Një libër që i shërben kujtesës

Veshalla është fshat në Malësinë e Sharrit, me një pamje mahnitëse dhe me banorë të fisëm e mikpritës. Deri aty shkohet me veturë nëpërmjet një rruge të mirë e të asfaltuar. Në të kaluarën udhëtimi ka qenë i vështirë, veçanërisht gjatë dimrit. Vështirësitë jetësore ndikuan në shpërnguljen e banorëve të Veshallës. Shumë banorë jetojnë e punojnë në mërgim. Të tjerë janë zhvendosur në Tetovë dhe në fshatra të Pollogut. Në fshat ka disa shtëpi të banuara. Por, veshallasit, kudo qofshin, nuk e harrojnë vendlindjen e tyre të bukur, me ajër të pastër, me kullosa të shumta dhe lule shumëngjyrëshe.

Shoqata e mërgimtarëve “Veshalla” i ka mbledhur banorët në vendlindje nëpërmjet manifestimit “Votra jonë që na bashkon”. Veshallasit vallëzojnë nën ritmin e surleve e tupanëve, që në malësinë e Sharrit pëlqehen shumë. Janë valle malësorësh shtatlartë. Një racë e bukur, e fuqishme dhe e zgjuar. Malësori ka mençuri të lindur. Flet me fjali të kursyera. E folura e tij shpesh është sentenciale. Prej këtij fshati ka shumë të shkolluar dhe të suksesshëm në profesionet e tyre.

***

Këtë fshat të bukur, ku njeriu e ndjen njëfarë qetësie të çuditshme, e kam njohur para se ta vizitoja, sepse Veshalla përmendet në shumë dokumente dhe shkrime autorësh të huaj. Për këtë fshat kam përfituar njohuri edhe falë monografisë voluminoze Veshalla nëpër shekuj të studiuesit Prof. dr. Vebi Bexhetit, e cila u promovua në këtë manifestim.

Profesor Vebi Bexheti, me dije të thella nga fusha e albanologjisë, ka investuar mund shumëvjeçar për ta finalizuar monografinë tepër të vlefshme jo vetëm për banorët e Veshallës, por edhe për mbarë kulturën tonë. Aty kemi të dhëna historike, demografike, etnokulturore, etnologjike, folklorike dhe gjuhësore. Nëpërmjet monografisë përfitojmë njohuri për vlerat shpirtërore të Malësisë së Sharrit, që nëse nuk regjistrohen rrezikohen nga harresa e përgjithmonshme, veçanërisht në kohën e teknologjisë dhe videocentrizmit.

Profesor Vebi Bexheti, në këtë monografi, shkruan për etimologjinë e Veshallës dhe Sharrit; për toponimet dhe mikrotoponimet; për organizimin e jetës brenda dhe jashtë familjes; për profesionet më të shpeshta; për ritet e ciklit jetësor: të lindjes, fejesës, martesës, vdekjes; për festat, disa të periudhës pagane, si Shëngjergji dhe Dita e Verës; për ushqimet e të ushqyerit; për arkitekturën dhe veshjet tradicionale; për sakrificat e banorëve; për rrugët strategjike, pozitën gjeografike dhe veçoritë klimatike; për botën bimore e shtazore; për gjenealogjinë e familjeve të Veshallës; për lëvizjet demografike; për religjionin, arsimin dhe sportin në këtë fshat. E ka përfshirë një fjalorth me fjalë shqipe nga e folmja e këtij rajoni. Janë fjalë që e pasurojnë fondin leksikor të gjuhës shqipe. Kemi edhe fjalë të urta e frazeologjizma. Më lanë mbresë pasthirrmat. Janë të ndryshme nga pasthirrmat e vendeve fushore ose urbane. Jeta dhe ambienti, me ndërmjetësimin e shekujve, janë bashkautorë të tyre.

Monografia, pra, është gjithëpërfshirëse. Ajo përmban material burimor të mbledhur nga terreni dhe të dhëna nga burime tjera studimore. Është shkruar me gjuhë të qartë e të kapshme. Një studim i bërë me përkushtim nga autori për vendlindjen e tij, Veshallën, ku, sipas dokumenteve të shumta, vërtetohet se aty shqiptarët përherë kanë qenë popullatë ndjenjëtare…

***

Fshati Veshallë përmendet nga kronistë, udhëpërshkrues, studiues, shkrimtarë, gazetarë e alpinistë. Kemi vizatime dhe fotografi nga Veshalla, që janë botuar nëpër libra, gazeta e revista të huaja. Autorë të shumtë kanë shkruar për veçantitë e banorëve, për gjeografinë e fshatit, për traditat dhe kulturën popullore. Veshalla përmendet edhe për shkak të rrugës së lashtë që kalonte aty dhe e lidhte Tetovën me Prizrenin. Më pas karvanët vazhdonin udhëtimin drejt Shkodrës. Kështu mundësohej lidhja tregtare me qytetet bregdetare dhe europiane.

