Kriza e uli importin e automjeteve këtë vit në Maqedoninë e Veriut, ende nuk ka ndalesë për importin e makinave me motorë EURO 4

Kriza energjetike, me rritjen e ndjeshme të çmimit të derivateve të naftës, këtë vit solli ulje të importit të automjeteve nga jashtë për shkak të uljes së interesit të qytetarëve për të blerë automjete. Në Maqedoni në gjashtëmujorin e parë të vitit janë importuar 10.666 vetura, kamionë dhe autobusë të përdorur, ndërsa 3.272 prej tyre janë importuar si të reja, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Të dhënat e Drejtorisë së Doganave të RMV-së flasin për rënie të dukshme të importit të automjeteve të përdorura dhe të reja nga jashtë. Për krahasim, gjatë gjithë vitit 2021 në vend janë importuar 37.832 vetura të përdorura, si dhe 6.880 vetura, autobusë dhe kamionë të rinj.

Rënia e interesit për blerjen e automjeteve ndodh në periudhën kur çmimet e benzinës dhe të naftës në pikat e karburanteve janë shkuar mbi 100 denarë për litër, ndërsa këto janë çmime rekord për derivatet e naftës që nuk janë vërejtur në vitet e kaluara, dhe janë shfaqur, si pasojë e rritjes drastike të çmimit të naftës në tregjet botërore, kryesisht për shkak të luftës në Ukrainë.

Qeveria nuk ka marrë vendim për ndalimin e importit të automjeteve me motorë EURO 4

Në janar të vitit 2021, Ministria e Ekonomisë fillimisht premtoi se gjatë vitit të kaluar do të ndalohej importi i automjeteve më të vjetra se 10 vjet, kurse më pas njoftoi se kjo masë shtyhet për vitin 2022. Pavarësisht se kanë kaluar shtatë muaj të këtij viti, Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë ende nuk e kanë bërë të ditur se kur do të merret vendimi për ndalimin e importit të automjeteve me emetim të gazeve nën standardin EURO 5.

Sa i përket kësaj teme, Qeveria e RMV-së nuk e ka bërë të ditur për Meta.mk se kur mund të merret vendimi për shtrëngimin e kritereve për importimin e automjeteve të përdorura nga jashtë.

“Nëse diskutohet dhe merret vendimi për shtrëngimin e kritereve për importin e automjeteve të përdorura (nga minimumi EURO 4 në minimum EURO 5), Ministria e Ekonomisë mund të ndryshojë dhe plotësojë rregulloret dhe t’i publikojë ato (të hyjnë në fuqi) brenda dy deri në tre muaj dhe publiku do të informohet me kohë për këtë”, kanë thënë për Meta.mk nga Qeveria e RMV.

Ata sqarojnë se pasi Qeveria të merr vendimin, Ministria e Ekonomisë do të duhet ta zbatojë atë duke i ndryshuar rregulloret.

“Janë miratuar të gjitha rregulloret (aktet nënligjore) që parashhen në përputhje me Ligjin për automjete, e me këtë edhe rregulloret që e rregullojnë importin e automjeteve”, thonë nga Ministria e Ekonomisë duke shtuar se Vendimi për ndalimin e importit të automjeteve nën standardin EURO 5 do ta zbatojnë pasi Qeveria do ta miratonte atë në seancë.

Sipas të dhënave të fundit nga Drejtoria e Doganave të RMV-së, nga viti 2009 e deri më sot, në vend janë importuar 417.554 vetura, autobusë dhe kamionë të përdorur, të cilët lëvizin çdo ditë nëpër rrugë. Pjesa më e madhe e tyre janë mbi 10 vjeç, gjë që rezulton në rritje të vazhdueshme të moshës së flotës së automjeteve në vend, e cila arriti në vjetërsi rekord 19,4 vjet.

