Anili nga Dibra, ëndërron që një ditë ta arrijë famën si DJ (VIDEO)

Në një qytet të vogël, gjetëm një ëndërr të madhe të Anilit, ai pretendon që një ditë të arrijë të bëhet DJ profesional. Përveç nënës së tij që është gjithmonë pranë Anilit, ai ka arritur ta ketë mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Dibrës. Sot për Portalb.mk, intervistuam Anilin dhe nënën e tij.

“Si nënë për herë të parë e kam përjetuar shumë mirë momentin kur u bëra prind. Ka qenë një ëndërr e realizuar e imja qysh kur e mora rolin e edukatores. Ëndërr e kisha që të lindi një fëmijë, të kujdesesha për atë sikur kujdesesha për fëmijët e qytetit të Dibrës për 10-15 vite atëherë. Anilin e kam shok dhe gjithçka në jetë. Gjithë jetën time ja kam përkushtuar atij.” tha Shpëtime Jegeni, nëna e Anilit.

Atmosfera e tillë në qytetin e Dibrës, përkrahja e madhe nga të gjithë dhe shoqëria e mirë bëri që Anili të vendosë të ngjitet në skenë dhe të bëhet DJ. Ai në moshën 15-vjeçare nisi që në mbrëmje t’u afrohet DJ-jave të cilët vinin në Dibër. Duke i vëzhguar ata, ai nisi të shfaqë dëshirë që të nis vet të lëshojë muzikë. Kështu familja e tij, i bën dhuratë një miksetë për DJ.

“Shumë kënaqësi ndjej, kur vjen Anili prej në mbrëmje ku është i përkrahur shumë prej DJ-jave unë ndjehem shumë e kënaqur sepse Anili ka bë diçka që i pëlqen. Në një qytet të vogël është shumë e vështirë që të gjesh rrugë për të bë kënaqësi, fëmijët me zhvillim normal e kanë zorr e jo më si Anili.” u shpreh nëna e tij.

Anili është shumë i përkushtuar ndaj këtij profesioni. Ai çdo ditë ushtron nga 3-4 orë. Stili i tij i muzikës është ajo elektronike, R&B dhe tehno. DJ-jat vendas dhe të jashtëm e përkrahin atë gjatë gjithë kohës, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me atë. Ëndrra e tij është që një ditë të arrijë të lëshojë muzikë në gjithë botën.

“Ëndrra ime është që muzika ime të dëgjohet në gjithë botën. Dua të arrij shumë në karrierë me artin tim. Ëndrra ime është që një ditë të shkoj në Amerikë dhe të lëshoj muzikë në Florida, Majami dhe nëpër diskoteka ku janë artistë të huaj amerikan.” tha DJ Anili.

Nëna e tij e përmbylli këtë intervistë duke e përcjellur mesazhin që çdo gjë në jetë duhet të pranohet sikur vjen, gjërat që nuk ndryshohen, nuk mundemi t’i ndryshojmë, vetëm mundemi të lakojmë pak rrugë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button