Në komisionin parlamentar kaloi ratifikimi i Protokolleve për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO

Në Komisionin Parlamentar për politikë të jashtme sot u miratuan njëzëri projektligjet për ratifikimin e Protokolleve të Traktatit të atlantikut të veriut të Mbretërisë së Suedisë dhe Republikës së Finlandës, transmeton Portalb.mk.

Mbështetje për anëtarësimin e dy vendeve skandinave në NATO dhanë edhe deputetët e qeverisë dhe opozitës, duke vlerësuar se bëhet fjalë për dy shtete mike që gjithmonë e kanë përkrahur Republikën e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e saj, si dhe për aspiratat e saj euroatlantike.

Sipas deputetëve të opozitës, anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO do të forcojë arkitekturën e sigurisë në pjesën skandinave të Evropës dhe do të jetë një vlerë e shtuar për Aleancën.

Të martën është caktuar seanca amë e komisionit parlamentar për politikë të jashtme, ndërsa seanca plenare në të cilën do të votohen protokollet për hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO është caktuar për të mërkurën e 27 korrikut në mesditë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, anëtarja e 30-të e NATO-s, më 17 korrik, në procedurë parlamentare, ka dorëzuar projektligje të veçanta për ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Mbretërisë së Suedisë dhe Republikës së Finlandës në Traktatin e Atlantikut të Veriut për të krijuar parakushte formale dhe ligjore që këto dy vende të hyjnë në paktin më të madh ushtarako-politik në botë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe anëtarët e Qeverisë, siç u njoftua atëherë, hapur e përkrahën iniciativën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO dhe tashmë në maj Qeveria në Shkup dha pëlqimin për pranimin e Finlandës dhe Suedisë

Protokollet lidhur me pranimin e Suedisë dhe Finlandës u nënshkruan më 5 korrik në Bruksel nga përfaqësues të autorizuar të vendeve anëtare të NATO-s.

“Republika e Maqedonisë së Veriut i dha mbështetje të plotë politikës së dyerve të hapura të NATO-s, duke mbështetur zgjerimin e saj të mëtejshëm, si dhe anëtarësimin e Mbretërisë së Suedisë dhe Republikës së Finlandës në Aleancën Veriatlantike, duke e vlerësuar si një hap dhe kontribut të rëndësishëm për forcimin e i sigurisë dhe stabilitetit në Evropë pas sulmit të pajustifikueshëm të Federatës Ruse ndaj Ukrainës”, theksoi Qeveria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button