fbpx

Mesazh nga Presidenti Biden për Shqipërinë për 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, uroi sot popullin shqiptar në 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike miqësinë jetëgjatë midis dy vendeve, shkruan VOA.

Në një video mesazh dërguar në veprimtarinë festive për këtë përvjetor në Tiranë, Presidenti Biden theksoi se “SHBA mbrojtën pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, dhe u krijua një miqësi e përhershme midis popujve, një dashuri e përbashkët për lirinë dhe për vlerat e demokracisë, të cilat nuk u thyen kurrë, edhe kur populli i Shqipërisë i qëndroi dekadave në diktaturë”.

Biden tha se Shqipëria dhe SHBA janë sot aleatë në NATO dhe partnerë që punojnë së bashku për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë në Europë dhe në mbarë botën, duke përfshirë edhe punën e përbashkët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ai shtoi se Shqipëria ka dhënë gjithashtu një kontribut kritik në mbështetjen e nevojave humanitare dhe të sigurisë për popullin ukrainas, i cili mbron vendin kundër luftës brutale të Rusisë. Biden përmendi edhe mikpritjen e popullit shqiptar në strehimin e mijëra afganëve gjatë vitit të kaluar.

“SHBA do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Shqipërisë, ndërsa ju çoni përpara punën për të forcuar institucionet demokratike, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar sundimin e ligjit dhe përfunduar rrugëtimin tuaj për anëtarësimin në Bashkimin Europian” – theksoi presidenti Biden.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Erion Veliaj (@erionveliaj)

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se Shqipëria qëndron krah për krah partnerit strategjik, SHBA, duke bashkëpunuar në fusha me rëndësi jetike.

“SHBA janë pjesë e aspiratave të kombit tonë dhe garantë të arritjeve tona. Rezultatet në reformimin, transformimin dhe mirëqeverisjen, si dhe në forcimin e institucioneve të drejtësisë, diplomacisë, sigurisë e mbrojtjes dhe sundimin e ligjit, e kanë shndërruar vendin tonë në një partner i cili përmbush rolin koherent, konstruktiv dhe diplomatik” – theksoi presidenti Begaj.

Ai shtoi se, falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan.

“Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë. Jam besimplotë se Shqipëria dhe Amerika do të vijojnë të jenë miq dhe partnerë të palëkundur të progresit” – deklaroi presidenti Begaj.

Ndërsa kryeministri Edi Rama pohoi se Shqipëria dhe SHBA janë në një marrëdhënie të pazëvendësueshme strategjike.

“Shtetet e Bashkuara në Shqipëri janë në shtëpinë e tyre, sepse kështu e kanë vendosur shqiptarët dhe sepse kështu e ka dashur gjithë kjo rrugë ku pa zërin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë vit kur Fan Noli iu lut përulësisht presidentit Uilson, Shqipëria mbase nuk do ekzistonte” – deklaroi Rama.

Ai theksoi se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte as anëtare e NATO-s dhe as anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Shqipëria dhe SHBA kanë ndëtuar një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm strategjik në dekadat e fundit, pas rrëzimit të regjimit komunist.

Ato kanë ngritur një bashkëpunim të forte në shumë fusha, si siguria, diplomacia e ushtria, ndërsa marrëdhëniet ekonomike po zgjerohen përherë e më shumë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button