Ministrja Petrovska prezantoi planin për Standarde më të Larta Ekologjike – Mbrojtja shndrohet në eko-mbrojtje, kursejmë mjete dhe mbrojmë mjedisin jetësor

Të udhëhequr nga programi mjedisor i Qeverisë, si dhe Agjenda e NATO-s 2030, e cila i bëri ndryshimet klimatike çështje kyçe e sigurisë, Ministria e Mbrojtjes hartoi një Plan për standarde më të larta mjedisore në mbrojtje dhe u pozicionua si lider midis institucioneve në mbrojtjen e mjedisit, njofton Portalb.mk.

Ministrja Sllavjanka Petrovska sot në kazermën “Ilinden” e prezantoi këtë plan i cili realizohet përmes katër shtyllave – shndërrimi i ngrohjes nga përdorimi i ndotësve në energji jo ndotëse, ndërtimi i termocentraleve fotovoltaike në kazerma, rritja e efikasitetit energjetik të objekteve të Armatës, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i ndikimit të aktiviteteve ushtarake në mjedis. Petrovska tha se eko-mbrojtja nuk është vetëm një plan në letër, por një nga prioritetet kryesore të politikës aleate të sigurisë që Ministria do ta zbatojë.

„Duke e kthyer ngrohjen nga energji ndotëse në energji jo ndotëse, sasia e dioksidit të karbonit nga kazermat e ushtrisë do të përgjysmohet. Kazerma “Ilinden” është e gazifikuar, kurse në kazermën “Strasho Pinxhur” në Petrovec dhe “Boro Menkov” në Kumanovë është përfunduar komplet instalimi i nevojshëm dhe së shpejti të dyja kazermat do të lidhen me gazsjellës. Kazerma “Goce Dellçev” në Shkup tashmë është e kyçur në rrjetin shpërndarës të Shkupit dhe aktualisht po punohet për kyçjen e objektit të fundit në këtë kazermë. “Konvertimi i energjisë është planifikuar edhe për kazermat tjera në mbarë vendin”, tha ministrja Petrovska.

Lidhur me ndërtimin e termocentraleve fotovoltaike deri në vitin 2024, ministrja tha se kursimet e mjeteve të destinuara për energji elektrike pas instalimit të termocentraleve fotovoltaike vlerësohen në mbi një milion euro në vit. Në këtë mënyrë Armata do të mbulojë nevojat e saj për energji elektrike ekskluzivisht nga ky prodhim vetanak.

Ministrja informoi se rritja e efikasitetit energjetik i cili kursen energji elektrike dhe ngrohje për objektet e ushtrisë tashmë është në fazën e realizimit – 5 objekte të mëdha janë rinovuar plotësisht, 7 objekte të mëdha janë në fazën e rindërtimit të plotë dhe për vitin 2023 është planifikuar rikonstruksioni i të paktën 5 objekteve, nëpër të gjitha kazermat dhe për të gjitha njësitë e Armatës.

Matja e ndikimit të aktiviteteve ushtarake në mjedis është gjithashtu një praktikë. Laboratori Universitar AMBICON në Universitetin e Shtipit, ka monitoruar dy stërvitje të mëdha të njëpasnjëshme në vitin 2019 dhe 2021, dhe rezultatet kanë treguar se aktivitetet e ushtrisë nuk kanë ndikim të dëmshëm në mjedisin natyror. Matja kryhet edhe gjatë stërvitjes “Sëift Response 22” dhe rezultatet i presim pas përfundimit të stërvitjes.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini porositi se ajo që aktualisht po bëhet dhe ka rëndësi të veçantë është hartëzimi i të gjitha institucioneve publike në nivel shtetëror dhe lokal, mënyra e ngrohjes së tyre, gjendja e efikasitetit energjetik të objekteve dhe mundësitë dhe planet për ndërhyrje, si dhe të dhënat e mbledhura publikohen në faqen e internetit të kësaj Ministrie përmes regjistrit digjital të sapokrijuar.

„Mendoj se shembulli i i jashtëzakonshëm i dhënë nga Ministria e Mbrojtjes përmes Eko-mbrojtjes është një shembull praktik i shkëlqyer që duhet bërë nga të gjitha ministritë e tjera, institucionet shtetërore dhe veçanërisht pushteti vendor, sepse vetëm me një pasqyrë të saktë të situatës mund të projektohen në mënyrë duhur masat dhe burimet e parashikuara.të nevojshme për realizimin e tyre”, tha Nuredini.

Në konferencën për media, profesori Dragan Minovski nga Universiteti i Shtipit “Goce Dellçev”, përgatitës i Analizës mbi të cilën është përgatitur plani i Ministrisë, theksoi se është i nderuar që është pjesë e këtij projekti të rëndësishëm për Armatën dhe shtetin, një projekt që do të kontribuojë në një efikasitet më të madh të energjisë, kursim energjie dhe përfitime mjedisore për ushtrinë dhe shtetin.

„Sipas analizës, mundësia për instalimin e termocentraleve fotovoltaike është në nivelin prej 10.3 megavat kapacitet të instaluar, që është në nivelin e termocentralit të ri fotovoltaik të sapolansuar nga SHA ESM në termocentralin Oslomej në Kërçovë. Ky kapacitet i instaluar do të kontribuonte në një prodhim vjetor të energjisë elektrike në nivelin 12,000 megavat orë, dhe investimi total vlerësohet në rreth 6 milionë euro dhe një kthim shumë i shpejtë brenda pesë vjet e gjysmë deri në gjashtë vjet me çmimet aktuale dhe kushtet e tregut në sferën e energjisë elektrike”, sqaroi profesor Minovski.

Plani për standarde më të larta mjedisore në mbrojtje do të realizohet plotësisht deri në vitin 2024.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button