Pas reagimeve në opinion, Arsovska ndërroi mendje për asfaltimin e shtigjeve në Parkun e qytetit (FOTO)

Pas reagimeve shumta në opinion për asfaltimin e shtigjeve në pjesën e parë të Parkut të qytetit, kryetarja Danela Arsovska ndërroi mendje, kështu që tani shtigjet e reja të asfaltuara do të mbulohen me tartan, ndërsa në pjesën tjetër do të shtrohet shtresë e re e zhavorrit, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Drejtori i NP “Rrugë dhe rrugica” Boris Nastov, i cili sot e ka mbikëqyrur mbarëvajtjen e punimeve, tha se në park dhe afër shtegut rreth labirintit ka pasur mikro lokacione me ujëra nëntokësor dhe shpesh ishte krijuar baltë, prandaj ata kishin vendosur të shtrojnë një shtresë me asfalt që të jenë në gjendje për ta mbuluar me një bazë gome – tartan.

Pjesë e shtegut të asfaltuar në Parkun e qytetit në Shkup

I pyetur nga Meta.mk se a ka mundur të përdoret ndonjë material tjetër natyror për ndërtimin e shtegut, Nastov tha se e vetmja zgjidhje tjetër natyrore është vendosja e betonit, ndërsa edhe asfalti është material natyral. Nastov shtoi se shtegu nuk do të ngrohet sepse është pothuajse tërësisht nën hije.

Mirëpo, sipas arkitektëve me të cilët ka folur Meta.mk, as mbulesa me tartan nuk është zgjidhje e përshtatshme.

“Në park tashmë ka shtigje me tartan dhe kjo pjesë duhet të mbetet natyrale. Për më tepër, ky park ka një sfond historik”, thotë Ivana Grupçe, arkitekte inxhiniere e diplomuar dhe anëtare e Dhomës së Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Certifikuar. Ajo theksoi se qëndrimi i saj nuk duhet të merr dimension politik, por hapësira publike për një qytet ka kuptim thelbësor dhe gjatë projektimit të tij duhet kujdes i jashtëzakonshëm.

Edhe Arkitekti Andrea Jankov e kujtoi rëndësinë historike dhe autenticitetin e parkut.

“Fillimet e parkut të qytetit në Shkup datojnë nga koha e Hafiz Mehmed Pashës, ndërsa pjesën në drejtim të kopshtit zoologjik e kanë punuar kopshtarë austriakë në vitin 1923. Pjesa e vjetër ka përfunduar plotësisht në vitin 1933 kur kanë qenë të rregulluara të gjitha shtigjet. Shtigjet janë të dheut dhe të spërkatura me gurë të grimcuar, gjë që mundëson toka të “marrë frymë”, por edhe të kullojë më lehtë”, tha Jankov.

Në një bisedë për Meta.mk, ai theksoi se shtigjet e dheut dhe shtigjet në të cilat në fund përdoret zhavorri apo guri i thyer rekomandohen për disa arsye.

“Së pari janë të këndshme për të ecur, domethënë nuk ka aq shumë stres në gjunjë dhe kyçe kur vraponi dhe ecni mbi to, siç është rasti me asfaltin apo betonin. Pastaj, ato kullojnë më lehtë, gjegjësisht kullimi është më i shpejtë, uji depërton dhe lëviz drejt kanaleve kulluese, sigurisht nëse zgjidhet mirë. Së fundi, avantazhi është se në shtigje të tilla mjete (si biçikletat, motoçikletat) nuk mund të lëvizin me shpejtësi të madhe, gjë që e rrit sigurinë e këmbësorëve. Nga ana tjetër, asfalti (bitumi), si nënprodukt i naftës, ka një karakteristikë negative sepse nxehet lehtësisht, thith dhe lëshon nxehtësi, si dhe ka erë të pakëndshme. Me këto tipare e ngroh edhe ambientin, prandaj është joadekuat për parqe, ku gjithmonë duhet të kenë prioritet materialet natyrore”, thotë Jankov.

Ai shtoi se përveç shtigjeve të dheut dhe shtigjeve me zhavorr ose rërë, do t’u jepte përparësi edhe shtigjeve prej graniti ose blloqe druri, guri, blloqe bekatoni gjashtëkëndor me hapje, shtigje të bëra me rrasa druri, platforma të ngritura, materiale të ricikluara (p.sh. qelqi i përpunuar në nivel të granulave), ndërsa asfaltin ndoshta do ta vendosja në vendin e fundit si opsion, ose nuk do ta konsideroja fare.

“Tek ne plasohet si zgjidhje superiore, që është absurd dhe tregon për mendimin e prapambetur të administratës së qytetit, si dhe për ngathtësinë inxhinierike dhe mungesën e inventivitetit në projektim dhe ekzekutim”, tha Jankov.