Kjo rrugë përmendet nga Tit Livi kur flet për delegacionin e Perseut, që udhëhiqej nga iliri Pleurat. Delegacioni udhëtoi drejt Shkodrës për tek mbreti ilir Genti. Polibi shkruan se ky udhëtim ishte shoqëruar me shumë vuajtje.

Kemi dokumente edhe nga periudha mesjetare. Nëpërmjet kësaj rruge erdhi nga Prizreni në Tetovë vetë peshkopi për t’ia bërë gjyqin shqiptarit Progon nga Tetova, i akuzuar për blerje të vendit Plesh, kurse kisha pretendonte se ishte pronë e saj. Kjo përmendet në regjistrin e pronave të manastirit të Tetovës, që daton nga viti 1342/43.

Në Krisobulën e manastirit Shën Kryengjëlli në Prizren, flitet për rrugën Prizren – Tetovë dhe përmendet fshati Vranikë, diku pranë Brodecit të sotëm. Veshalla përmendet edhe në defterin osman për Rashkën i vitit 1455. Banorët e Veshallës bënin edhe roje për sigurinë e rrugës së lartpërmendur.

Nga defteri i përgjithshëm osman, i viteve 1467/68 në këtë fshat regjistrohen banorët me etnonimet arbanasi dhe arnaut. Sipas emrave të regjistruar, të veçantë për shqiptarët, rezulton se në Malësinë e Sharrit dhe Pollogut kishte fshatra të banuar vetëm me shqiptarë ose me dominancë shqiptare. Në mesin e tyre edhe Veshalla.

Një delegacion nga Venediku, që shkonte në Stamboll, kaloi më 6 qershor të vitit 1559 nëpër luginën e rrethuar me male dhe nëpërmjet Sharrit (rrugës së njohur nga Prizreni në Tetovë) arriti në Cosavo (Tetovë), ku kishte shumë ujë që vinte nga mali Hishrini [Sharri].

Politikani dhe diplomati francez, Feliks De Bozhur, që udhëtoi nëpër Ballkan ndërmjet viteve 1794 dhe 1799, shkruan: “Kalkandere një qytet i vogël ngjitur me Vejshall, rrugës për në Prizren”.

Kjo rrugë përmendet edhe nga Pukëvilli. Ai kaloi aty në vitin 1805. Ndërkaq, Ami Boue, në librin Turqia Europiane, jep të dhëna për Veshallën, shkruan për pozitën gjeografike, për lëvizjet tregtare, përmend një han të njohur që gjendej aty. Fshati përmendet në vitin 1839 edhe nga Grisenbach-u.

Këtë rrugë në vitin 1844 thuhet se e zgjeroi seraskeri Rashid Pasha për qëllime ushtarake, kurse në vitin 1870 Omer Rexhep Pasha i mbarti armët e rënda që duhej të përdoreshin kundër Malit të Zi dhe Bosnjës.

Teodor Stankoviqi, i cili udhëtoi nëpër këtë rrugë në vitin 1873, ankohej se ishte e pakalueshme gjatë dimrit. “Ka pasur shumë raste kur njerëzit e kanë paguar me jetë”, shkruan ai.

Në vitin 1890 udhëtoi nëpër Sharr edhe Dorfleri që mblodhi dhe studioi shumë bimë.

Jovan Veselinoviqi, në studimin për Sharrin, të botuar po në vitin 1890, shkruan: “Për tetë orë ose më shumë, shkohet nga Tetova në Prizren apo anasjelltas. Qoftë më këmbë ose me kalë… Rruga sa fillon nga Prizreni merr tatëpjetën nëpër kodër (Sharr), pranë fshatrave Struzha, Karatash (Guri i Zi), ku ka edhe një kullë. Prej aty udhëtohet vështirë deri në Shilovrh. Pastaj fillon një teposhtës te Varri i Spahiut, fshati Veshallë e deri në Tetovë”.

