Varheji me kritika për VMRO-DPMNE: Vlerëson se opozita ka tejkaluar shumë vija të kuqe

Djegia e dokumenteve në sallën plenare, shtyrja e njerëzve në dhunë dhe nxitja e urrejtjes nuk sjell asgjë, por vetëm dëm, ka porositur komisioneri evropian, i cili mesazhe kritike për opozitën në Maqedoni dërgoi edhe nga një konferencë për shtyp javën e kaluar në Bruksel, raporton 360 shkallë, përcjell Portalb.mk.

Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oliver Varheji, në një intervistë ekskluzive për Euroactiv duke folur për hapjen e negociatave me BE-në në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, e kritikoi opozitën maqedonase, duke thënë se në veprimet kundër propozimit francez janë kapërcyer linjat e kuqe themelore demokratike.

Në tekst, Euroactive thekson se pas zgjidhjes së kontestit shumëvjeçar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Shqipëria filloi negociatat, ndërsa për Shkupin theksohet se pjesë e procesit do të jetë edhe përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë në mesin e kombeve të tjera, gjë që kërkon një konsensus në Parlament, i cili aktualisht është larg. Kjo, kujton media, e nxiti opozitën nacionaliste që me ditë të tëra të organizojë protesta në Shkup, për të cilat Varheji konsideron se janë kaluar vijat e kuqe. Si shembull, ai përmend faktin se fletët me propozimin francez u dogjën në foltoren e parlamentit nga deputetë të opozitës.

“Për Maqedoninë e Veriut, ky duhet të jetë një moment për kthjellje edhe për opozitën. Djegia e dokumenteve në sallën plenare, shtyrja e njerëzve në dhunë dhe nxitja e urrejtjes nuk sjell asgjë, vetëm dëm. Ka kufij shumë të qartë për mënyrën evropiane e të bërit politikë, kufij shumë të qartë për politikën e qytetëruar dhe vlerësimi im është se shumë nga ato vija të kuqe u tejkaluan nga opozita”, thotë Varheyi.

Kjo nuk është hera e parë që komisioneri evropian që vjen nga Hungaria dhe partia amë e të cilit është Fidesz, e kryeministrit hungarez Viktor Orbán, i cili ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me VMRO-DPMNE-në, e kritikon opozitën maqedonase.

Komisioneri evropian hungarez dërgoi mesazhe kritike në konferencën për shtyp në Bruksel më 19 korrik pas konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në, duke thënë se shpreson që opozita tash e tutje të punojë për të ardhmen evropiane dhe se nuk do të fillojë me veprime kundërthënëse. Në atë rast Varheji tha se në debatin për propozimin francez ka vërejtur se vlerat evropiane ishin tejkaluar dhe e porositi VMRO-DPMNE-në: “I lexova deklaratat e opozitës dhe ata gjithmonë pretendojnë se janë të përkushtuar që ky anëtarësim të ndodhë, kështu që le ta vërtetojmë këtë”.

“Kush do të tregojë rezultate i pari duhet të jetë i pari që do të anëtarësohet në BE”

Në intervistën Euroactive, Komisioneri Evropian flet edhe për procesin e mëtejshëm të negociatave dhe vëren se Shqipëria ka treguar solidaritet të vërtetë me Maqedoninë e Veriut, si dhe pjekuri duke kuptuar se vendet anëtare të BE-së duan të shohin Shkupin dhe Tiranën të ecin përpara. Por tani, siç raportohet, Shqipëria mund të vazhdojë e vetme.

Kush do të tregojë rezultate i pari, thotë Varheyi, duhet të jetë i pari që do të anëtarësohet në BE.

“I gjithë procesi i zgjerimit bazohet në merita dhe tani gara vazhdon, kushdo që do të tregojë rezultate i pari duhet të ketë të drejtën të bashkohet i pari”, mendon komisioneri evropian.

Në intervistë, ai tha se nëse vendet kandidate tregojnë shpejt rezultate, BE-ja është e gatshme të lëvizë shpejt, duke theksuar se Komisioni Evropian (KE) ka nisur menjëherë procesin e shqyrtimit.

“Tani ne duhet të punojmë shumë, shumë fort në mënyrë që vendet kandidate të mund të përshpejtojnë përgatitjet e tyre dhe integrimin e tyre real”, thotë Varheji.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e kthjelli debatin për zgjerimin e BE-së”

Në bisedë me Euroactive, Komisioneri Evropian vlerësoi gjithashtu se lufta e Rusisë kundër Ukrainës e kthjelli debatin për procesin e zgjerimit të BE-së dhe e tregoi nevojën për përshpejtimin e procedurave.

Krahas hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në lidhje me çështjen e zgjerimit, KE më parë i dha statusin kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, kurse sipas Varhejit, ndryshime të tilla mund të jenë e vetmja gjë e mirë nga lufta.

“Ndoshta ky është ndikimi i vetëm pozitiv i luftës ruse në Ukrainë, sepse e kthjelli diskutimin rreth zgjerimit si dhe kapacitetin absorbues të BE-së. Ne evropianët tani jo vetëm e kuptojmë, por jemi gati ta përmbushim atë. Evropa nuk do të gëzojë siguri, stabilitet dhe prosperitet pa u integruar plotësisht Ballkani Perëndimor”, thotë Varheji.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button