Kompleksi i viktimës

Në psikologjinë klinike, sqaruar sipas Robert Longley, “kompleksi i viktimës” ose “mentaliteti i viktimës” përshkruhet si gjendje psikike në të cilën personat besojnë se gjatë tërë kohës janë viktimë e veprimeve të dëmshme të të tjerëve, edhe kur dëshmitë e dëshmojnë të kundërtën. Personat që vuajnë nga kompleksi i viktimës refuzojnë të marrin përgjegjësi për t’u përballur me problemet e veta, asnjëherë nuk pranojnë të kenë asnjë faj për problemet të cilat u ndodhin dhe gjithmonë gjejnë arsye pse zgjidhjet e propozuara nuk do të jenë të suksesshme.

Ata e mbajnë gjatë hidhërimin, nuk falin dhe nuk bëjnë përpara dhe nuk janë në gjendje t’i artikulojnë mirë nevojat e veta. Ata janë të bindur se të gjithë janë kundër tyre dhe nuk i besojnë askujt, përhapin energji negative dhe pesimizëm dhe gjithmonë e kërkojnë të keqen edhe në ndodhi të mira. Ata janë gjithmonë kritik ndaj të tjerëve dhe nuk arrijnë të krijojnë miqësi afatgjate. Këto janë disa nga karakteristikat e personave që vuajnë nga kompleksi i viktimës.

Është e dhimbshme të vrojtosh se si intelektualë të lartë, që i kanë arritur titujt dhe thirrjet më prestigjioze shkencore dhe akademike, tregojnë shenja të qarta që vuajnë nga kompleksi i viktimës. Gjatë një periudhe tani më konsiderueshëm të gjatë kohore, akademikë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë në krye me kryetarin e tashëm të kësaj akademie përhapin frikë dhe pasiguri mes maqedonasve etnikë – qytetarë të këtij shteti, për rrezikun që gjoja u kanoset nga zhdukja. Kështu, kryetari i ASHAM, akademik Kocarev, i inspiruar nga Oruel, në kolumnën e tij të fundit e përshkroi Maqedoninë e Veriut në vitin 2084 si një distopi ku maqedonasit etnikë nuk ekzistojnë sepse të njëjtit janë zhdukur. Ai kërkon që shteti të tërhiqet nga Marrëveshja e Prespës dhe nga Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë duke thënë se ose këto marrëveshje do të zbatohen dhe maqedonasit do të zhduken, ose të njëjtat do të anulohen dhe maqedonasit do të vazhdojnë të ekzistojnë.

Ai përfundon që në këto kushte Maqedonia do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, por jo edhe maqedonasit, sepse të njëjtët, sipas tezës së tij, nën kushtet e këtyre marrëveshjeve, nuk do të ekzistojnë. Të përhapësh një insinuatë të tillë dhe t’i qasesh këtij problemi politik si jetë a vdekje, duke ngjallur frikë, pasiguri, pesimizëm dhe negativitet mes popullit tënd, është vërtet e pafalshme për një intelektual të lartë dhe krye-akademik i cili përkundrazi, do të duhej të reflektonte siguri dhe besim të plotë në identitetin etnik të cilit i përket dhe të cilin pretendon se e mbron.

