Shkupi sot shënon 59 vjetorin e tërmetit katastrofik, ku humbën jetën 1.070 njerëz (VIDEO)

59 vjet më parë, në vitin 1963, Shkupi u godit nga një tërmet i fuqishëm, që la pas viktima, të lënduar, të pastrehë dhe mijëra banesa, shtëpi, objekte të rrënuara. Me rastin e kësaj dite në kryeqytet do të mbahen disa aktivitete dhe manifestime për të shënuar këtë ngjarje, transmeton Portalb.mk.

Shënimi tradicional i 59-vjetorit të tërmetit katastrofik të vitit 1963 filloi me vendosjen e luleve në orën 10:00 në Përmendoren e viktimave të tërmetit në varrezat e qytetit në Butel.

Në Qendrën Kulturore Rinore sonte, në ora 20:00, të pranishmëve do t’u drejtohet kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, e cila do të hapë ekspozitën “Për Shkupin me zemër nga e gjithë bota”.

Në ora 20:30 në kinemanë “Frosina” do të mbahet projeksioni i filmit “1963: Natën e mirë Shkup” në regji të Ilija Pavlovit, ndërsa në ora 21:00 do të mbahet Ngjarje e mbrëmjes për shënimin e këtij rasti.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, me rastin e këtij përvjetori tha se “kur përkujtojmë 59 vjet nga tërmeti katastrofik në Shkup, është një datë që është në kujtesën e qytetit të solidaritetit”.

“Në këtë ditë të vitit 1963, saktësisht në orën 05:17, zemra e Shkupit ndaloi për një kohë të shkurtër. Tërmeti katastrofik mori shumë jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale. Por me punën dhe sakrificën e qytetarëve të Shkupit dhe miqve nga e gjithë bota që me shtroi dorën, nga rrënojat lindi një Shkup i ri. Shkupi, i cili është bërë sinonim i solidaritetit, koloritit etnik dhe arkitektonik, i një shpirti të ri, bashkëkohor kozmopolit. Ky është kodi i vërtetë i qytetit”, thuhet në postimin e Kryeministrit Kovaçevski në Facebook.

Kryeministri Kovaçevski tha se 26 korriku është përkujtues se është detyra jonë që brezave të rinj t’ua përcjellim dashurinë, shpirtin dhe sakrificën me të cilën u ndërtua dhe u zhvillua qyteti, por edhe t’u lëmë atyre trashëgimi që të mos i harrojnë kurrë viktimat e tërmetit për të cilët sot shprehim respekt.

Tërmeti katastrofik në Shkup ndodhi më 26 korrik 1963 në orën 5:17 të mëngjesit me magnitudë gjashtë ballë të shkallës Rihter me epiqendër në sheshin “Maqedonia”. Nga tërmeti u shkatërruan 15.800 banesa, ndërsa u dëmtuan 28.000 të tjera. Për shkak të tërmetit, mbi 200.000 njerëz mbetën pa kulm mbi kokë, 1.070 njerëz humbën jetën nën rrënoja, dhe 3.000 u plagosën.

Nga tragjedia e Shkupit, e gjithë bota ishte e shqetësuar dhe e angazhuar. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar u bëri thirrje të gjitha organizatat kombëtare që të organizojnë ushqime për fëmijët në Shkup. Unioni ndërparlamentar u rekomandoi të gjitha parlamenteve dhe qeverive të ndihmojnë në rindërtimin e qytetit. Organizatat humanitare në shumë vende filluan të mbledhin ndihma për Shkupin. Kështu Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.

Menjëherë pas katastrofës, Kombet e Bashkuara (OKB) ndërmorën aktivitete për të ofruar ndihmë të planifikuar dhe afatgjatë për qytetin e shkatërruar. Në kohën kur ekipet e ekspertëve të OKB-së filluan të mbërrijnë në Shkup, në selinë e organizatës ndërkombëtare u tha se Shkupi do të jetë monument i solidaritetit njerëzor. Më 23 shtator 1963, 35 shtete kërkuan nga Asambleja e përgjithshme që në rendin e ditës të vendosë një pikë për marrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup. Pas katër ditësh, më 27 shtator, Asambleja e përgjithshme i dha përparësi aksionit ndërkombëtar për dhënien e ndihmës për Shkupin.

Më 14 tetor, pas një diskutimi dyorësh, Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një Rezolutë për t’i ofruar ndihmë qeverisë jugosllave në rindërtimin e Shkupit. Në debatin për dhënien e ndihmës për Shkupin, Asambleja e përgjithshme dëgjoi prezantimin e përfaqësuesve nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button