Importimi i automjeteve të vjetra nga jashtë, sjell rritje të nivelit të ndotjes së ajrit në qytetet e Maqedonisë, e cila ndihet qartë gjatë muajve të dimrit, në kombinim me ngrohjen jo-ekologjike të shtëpive, djegien e mbeturinave të hapura dhe ndotjen nga objektet industriale. Në të njëjtën kohë, në raportet zyrtare të vendit për ndryshimet klimatike tashmë është vërtetuar se emetimet e gazeve serrë nga transporti janë në rritje.

Në “Raportin e Tretë Dyvjeçar për Ndryshimet Klimatike” thuhet se në sektorin – Energjetika, transporti në mënyrë drastike e ka rritur pjesëmarrjen në përqindjen e prodhimit të gazeve të dëmshëm, të matur në formë të ekuivalentëve të dyoksidit të karbonit në periudhën 1990-2016. Në periudhën para shpërbërjes së Jugosllavisë, transporti në vitin 1990 kishte pjesëmarrje prej 8,2 për qind, ndërsa në vitin 2016 përqindja e pjesëmarrjes s tij u rrit në 28,1 për qind.

Njëkohësisht, nga viti 2016 e deri më sot, nga jashtë në Maqedoni janë importuar edhe 200.000 automjete të përdorura të tjera, që pashmangshëm do të rezultojë në rritje të konsiderueshme të emetimeve të gazeve serrë nga transporti rrugor, që në sektorin e Energjetikës po i afrohet ndotjes së rrezikshme nga termocentralet e qymyrit në vend.

Presioni për të importuar automjete të vjetra nga jashtë do të rritet

Nëse nuk shtrëngohen rregullat për importin e automjeteve të përdorura nga jashtë, në Maqedoni do të vazhdojë fluksi i veturave, autobusëve dhe kamionëve që lëshojnë sasi të mëdha të lëndëve të dëmshme në ajër.

Muajin e kaluar Meta.mk ishte në Portugali, një nga vendet anëtare të BE-së ku ka interesim shumë të madh për blerjen e automjeteve elektrike dhe hibride nga qytetarët. Sipas sondazhit të Bankës Evropiane të Investimeve, deri në 84 përqind e banorëve të anketuar portugez të cilët planifikojnë të blejnë automjet, kanë thënë se për blerjen e tyre të radhës do të zgjidhnin ose një makinë hibride ose elektrike.

Shitjet e automjeteve elektrike në Portugali u rritën me 55,3 për qind në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë, ndërsa pjesa e përgjithshme e automjeteve elektrike në shitjet e përgjithshme në vitin 2020 arriti në 13.6 për qind. Interesi për makinat elektrike është rritur në mënyrë dramatike muajt e fundit, për shkak të rritjes së madhe të çmimit të derivateve të naftës.

Çmimi i naftës dhe benzinës është rreth 2 euro për litër, prandaj një pjesë e madhe e qytetarëve duan të heqin qafe automjetet e tyre të amortizuara që qarkullojnë me derivate të naftës. Kundrejt kësaj, automjetet elektrike mund të mbushen me karikues për 2 euro për sasinë e energjisë elektrike që do të mundësonte transport prej 100 kilometra.

Shoferët me të cilët biseduam në Lisbonë, thanë se produktet e naftës janë disa herë më të shtrenjta, duke vënë në një pozitë jashtëzakonisht jo të volitshme drejtuesit e Uber-it, taksistët dhe qytetarët e tjerë për të cilët nafta dhe benzina janë mjetet kryesore të punës.

Aplikacionet si Uber, nëpër rrugët e Lisbonës ofrojnë çmime drastike të ndryshme për transportin me makinë, varësisht nga fakti nëse është automjet elektrik apo jo. Ato që ngasin makina elektrike ofrojnë udhëtime më të lira nëpër qytet sesa edhe transporti publik i Lisbonës. Përveç kësaj, autoritetet shtetërore dhe komunale portugeze ofrojnë një sërë masash për të mbështetur blerjen e automjeteve elektrike: subvencione 3000 euro për individët dhe 2250 euro për kompanitë, zbritje TVSH për kompanitë, lirim nga taksa e automjeteve, parkim falas në qytete dhe masa të ngjashme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button