RMV larg efikasitetit energjetik, disa qytetarë nuk kanë banja dhe kuzhina në shtëpitë e tyre (Infografik)

Efikasiteti energjetik dhe prodhimi i energjisë elektrike nga kolektorët diellorë janë realitet i paarritshëm për shumicën e shtëpive në Maqedoni, ndërsa një pjesë e qytetarëve në vend ballafaqohen me problemin e plotësimit të nevojave më elementare jetësore të shekullit të kaluar – uji i pijshëm, kanalizimi dhe rryma. Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) e publikoi grupin më të ri të të dhënave të fituara nga regjistrimi i popullsisë që vitin e kaluar u realizua në RMV, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga gjithsej 839.174 banesa, rreth 34.277 banesa në shtëpi individuale apo ndërtesa kolektive nuk kanë instalim për ujësjellës. Kundrejt kësaj 91,4 për qind e familjeve në Maqedoni përdorin ujë të pijshëm nga çezmat publike, pjesa e mbetur prej 8,6 për qind e amvisërive mjaftohen me përdorimin e çezmave në oborre, puse, burime publike, cisterna ose me ujë të pijshëm në shishe.

Sa i përket kushteve elementare të jetesës, regjistrimi i vitit të kaluar tregoi se 7,2 për qind e banesave në vend, ose gjithsej 60 807, nuk kanë sistem të kanalizimit për ujërat e zeza, pra nuk janë të lidhura me rrjetin publik të kanalizimeve apo me puse të e tyre septike.

Rreth 8,2 për qind e shtëpive, gjegjësisht 68.865 banesa, nuk kanë fare tualet, ndërsa 57.287 banesa nuk posedojnë kuzhinë, tregojnë rezultatet e regjistrimit. Pothuajse 9 për qind e banesave nuk kanë banjë brenda në banesë apo jashtë saj.

Në shekullin XXI, nga gjithsej 839.174 banesa në Maqedoni, 37.409 ose 4,5 për qind e banesave në vend nuk kanë instalim elektrik.

Rezultatet e regjistrimit tregojnë të dhëna shqetësuese për përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik të objekteve në vend.

Regjistrimi i vitit të kaluar tregoi se nga gjithsej 533.659 objekte, vetëm 182.274 objekte kanë fasadë me efikasitet energjetik që mundëson kursim në konsumin e energjisë, që përfaqëson 34,2 për qind të numrit të përgjithshëm të objekteve. Pjesa më e madhe e tyre, gjegjësisht 65,8 për qind e ndërtesave në Maqedoni, nuk kanë fasadë me efikasitet energjetik.

Sa i përket përdorimit të energjisë diellore për prodhimin e energjisë elektrike, vetëm 88.491 shtëpi dhe banesa individuale në ndërtesa kolektive kanë instalim për kolektorë diellorë, që paraqet përqindje modeste prej 11.1 për qind të njësive të banimit në vend. Kundrejt kësaj, rezultatet e regjistrimit të vitit të kaluar thonë se 88,9 për qind e shtëpive nuk kanë fare të instaluar kolektorë diellorë.

Veç kësaj, 4.774 banesa e kanë instalimin e nevojshëm për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli, por qytetarët nuk e përdorin atë për prodhim të energjisë elektrike.

Të dhënat statistikore të regjistrimit tregojnë gjithashtu se pjesa më e madhe e banesave në vend nuk janë me ajër të kondicionuar dhe nuk kanë instalime për ngrohje. Rreth 599.334 banesa nuk kanë instalim ngrohjeje, që përbën 71,4 për qind të numrit të përgjithshëm të banesave. Vetëm 101.579 banesa janë të lidhura në rrjetin publik të ngrohjes, pra një masë modeste 12,1 për qind e banesave. Në të njëjtën kohë, 545.831 banesa, ose një shumicë prej 65 për qind të numrit të përgjithshëm të banesave, nuk kanë ajër të kondicionuar.

Ndryshe, të dhënat për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e Maqedonisë, Enti Shtetëror i Statistikës i publikoi në përputhje me Programin për publikim dhe shpërndarjen e të dhënave nga regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 2021. Sot u publikua grupi i katërt i të dhënave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button