Pendarovski: Agjentët rus na vijnë nga fqinjët, disa parti në RMV financohen nga Moska

Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për të përjavshmen “Fokus” ndër të tjera ka komentuar edhe deklaratën e ministrit të punëve të jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, i cili së fundi ka përsëritur se disponimi i popullit maqedonas është i kundërt me kursin euroatlantik të elitës politike. Siç thotë Pendarovski, këto janë deklarata provokuese të cilat, sipas tij, janë pjesë e propagandës politike, transmeton Portalb.mk.

“Të gjitha institucionet shtetërore e dinë se Rusia përziet në punët tona të brendshme. Herën e fundit me pjesëmarrje intensive përmes njerëzve të vet, subjekteve të veta politike, instalacioneve të veta. Nga fqinjësia vijnë njerëz që janë agjentë rusë, pra njerëz në shërbimin rus. Nuk mund të zbuloj publikisht se nga vijnë saktësisht, sepse këto janë informacione të ndjeshme, por rusët po përpiqen të ndikojnë edhe përmes atyre kërcënimeve, të quajtura moderne hibride, përmes propagandës politike”, thotë Pendarovski.

Ai tregon se në organet kompetente ka informacione për persona që kanë ardhur për të provokuar protestat e fundit qytetare, por edhe për financimin e “disa subjekteve politike”. Në të njëjtën kohë, Pendarovski nuk zbulon se për cilat subjekte bëhet fjalë, por thekson se janë “disa subjekte në korrelacion të drejtpërdrejtë me Moskën prej disa vitesh”.

“Përderisa artikulohet politikisht në institucione, është mirë dhe është demokratike. Por më duhet të them se është vërtet e çuditshme që pak ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, E majta thirri ambasadorin rus në Parlament dhe e nderoi për kontributin e tij në marrëdhëniet dypalëshe, gjë që është e paprecedentë. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë parlament evropian”,  thotë Pendarovski në intervistën për “Fokus”.

Lidhur me ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainë, kreu i shtetit thotë se askush nuk ka një vlerësim se kur do të përfundojë ajo luftë. Por siç shton ai, të gjitha vlerësimet tregojnë se konflikti do të vazhdojë, i cili, paralajmëron ai, do të shkaktojë reaksione zinxhirore në mbarë botën në shumë fusha.

Për të njëjtën çështje, kreu i shtetit ka folur edhe në fillim të këtij muaji kur në një intervistë për gazetën greke Etnos, tha Rusia prodhon kërcënime jashtëzakonisht serioze hibride për të gjithë rajonin e Ballkanit, veçanërisht propagandë politike dhe fushatë dezinformimi.

“Në Maqedoninë e Veriut, kompleksiteti dhe intensiteti i tyre është i njëjtë me atë të vitit 2018, gjatë referendumit pas Marrëveshjes së Prespës. Nuk kam njohuri të plota për vendet e tjera, por disa pika të dobëta në rajon janë të njohura mirë për Moskën dhe sigurisht që po përpiqet të depërtojë”, tha Pendarovski.

Deklaratë të ngjashme Pendarovski bëri edhe në emisionin “Click Plus” në TV 21, i cili tha se gjendja e sigurisë në vend po përkeqësohet. Në fillim të korrikut ai ndau informacionin që kishte marrë nga shërbimet e sigurisë, të cilat tregojnë se Federata Ruse po abuzon me protestat dhe janë përfshirë disa dhjetëra persona nga vendet fqinje, të cilët po përpiqen të provokojnë incidente.

Paralajmërimet publike të presidentit Pendarovski për ndërhyrjen ruse në punët e brendshme të Maqedonisë vijnë në kohën kur edhe kryeministri bullgar Kiril Petkov në një intervistë për gazetën britanike “The Times” deklaroi se ka pasur kundërshtim nga Rusia për heqjen e vetos bullgare për fillimin negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

“Rusia tregoi ndikim në të dy anët e kufirit”, tha kryeministri Petkov, duke shtuar se ka pasur aktivitete të koordinuara si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Bullgari.

“Pamë veprime të koordinuara, kur nacionalistët tanë dolën me iniciativa në media para se të digjej qendra jonë kulturore në Maqedoninë e Veriut”, tha kryeministri Kiril Petkov.

Ndryshe, Fondacioni Metamofozis përmes tre mediave Portalb, Meta dhe Vërtetmatësi merret vazhdimisht me zbardhjen e propagandës ruse ne vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button