Rita flet shqip në televizionin e Zvicrës (Video)

Rita Ora, teksa ishte duke folur për sukseset e saj artistike në emisionin televiziv “Joiz” në Zvicër, një fanse e saj telefonon në studio dhe kërkon që të bisedojë pakëz me të në gjuhën shqipe, gjë që kjo u mirëprit nga këngëtarja jonë me famë botërore.

Rita Ora, këngëtarja shqiptare që po thyen rekorde nëpër toplista botërore, jo vetëm që po vazhdon të jetë krenare me prejardhjen e saj, por po i bën krenarë të gjithë shqiptarët me paraqitjet skenike dhe televizive.

Ditë më parë Rita ishte mysafire e emisionit zviceran “Joiz”, një emision shumë i ndjekur nga rinia, ku u përgjigj në shumë pyetje rreth karrieres së saj profesionale dhe private.

Mirëpo, befasia më e këndshme ishte kur një fanse e saj thërret në studio dhe pasi që e përgëzon në gjuhën angleze për suksesin e këngës së re të saj, kërkon që të flasë pakëz edhe shqip, e që në sallë duartrokasin të gjithë, ndërsa Rita pranon me shumë kënaqësi:

-Rita, a je mirë?- e pyet fansja. – “Po, mirë jam, pakëz nxehtë, por mirë jam”, – përgjigjet Rita në gjuhën shqipe.
“Qysh po kalon?”, e pyet sërish fansja. “Qe, shumë mirë. A je vetëm aty?”, ia kthen këngëtarja Ora. Ndërkohë me këto fjalë ndërpritet biseda me fansen e saj, e cila në fund arrin t’ i thotë Ritës “Të dua”. E kjo fjalë e ka bërë kureshtar prezantuesin e emisionit Mike, i cili ka kërkuar nga Rita t’ ia mësojë disa fjalë në gjuhën shqipe. Rita gjatë këtij emisioni, pos tjerash, ka thënë se ajo është nga Prishtina, ndërsa e rritur në Londër, por në familjen e saj ende flasin shqip.

Ndërkohë, uebfaqja e këtij emisioni www.joiz.ch, ku edhe janë postuar xhirimet e emisionit me Rita Orën, ndër të tjera shkruan:

-Që Rita Ora ka rrënjë shqiptare, kjo është e njohur që prej kohësh. Që ajo mund të flasë kaq bukur shqip, këtë e dinim më së paku. Respekt!, shkruan faqja zvicerane në gjuhën gjermane./Zëri/

Lajme të ngjashme

Back to top button