Oda e shëndetësisë private: Të shpallet thirrje për angazhim në ambulancat kovid, mjekët amë kanë shumë obligime

Oda e Shëndetësisë Private pranë Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë, reagoi ndaj vendimit të Komisionit për Sëmundje Infektive, që mjekët amë të jenë në shërbim në klinikat e reja për kovid. Ata thonë se mjekët amë janë mjekë të punësuar në institucione shëndetësore private, jo në shëndetësi publike, prandaj nuk ka mundësi ligjore për detyrime ndaj tyre, por bashkëpunimi duhet të jetë në baza kontraktuale, të rregulluar me akt ligjor përkatës. Nga kjo Odë shtojnë se si mjekë dhe drejtues të institucioneve private shëndetësore, ata kanë detyrime ndaj pacientëve të tyre amë dhe ndaj IPSh-së si person juridik, që përfshin kujdesin e vazhdueshëm shëndetësor për të gjithë pacientët amë, jo vetëm të sëmurët me kovid 19, si dhe dhënien e recetave, pushimeve mjekësore dhe punë të tjera administrative që nuk mund të shtyhen, transmeton Portalb.mk.

“Propozimi i Odës së shëndetësisë private është që të gjendet zgjidhje për situatën në një model bashkëpunimi ndërmjet një personi juridik publik dhe një personi juridik privat, i cili do të bazohet në një marrëveshje bashkëpunimi. Përndryshe, i bëjmë thirrje Komisionit të publikojë njoftim ku do të mund të aplikojnë IShP-të e mjekësisë së përgjithshme të cilët janë të gatshëm të jenë në shërbim të ambulancave COVID-19 dhe bashkëpunimi do të rregullohet me kontratë përkatëse që do të lidhet me institucionin shëndetësor dhe në të cilin do të theksohen detyrimet dhe kushtet kontraktuale për të dyja palët”, thonë nga Oda e shëndetësisë private.

Ata theksojnë se shpallja, gjegjësisht kontrata, duhet të përcaktojë qartë pagën, kompensimin që do të merret për angazhimin në klinikën COVID-19, sipas shembullit të pagesës së detyrës në institucionet shëndetësore publike, të cilat janë të rregulluara me Marrëveshje kolektive dhe Ligjit për marrëdhënie pune.

“Ligjet duhet të respektohen dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, prandaj nuk duhet të vihemi në situatë ku çmimi i punës së mjekëve të sektorit publik paguhet, ndërsa ata të sektorit privat pritet të punojnë falas”, thonë nga Oda private.

Oda e shëndetësisë private thekson se gjatë gjithë pandemisë mjekët amë e kanë bartur pjesën më të madhe të barrës dhe nuk kanë marrë mbështetjen e duhur. Por pavarësisht kësaj, duke vënë në plan të parë kujdesin ndaj pacientëve, ata mbështesin krijimin e zgjidhjeve të përshtatshme që do të përshpejtojnë lëvizjen e pacientëve nëpër sistem dhe do të kontribuojnë në diagnostikimin më të shpejtë dhe trajtimin e duhur dhe efektiv, por duhet të jetë në atë mënyrë që të gjithë do të marrin diçka dhe askush nuk do të pësojë dëm të drejtpërdrejtë.

“Në lidhje me funksionimin ambulancave kovid, duhet të rishikohen mundësitë shtesë për punësimin e mjekëve nga niveli dytësor i kujdesit shëndetësor, pasi sipas informacionit të publikuara nga Komisioni për mbrojtjen nga sëmundjet infektive, në këtë valë të kovid 19 nuk ka rritje të numrit të pacientëve me komplikacione që kërkojnë trajtim spitalor, që do të thotë se trajtimi kryhet në nivelin parësor, pra te mjekët amë dhe ata nga institucionet shëndetësore specialistike dhe spitalore nuk janë shumë të ngarkuar, çka do të thotë se ka mundësi për angazhim shtesë”, thonë nga Oda e shëndetësisë private.

Oda e shëndetësisë private është rrjet biznesi në të cilin janë anëtarësuar institucione private shëndetësore nga të gjithë sektorët, mjekë të përgjithshëm, stomatologë, farmaci, ordinanca të ndryshme të specializuara mjekësore dhe vepron në drejtim të krijimit të një mjedisi më të mirë për zhvillimin e kujdesit shëndetësor privat në vendin tonë si partner i shëndetit publik me synim krijimin e një sistemi shëndetësor më të mirë në të cilin do të ketë përfitime si për pacientët ashtu edhe për subjektet ekonomike që merren me aktivitete shëndetësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button