Njëra ndër karakteristikat kyçe të kompleksit të viktimës është mospranimi i fajit për asnjë gabim dhe kërkimi i fajit gjithmonë tek të tjerët dhe asnjëherë tek vetvetja. Akademikja tjetër e njohur e ASHAM, profesoresha Katica Qulavkova, fajin për problemet e maqedonasve etnikë e gjen gjithmonë tek shqiptarët. Në paraqitjet e saja publike akademik Qulavkova e ka kundërshtuar me ngulm Marrëveshjen e Ohrit, duke thënë se me këtë marrëveshje janë instaluar zgjidhje që nuk përkojnë me demokracinë, sepse sipas saj demokracia paraqet majorizim dhe nuk ka nevojë për mbrojtje të etniteteve nga një gjë e tillë sepse kjo sipas akademikes së nderuar është në kundërshtim me principet demokratike dhe i ngjan më shumë totalitarizmit në të cilën sipas saj pakica bëhet shumicë dhe sundon. Në kohën kur duhej të votohet Ligji për për përdorimin e gjuhëve, Akademik Qulavkova ishte njëra ndër kundërshtueset më të ashpra të këtij ligji, së bashku me profesoresha të tjera të cilat në këtë ligj e shihnin zhbërjen e Maqedonisë së Veriut. E megjithatë Maqedonia e Veriut nuk u zhbë, por u bë anëtare e NATO-s dhe tani është në proces të skriningut për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE. Të mos harrojmë që para një kohe, kur pandemia Covid-19 ishte në kulm,

Akademik Qulavkova shkroi një tweet si vijon: “Çmimin e bashkëjetesës e paguajmë me jetë”, duke aluduar që etnitetet me të cilat bashkëjetojnë maqedonasit etnikë janë fajtorë edhe për numrat e rritur të të sëmurëve dhe të vdekurve nga Covid-19. Ky shkrim u karakterizua si gjuhë e urrejtjes dhe i njëjti u fshi nga ana e autores, por shija e hidhur e atij shkrimi mbeti edhe sot, për të na rikujtuar për atë se çfarë ndjenjash ushqen ndaj bashkëqytetarëve të saj kjo akademike e nderuar e cila shpesh potencon se maqeodnasit etnikë janë të diksriminuar brenda shtetit të tyre.

Këto teza të vetë-viktimizimit të maqedonasve etnikë janë më se të njohura dhe dëgjohen shpesh në diskursin politik në Maqedoninë e Veriut. Kjo tendencë për ta përshkruar popullin maqedonas gjithmonë si një etnitet në prag të zhdukjes, i cili gjatë gjithë kohës është i sulmuar nga të gjitha anët, nga serbët, bullgarët, grekët dhe normalisht, nga shqiptarët si fajtorë të përhershëm për gjithçka, është vërtet e dhembshme për tu parë dhe e dëmshme për perspektivën e shtetit dhe të vetë maqedonasve etnikë. Ky narrativ shkaktoi një ngecje të konsiderueshme të shtetit në të gjitha aspektet dhe për vite me rradhë pengoi integrimin në NATO dhe BE. Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë e rikthyen shtetin në rrugën e integrimeve euro-atlantike, për çka këto marrëveshje duhen shikuar si veprime shumë pozitive që e nxorën shtetin nga qorrsokakët, por në vend të kësaj, ato shihen nga shumë intelektualë vetë-viktimizues si burimi i të gjitha të këqijave dhe si humnera ku do të rrokulliset identiteti maqedonas. Marrëveshja e Ohrit nga ana tjetër është njëra ndër marrëveshjet me rëndësi jetike për këtë shtet i cili në saje të saj u bë më i fortë dhe më i konsoliduar, por edhe këtu, edhe tani pas më shumë se njëzet vitesh, intelektualët e nderuar me mentalitetin e viktimës, shohin vetëm zhbërjen e shtetit e cila sapo nuk ka ndodhur dhe qëndron sipër Maqedonisë së Veriut si shpata e Damoklit.

Kompleksi i viktimës është gjendje shpirtërore e vështirë, por trajtimi i kësaj gjendje është i mundshëm dhe më se i dëshirueshëm, sepse ky kompleks e pengon njeriun për të përparuar. Por si te të gjithë trajtimet, baza është pranimi se problemi ekziston dhe jo mbyllja e syve dhe injorimi i tij. Ashtu si që ka thënë shkencëtari Steve Maraboli, “Mentaliteti i viktimës e dobëson potencialin e njeriut. Duke mos pranuar përgjegjësi personale për rrethanat në të cilat gjendemi, ne e reduktojmë konsiderueshëm fuqinë për t’i ndryshuar ato.”

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button