Muaremi ka kërkuar shkarkimin e gjyqtarit që urdhëroi bastisjen, mohon të jetë ngritur kallëzim penal kundër tij

Drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor që të shkarkojë gjyqtarin e procedurës paraprake, Sedat Rexhepagiq, i cili ka dhënë urdhër për bastisjen e Policisë financiare, me kërkesë të prokurores për krim të organizuar dhe korrupsioni, Vilma Ruskovska, raporton Sdk, transmeton Portalb.mk.

Ai paraprakisht ka paraqitur ankesë për bastisje të kundërligjshme, sipas tij, te prokurori i shtetit Lubomir Joveski, i cili tha se për disa ditë do të sqarohet për pretendimet në ankesë.

“Po, është e vërtetë, kërkesa për shqyrtimin e përgjegjësisë së gjyqtarit është regjistruar në arkivin e Këshillit Gjyqësor. Në një nga seancat e ardhshme të Këshillit, me short do të formohet një komision prej tre anëtarësh. Ai komision do të përgatisë raport – nëse procedura për gjyqtarin do të vazhdojë apo do të ndalet. Duke qenë se rastet e tilla janë konfidenciale, Këshilli Gjyqësor për momentin nuk mund të prezantojë më shumë detaje”, thuhet në përgjigjen e Këshillit për Sdk, duke sqaruar se procedura ka qenë e fshehtë dhe se deri në hyrjen në fuqi, emrat e gjyqtarëve nuk do të bëhen të ditur.

Ndërkohë dje u raportua se drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare Arafat Muaremi ka marrë kallëzim penal nga një biznesmen nga Dibra.

Keqpërdorimi i pozitës dhe kompetencave zyrtare, dhuna dhe maltretimi në kryerjen e shërbimit janë tre aktet për të cilat drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi, ka marrë kallëzim penal nga biznesmeni.

Netpress, kishte shpërndarë faqen e parë të kallëzimit të ngritur kundër Muaremit. Nga ajo mund shihet se ka vulë arkivore nga prokuroria e drejtuar nga Ruskovska.

Nga ana tjetër Policia financiare ka reaguar duke thënë se lajmet për kallëzim penal janë të pavërteta dhe se bëhet fjalë për sulm ndaj tij dhe institucionit që drejton ai.

“Qëllimi i këtyre sulmeve është më se i qartë. Megjithatë, në interes të zbardhjes së të vërtetës, do të përmbahem nga komentet e mëtejshme për sulme dhe skenarë të tillë të paramenduar dhe do t’i lë institucionet kompetente të veprojnë sipas kompetencave të tyre. Po ashtu, duam të theksojmë se raportimet në media të caktuara se Prokuroria Themelore Publike Shkup ka paraqitur kallëzim penal kundër drejtorit të Administratës janë të rreme dhe të pavërteta”, thuhet në kumtesën e Policisë financiare.

Ky kallëzim penal publikohet në të njëjtën kohë kur drejtori Muaremi ka bërë kallëzim për kontroll të paligjshëm pas hyrjes së prokurorisë së Vilma Ruskovskës në Policinë Financiare.

Sipas Drejtorisë së Policisë Financiare, me veprimet e përmendura kanë shkaktuar dëme të mëdha në reputacionin e institucionit, të gjithë punonjësve të tij dhe drejtorit, si dhe “ulin besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe prishjen e themeleve të një shteti juridik”.

Në ndërkohë, Ruskovska u ankua për presion për kryerjen në mënyrë të pavarur të prokurorisë nga Muaremi, i emëruar nga Qeveria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button