Komuna e Aerodromit filloi pastrimin e deponive ilegale, përfshirë edhe atë të madhen në Lisiçe të Poshtme

Komuna e Aerodromit, së bashku me shërbimet e NP “Higjiena komunale”, këtë javë ka filluar pastrimin e deponive të egra në territorin e kësaj komune të Shkupit, njoftojnë autoritetet komunale. Aksioni për pastrimin e pjesëve të Komunës së Aerodromit po zhvillohet në lokacionet ku është vërejtur koncentrim më i lartë i mbeturinave në periudhën e kaluar, transmeton Portalb.mk.

Aksioni filloi në lokacionet në Lisiçe të poshtme, Lisiçe të epërme, lagjen Lisiçe, Novo Lisiçe dhe në qendrën Reonski, ndërsa do të zgjasë gjatë gjithë javës dhe do të përfshijë të gjitha pjesët e komunës. Përveç vend-grumbullimeve të egra, është planifikuar të pastrohen edhe të gjitha deponitë më të vogla që krijohen brenda dhe përreth kontejnerëve në komunë.

“Në të njëjtën kohë po punohet intensivisht për pastrimin e një prej deponive më të mëdha ilegale në Komunën e Aerodromit, që ndodhet afër urës në Lisiçe të poshtme, e cila kufizohet me Jurumlerin. Për këtë aksion të madh janë angazhuar një numër i madh i punëtorëve sezonalë dhe përdoren makineri të rënda”, thuhet në njoftimin e Komunës së Aerodromit.

Aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, gjatë të cilit do të pastrohen plotësisht të gjitha deponitë e mëdha në territorin e Aerodromit.

Nga Komuna e Aerodromit u bënë thirrje qytetarëve që mbetjet ndërtimore, mbeturinat e mëdha dhe mbeturinat e tjera t’i lënë në vende të caktuara dhe të shmangin hedhjen e mbeturinave nëpër lëndina dhe hapësira të tjera publike që janë për qëllime të tjera.

Meta.mk para një muaji ka bërë një reportazh në disa lokacione nëpër Shkup, ku me vite janë hedhur mbeturina ilegalisht dhe ndotet mjedisi jetësor. Një nga këto lokacione ka qenë pikërisht lumi Vardar në rrugën nga vendbanimi Lisiçe për në Lisiçe të epërme dhe të poshtme, ku vazhdimisht me kamionë dhe furgona sillen grumbuj të rinj mbeturinash.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button