Vazhdojnë protestat kundër vendimit të paralajmëruar të përfaqësuesit special në Sarajevë

Në Sarajevë sot kanë vazhduar protestat e qytetarëve kundër vendimit eventual të paralajmëruar të përfaqësuesit të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe Kushtetutën e Federatës së BeH-së, raporton Anadolu Agency.

Sipas informacioneve jozyrtare që gjatë ditëve të fundit janë paraqitur në media, këto ndryshime kanë të bëjnë me rishpërndarjen e mandateve nga asambletë kantonale në Dhomën Federale të Popullit. OHR ende nuk është prononcuar për opinionin.

Disa mijëra qytetarë u mblodhën të hënën në mbrëmje para Zyrës së përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë (OHR) ndërsa protestat vazhduan të martën në mëngjes.

Protestën e mbështetën disa parti politike në BeH.

Azra Zorniç, e cila ka paraqitur ankesë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, në deklaratën për AA përcolli edhe mesazh deri tek qytetarët.

“Porosia ime për qytetarët është të mos i ndalim protestat derisa Schmidt të prononcohet dhe të thotë: ‘Nuk do të imponoj asgjë'”, tha Zorniç. Ajo ka përcjellë edhe porosinë e luftëtarëve se duhet të kundërshtojnë ndasitë.

“Të kthehemi te institucionet, shteti, të kthehemi te rrjedhat ligjore. Gjithçka që merret vesh dhe negociohet jashtë institucioneve është e paligjshme dhe qytetarët nuk mund dhe nuk do të qëndrojnë pas. Ne do të luftojmë. Këto nuk janë protesta kundër Schimdt si i tillë, ai u përgjigjet anëtarëve të Këshillit të Zbatimit të Paqes (PIC). Pa mbështetjen e anëtarëve të PIC, ai nuk mund të publikojë asnjë shkresë”, tha Zorniç, duke shtuar:

“Protestat tona janë të drejtuara ndaj SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe pjesës së Bashkimit Evropian (BE), krahut djathtist, lobistët e të cilit qëndrojnë pas kësaj përpjekjeje për të ndryshuar vetëm kushtetutën e një entiteti dhe ligjin zgjedhor, të gjitha në favor të Bashkësisë Demokratike Kroate (HDZ). Madje, as HDZ-së BeH se sa përpjekje e Plenkoviqit për të kryer agresion ndaj BeH-së me të gjitha mjetet politike”.

Zorniç shtoi se këto protesta janë për tërësinë e Bosnjë e Hercegovinës. Në protesta u shfaq edhe pankarta “Vendimi i Zorniçit është zgjidhje universale për BeH-në”.

“Vetëm implementoni verdiktin tim. Neni 43 është i qartë për çdo laik. Vetëm kushtetuta civile, Bosnjë e Hercegovina qytetare, gjithçka tjetër nuk do të kalojë. No passaran”, tha Zorniç.

Në mesin e qytetarëve të mbledhur është edhe Selver Jahiq, i cili edhe dje ishte në protesta.

“Mbrëmë kam qenë më i kënaqur me protestat se sa që jam sot, meqë ka pasur më shumë njerëz. Nuk e di çfarë është kjo sot. Kjo do të thotë se boshnjakët dhe hercegovasit janë të kënaqur me atë që kanë, nuk dëshirojnë të thonë se janë të pakënaqur”, tha ai.

I pyetur për mendimin e tij lidhur me vendimin dhe ndryshimet eventuale të Schmidt-it, Jahiq tha se shpreson që të mos arrihet deri te kjo.

“Sa i përket politikës së jashtme, boshnjakët duhet të kuptojnë se të huajt nuk na kanë ndihmuar në vitet 1990, 1992 dhe 1995 dhe nuk do të na ndihmojnë as sot. Nuk kemi nevojë për ta. Ne duhet të arrijmë vetë në një marrëveshje”, tha Jahiq.

Të tubuarit brohorisnin me sloganet “Të dua Bosnjë”, “Jo ndarje”, ndërsa kalimtarë të shumtë dhanë mbështetjen e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button