhiqej, të arratisej ose të kapitullonte.

Nëpërmjet intervistave me dhjetëra zyrtarë në Rusi dhe Ukrainë dhe një rishikim të dokumenteve të gjykatës ukrainase dhe deklaratave të hetuesve ukrainas në lidhje me hetimin për sjelljen e njerëzve të cilët kanë punuar në “Çernobil”, Rojters ka përcaktuar se ky infiltrim rus në Ukrainë ka arritur shumë më thellë se sa ishte pranuar publikisht.

Zyrtarët e intervistuar përfshijnë njerëz në Rusi të cilët kanë qenë të informuar, për planifikimin e Moskës për të kryer invazion në Ukrainë, si dhe hetues ukrainas të ngarkuar me gjurmimin e spiunëve.

“Përveç armikut të jashtëm, ne fatkeqësisht kemi edhe një armik të brendshëm dhe ky armik nuk është më pak i rrezikshëm”, tha për Rojters Oleksij Danillov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

Në kohën e invazionit, thotë Danillov, Rusia ka pas agjentë në sektorin e mbrojtjes, sigurisë dhe të zbatimit të ligjit ukrainas. Ai refuzoi të përmend emra, por tha se tradhtarët e tillë duhet të “neutralizohen” me çdo kusht.

Në hulumtim, Rojters ka cituar edhe burime që kishin informacione për planet e Kremlinit në Ukrainë, të cilët thanë se Moska zyrtare kishte llogaritur të aktivizonte agjentët e saj të fjetur që i kishte pas në aparatin e sigurisë ukrainase.

Burimet i konfirmuan raportet e inteligjencës perëndimore se Kremlini kishte planifikuar që Oleg Carjov, një hotelier, të drejtonte qeverinë kukull në Kiev që Rusia do të instalonte. Një ish-prokuror ukrainas në qershor zbuloi për Rojters se politikani ukrainas Viktor Medvedçuk, një mik i Putinit, kishte telefon të koduar të lëshuar nga Rusia për të komunikuar me Kremlinin.

Carjov tha se raporti i Rojtersit, për atë se si ishte zhvilluar operacioni i Moskës në përgjithësi “ka shumë pak të bëjë me realitetin”. Ai nuk e trajtoi marrëdhënien e tij me Kremlinin. Ndërsa avokati i Medvedçukut ka refuzuar të komentojë. Medvedçuk është në një burg ukrainas në pritje të gjykimit me akuzat për tradhti ndaj Ukrainës që daton para invazionit rus në shkurt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button