Sipas Jankovit, rëndësi të veçantë ka fakti që vetë pjesa te labirinti nuk është tërësi e papërfunduar, por ide e rrumbullakosur e autorit. Kjo do të thotë se, nëse projektuesi e ka parashikuar që shtegu të ishte me dhe ose gur të grimcuar, është diletantizëm i pastër dhe mosrespektim elementar që dikush ta ndryshojë atë.

Arkitektja Grupçe theksoi se parku është një hapësirë ​​që u përket të gjithë qytetarëve, hapësirë ​​që duhet t’u ofrojë atyre cilësi të ndryshme pushimi, zonë komforti, socializimi.

“Një park si një nga hapësirat publike të një qyteti duhet të jetë pjesa më natyrale, një lloj strehimi për banorët e atij qyteti nga hapësira urbane në atë natyrore. Njeriu,  vetë është pjesë e natyrës dhe lidhja e tij me natyrën është e pathyeshme. Janë bërë kërkime të shumta psikologjike dhe sociale që e vërtetojnë këtë dhe për këtë arsye hapësira të tilla që do të ofrojnë një ikje nga jeta urbane janë më se të nevojshme. Në këtë aspekt, nga pikëpamja arkitektonik-urbanistik, parqet duhet të jenë sa më natyrale, materializimi i tyre duhet të jetë me materiale sa më natyrale që të mos prishet ajo lidhje me natyrën dhe duke bërë këtë, materialet natyrore përdoren si materializim i shtigjeve dhe elementëve të tjera gjatë rregullimit të tyre, rërë, gurë, dru, që plotësohet me rregullim hortikulturor”, tha Grupçe për Meta.mk.

Sipas saj, asfaltimi i shtigjeve është aktivitet krejtësisht i pamenduar mirë, i cili bëhet nga mos njohja e mjaftueshme e të gjitha problemeve, sepse asfalti i jep një tjetër dimension asaj hapësire.

Foto: Arkivi Privat i Ivana Grupçe

“E kuptoj shqetësimIN e qytetarëve dhe reagimet e tyre të furishme lidhur me këtë. Kur jetoni në ndonjë qytet që mbytet nga urbanizimi i fortë dhe kur dikush e merr guximin t’ua prekë të vetmen gjë që është strehimi i tyre dhe përsëri të shtrojë asfalt këtu, vërtet shkakton irritim. Në këtë kuptim, mendoj se shtigjet duhet të mbeten me rërë, sepse është një lidhje e fortë me natyrën”, tha Grupçe.

Ajo ndau edhe eksperiencën e mrekullueshme të disa viteve më parë kur pati mundësinë të ishte në një qëndrim profesional në Suedi.

“Më dha një eksperiencë të madhe si arkitekt, të shikoja gjërat me sy të ndryshëm gjatë projektimit dhe urbanistikës. Qëndrimi i qytetarëve dhe arkitektëve suedezë ndaj mjedisit është fantastik. Qyteti si organizëm urban për ta funksionon në një nivel shumë të lartë. Çdo segment është i menduar thellësisht dhe përfshin një sërë profesionistësh nga fusha të ndryshme, jo vetëm arkitektë dhe urbanistë. Prandaj, rezultatet janë mjedise të shëndetshme dhe cilësore të qytetit, në të cilat çdo qytetar është një individ me dinjitet dhe i respektuar”, tha Grupçe.

Ajo është veçanërisht e magjepsur nga parqet në Malme, qyteti ku ka qëndruar dhe që ajo e quan qyteti i parqeve.

“Kur vizitova parkun e parë, mbeta i befasuar nga shtigjet me rërë. Njerëzit vraponin, luanin sport, lëviznin me biçikleta, ecnin, lëviznin me karrige me rrota dhe ajo rërë në shteg nuk i pengonte askujt. Për mua, si një person që vij nga një vend ku gjithçka është e shtruar, ai moment ishte mjaft i çuditshëm. Por kur shëtisja nëpër parqet e tjera, gjeta të njëjtën situatë kudo. E kuptova që kjo bëhej me qëllim, që lidhja me natyrën të ishte sa më e natyrshme. Në ato “xhepa” të parkut të qytetit më dukej sikur isha jashtë qytetit, nuk kishte fare zhurmë, as ndonjë lloj shenje se isha në qytet. Ato parqe,thjesht, ishin zona natyrore krejtësisht të izoluara në qytet, pa qenë nevoja që njerëzit të shkonin diku larg qytetit për t’u ndjerë të qetë dhe rehat dhe për të ikur nga përditshmëria e egër. Le të jenë këto drejtime të miat një lloj reflektimi për të gjithë, në qytet ka shumë vende me asfalt dhe pllaka për të ecur, por parqet duhet të mbeten ato ‘shenjtorët natyrorë”, tha Grupçe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button