Cili prej liderëve e ka gruan më të bukur?

Për shije, thuhet, nuk diskutohet. E kjo sidomos vlen për pamjen e femrave. Secila prej tyre ka diçka të veçantë për bashkëshortin. Por përkundër kësaj, dhe duke e marrë parasysh faktin se gratë e liderëve gjatë kësaj fushate kanë vendosur që t’u ndihmojnë burrave të tyre si kurrë më parë, Express e sjell një portret të bashkëshorteve të Thacit, Mustafës, Kurtit, Pacollit, Limajt, Dacit dhe Krasniqit.

Kjo është fushata e parë zgjedhore ku liderët kryesor të partive politike nuk janë duke ngurruar aspak, që për të marrë pak më shumë vota, t’i vëjnë në plan bashkëshortet e tyre, që deri dje publiku dinte pak ose aspak rreth tyre. Ndonëse më vonesë, një hap i tillë i tyre, është për t’u duartrokitur. Dhe një standard i vënë tash, vështirë se do të mund të ulet herave tjera. Kështu, për një shoqëri si e jona që ka pretendime europiane, ishte e pashmangshme që edhe gjinia femërore, e burrave të fortë, të vihej në spikamë. Dorën në zemër, që të jemi korrekt me faktet, Kryetari i AKR’së, Behgjet Pacolli dhe ai i AAK’së, Ramush Haradinaj, edhe më herët janë parë në publik me bashkëshortet e tyre. Një gjë të tillë e kishte bërë edhe ish Kryetari i LDD’së, Nexhat Daci, por që për dallim prej tij, shumë më i ngurtë në këtë drejtim ka qenë President i ndjerë Ibrahim Rugova, që ishte shumë më tradicional.

Por këtë vit zgjedhor si duket përfundimisht ka rënë ‘havalja’ e liderëve. Dhe kjo nisi aty ku më së paku pritej, tek Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi. Ky i fundit si duket, i detyruar nga sondazhet, muajve të fundit ka filluar që të dal sheshazi me Lumën, bashkëshortën e tij. Fillimisht e nxori në treg. Por kjo nuk ishte asgjë. Në konventën e partisë Thaci bashkëshortes së tij, Lumës, ia besoi edhe binën dhe foltorën. Lumja duhet të ndihet jashtëzakonisht e nderuar, sepse bashkëshorti i tij, sic po shihet, binën dhe foltorën nuk po e ndanë më as më shokët e luftës. Sido që të jetë paraqitje e e parë e Lumës, marrë parasysh numrin e madh të njerëzve dhe sasinë e kamerave dhe aparatëve, ishte solide dhe për respekt. Mbetet të shihet se cili do të jetë roli i Lumës, pas datës së zgjedhjeve.

Në anën tjetër Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, po e ndjekë rrugën e paraardhësve të tij partiak, qoftë Rugovës ose Sejdiut. Mustafa nuk e ka ndërmend të ndërroj stilin e tij të jetesës dhe marrëdhëniet bashkëshortore në kohën e pleqërisë, e as për vota. Pra, paraqitja e Mustafës me gruan e tij vazhdon të jetë spontane dhe sporadike. As më shpesh e as më rrallë se deri më tash.

Kryetari i AAK’së duket se e ka shumë më origjinale se sa Thaci dhe Mustafa raportin e tij me bashkëshorten, Anitën. Kjo e fundit, moderatore e njohur televizive e shoqëron bashkëshortin e tij edhe gjatë zgjedhjeve, por edhe pas zgjedhjeve. Anita, përndryshe për një kohë të gjatë është konsideruar në qytetin e Prishtinës si njëra prej femrave më elegante dhe më trendy në Kryeqytet. Anita, për dallim prej zonjave të tjera të para të liderëve politik, në mënyrë të natyrshme e shoqëron Ramushin edhe nëpër ndeja të ndryshme, por edhe në aktivitetet sportive. Në këto të fundit duket ta ketë më së vështiri, nëse mirret parasysh vullneti i hekurt i Ramushit për sport.

Në një tjetër nivel këtë aspekt e ka orientuar lideri i VV’së, Albin Kurti. Ai e ka shokuar opinionin publik kur para disa muajsh vendosi që të lidhte martesën e tij. Të gjithë po prisnin me mallë të kuptonin se cila ishte ajo shqiptare që do të prehet në gjirin e Kurtit. “Duaje Tëndën” ishte motoja e Kurtit, por ky në këtë rast e bëri një ‘kthesë’ duke u ndalur diku në Skandinavi, për të ndarë fatin e jetës me Riten, një bukuroshe për të cilën dimë shumë pak, pos ca ligjeratave kundër procesit të privatizimit. Rita deri më tash, hic fotot e dasmës, nuk është parë në krahun e Kurtit.

Kozmopolit në raport me martesat është treguar ‘han e dan’ shefi i AKR’së, Behgjet Pacolli. Jeta e tij private ka qenë në shënjestër të mediave, jo vetëm kur ka vendosur të merret me politikë në vendin tonë. E gjithë Italia veriore dhe më gjerë ka ngarendur pas tij kur ishte i martuar me ikonën e muzikës italiane, Ana Oxa, e cila ishte me origjinë shqiptare. Kjo ishte një kohë kur gazetat kryesore europiane merreshin me kavalierin nga Marevci dhe jetën e tij. Kjo me Ana Oxen nuk ishte e thënë që të zgjaste pafundësisht. Dhe tash Pacolli është i martuar me bionden bukuroshe, Mashan, e cila është nga Saint Petersburg i Rusisë. Masha, merret me jetë artistike. Me piktura. Sigurisht është bashkëshortja më e arrirë në nivelin artistic, prej bashkëshortëve të tjera të liderëve të tjerë.

Por befasia e këtyre zgjedhjeve duket të jetë Arlinda. Bashkëshortja e liderit të Nisma’së, Fatmir Limajt. Kjo është bashkëshortja e dytë të Limajt, pasiqë e para i kishte vdekur pas një sëmundje të gjatë. Tash Arlinda, gjithashtu bionde, është shndërruar në një atraksion për votuesit. Lajmet dhe fotot për të në Gazetën Express vazhdimisht shënojnë lexueshmëri të madhe. Dhe këtë e ka nuhatur mirë Limaj, i cili pa ndonjë nguti të madhe është duke ecur vazhdimisht përkrah saj, por nuk është duke e shtyer edhe më tutje në plan të parë. Fushata është e gjatë dhe ende nuk i dihet. Ndoshta Fatmiri dhe Limaj do të përgatisin ndonjë befasi kah fundi i fushatës.

Prej gjeneratës më të vjetër të liderëve politik vlen të nënvizohet roli i akademikut Nexhat Daci, për t’u shoqëruar vazhdimisht nga bashkëshortja e tij Zineta. Duket që fati i Dacit në politik ka qenë shumë më i varfër se sa ai në martesë. Dhe për ketë i par ii dardanëve të Kosovës, asnjëherë nuk ka ngurruar të flas. Ai vazhdimisht e ka nderuar bashkëshorten e tij, duke e përmendur emrin e saj, sa herë që i ishte dhënë rasti.

Në garë me të rinjtë lirisht mund ta fusim edhe numrin dy të Nismës, Jakup Krasniqin. Ndoshta bashkëshortja e tij, Sevdija, nuk është yll filmi, por vazhdimisht e ka treguar njëfar dinjiteti në paraqitjet e saja publike. Ajo edhe sot e kësaj dite e shoqëron bashkëshortin zevzek, kudo që e sheh të arsyeshme./ GazetaExpress /

Lajme të ngjashme

Back to top button