Presidenti serb Vuçiq, shfaqet i i shqetësuar në prag të zbatimit të vendimit për targa

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është i shqetësuar në prag të nisjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave. Me këtë vendim, të datës 29 qershor, të gjitha makinat me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, duhet të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës, shkruan REL.

Automjete me targa të tilla – rreth 10.000 – qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

“Jam i shqetësuar dhe do të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha të enjten Vuçiq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës parasheh që riregjistrimi i makinave të nisë nga data 1 gusht dhe të zgjasë deri më 30 shtator.

Bëhet fjalë për makinat që i kanë targat me akronime të qyteteve të Kosovës, si: PR për Prishtinën, GL për Gjilanin, PZ për Prizrenin, KM për ‘Mitrovicën e Kosovës’ e të tjera.

Ato tani do të duhet të regjistrohen në RKS, që do të thotë Republika e Kosovës.

Për këtë çështje, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por ajo nuk është zbatuar në terren.

Në komunat në veri ka vazhduar qarkullimi i makinave me targa të tilla, që i lëshon Ministria e Brendshme e Serbisë, në kundërshtim me marrëveshjen.

Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova ka të drejtë t’i zëvendësojë targat me akronimet e qyteteve. Vuçiq tha se autoritetet në Kosovë duan që “targat KM të mos ekzistojnë askund”.

“Me çfarë baze? Ku shkruan? Shkruan në kokën e [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti dhe të vendeve të Quint-it [SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Francës], sepse për to, Kosova është shtet”, tha Vuçiq.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, pas 30 shtatorit, nuk do të ketë mundësi riregjistrimi me targat që lëshojnë autoritetet serbe. Por, Qeveria e Kosovës nuk ka treguar se çfarë do të ndodhë me makinat që nuk riregjistrohen në RKS pas këtij afati.

Nga 1 gushti do të hyjë në fuqi edhe një vendim tjetër i Qeverisë së Kosovës për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe. Sipas këtij vendimi, të gjithë ata persona që kanë dokumente të tilla, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të marrin një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Kjo është një lloj mase reciproke, pasi të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.

Kosova nga një gushti do të kërkojë letërnjoftime të përkohshme për serbët

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button