Rast i ri i murtajës afrikane në Makedonska Kamenicë

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) njofton rujatësit e derrave se ka marrë konfirmimin nga Instituti veterinar pranë Fakultetit të Mjekësisë Veterinare në Shkup për paraqitjen e rastit të ri të murtajës afrikane të derrave në një fermë në fshatin Mosticë, komuna e Makedonska Kamenicës, transmeton Portalb.mk.

“Pas paraqitjes së raportit për dyshim të sëmundjes në stallë, është bërë kontroll zyrtar nga shërbimet inspektuese të AUV-së dhe pas testimit laboratorik të mostrave të marra nga dy derrat e ngordhur nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, është konfirmuar edhe prania e sëmundjes”, thotë Nikolçe Babovski, drejtor i AUV-së.

Babovski shton se në fermë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për shkatërrimin e virusit dhe është duke u zhvilluar hetim epidemiologjik për përcaktimin e shkaktarit.

“AUV-ja nxori vendim të ri me të cilin urdhëron marrjen e masave kontrolluese dhe mbrojtëse për zhdukjen dhe kontrollin e sëmundjes në zonën me rrezikshmëri të lartë (të gjitha komunat në vijën kufitare me Republikën e Bullgarisë dhe Republikën e Serbisë), në zonën e infektuar (që mbulon vend-gjuetinë në rreze prej 20 kilometrash nga pika e nxehtë kryesore) dhe të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thotë Babovski.

AUV për rastin njoftoi zyrtarisht Organizatën Botërore për Mbrojtjen e Shëndetit të Kafshëve – OIE dhe Komisionin Evropian.

Murtaja afrikane e derrave nuk shërohet. Është sëmundje virale te derrat shtëpiak dhe të egër në të gjitha kategoritë e moshave që shkakton humbje të mëdha ekonomike. Virusi derdhet përmes gjakut, indeve, sekrecioneve dhe jashtëqitjeve të kafshëve të sëmura ose të ngordhura. Sëmundja transmetohet dhe përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë midis një kafshe të shëndetshme dhe të sëmurë, kufomave të kafshëve të ngordhura dhe njerëzve, dhe transmetohet në mënyrë indirekte përmes ushqimeve të kontaminuara dhe mbetjeve ushqimore, pajisjeve, automjeteve dhe veshjeve.

Masat për kontrollin dhe zhdukjen e sëmundjes janë ndalimi dhe kontrolli i lëvizjes së kafshëve, vrasja dhe shkatërrimi i padëmshëm i kafshëve të infektuara, si dhe pastrimi dhe dezinfektimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button