Në vitin 1903, nëpër rrugën e Sharrit, disa herë udhëtoi Franc Nopsca. Ai bëri një vizatim të Veshallës dhe disa fotografi.

Në vitin 1904 diplomati rus Jastrebovi, shkruante se rruga që kalonte nëpër Veshallë ishte e kalueshme gjatë verës, por e pakalueshme në disa muaj të dimrit.

Këto vise përshkruhen edhe nga autori kroat Dr. Ivan Krajaç në shkrimin “Mali Sharr”, i botuar në vitin 1927. Për shkak të shiut të rrëmbyeshëm ai e kaloi një natë në Veshallë. Aty arriti të merrte më shumë informacione për mënyrën e jetesës së njerëzve, mjetet e punës, ushqimet dhe kulturën shpirtërore të barinjve të Sharrit. I veçoi këngët melankolike të barinjve që këndoheshin me kavall. Shkruan për këngën mbi Xhemë Sadrinë dhe për vallet shqiptare që luheshin në malësinë e Sharrit.

Në vitin 1939 autori slloven Dr. Jozhe Pretnar botoi një reportazh të zgjeruar për Sharrin. Ai e përmend edhe Veshallën. Shkrimi ilustrohet me dy fotografi nga ky fshat. Janë të autorëve: Zergollen Brunos dhe Dr. Stanko Dominshek.

Studiuesi kroat, Mirko Markoviqi udhëtoi disa herë nëpër Sharr ndërmjet viteve 1948 dhe 1956. Në studimin “Mali Sharr”, të botuar në vitin 1963, shkruan: “Nga kohërat e hershme njerëzit udhëtonin me kuaj nëpër Kobilicë. Rruga drejt Prizrenit kalonte nëpër Brodec dhe Veshallë”.

Këto vise përmenden edhe nga autorët: Jireçeku, Doflajni, Uikeneli dhe shumë autorë të tjerë.

Nëpër rrugën e sipërpërmendur lëviznin Karaben Nemsi, shqiptari Schneider Afrit nga “Weicz” [Vica] dhe “Aladschy” nga Tetova. Këtë përshkrim e gjejmë në një roman të shkrimtarit gjerman Karl May. Ky shkrimtar, që i ngatërron vendet, kombet, gjuhët dhe i paragjykon shqiptarët, këtë herë e thotë një të vërtetë: nëpër Sharr vërtet kalonte rruga që e lidhte Prizrenin dhe Tetovën.

Këto vise përmenden edhe nga shkrimtari çek Prokop Chocholoushek në tregimin “Ilia”, i shkruar në vitin 1843 dhe i botuar më 1846.

Të dy autorët i paragjykojnë shqiptarët. I ngatërrojnë vendbanimet. Asnjëri nuk i kishte vizituar këto vise. Ata shkruajnë pasi janë informuar nga libra autorësh tjerë europianë.

***

Me sa shihet Veshalla përmendet nga shumë autorë. Aq shumë përmendet sa mund të bëhet një libër vetëm me kësi shënimesh. Disa prej tyre i gjejmë në monografinë e profesorit Vebi Bexheti. Janë shënime të rëndësishme që flasin për banorët e fisëm, të guximshëm, të zgjuar, mikpritës të Veshallës dhe Malësisë së Sharrit. Si të tillë përshkruhen edhe në monografinë Veshalla nëpër shekuj, e cila do të jetë referencë për autorët që do të shkruajnë jo vetëm për Veshallën, por edhe për Sharrin, këtë mal madhështor për të cilin janë shkruar studime, udhëpërshkrime, janë krijuar krijime artistike, vepra pamore dhe muzikore.

Monografitë e këtilla nuk janë shteruese, por janë udhërrëfyese për ata që dëshirojnë të gjurmojnë pas të dhënave të reja për këtë vend me histori të lashtë dhe me pasuri e vlera shpirtërore.

Të dhënat e përmbledhura nga profesor Vebi Bexheti dhe të dhënat e shumta që mund të gjurmohen nëpër arkiva, duhet t’i bëjnë krenarë banorët e Veshallës për vendlindjen e tyre. Një vend jeton përjetësisht falë dashurisë së banorëve të saj për të, kurse pasuritë shpirtërore të një vendi mbijetojnë kur shkruhen. Latinët thanë: Scripta imanent. Në shqip do të thotë: E shkruara mbetet. Libri i profesor Vebi Bexhetit i shërben kujtesës. Çdo libër që i shërben kujtesës është i vlefshëm për një kulturë. (Referencat janë hequr)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button