“Ballkani i Hapur” me grup të përbashkët pune për bashkëpunim në krizën energjetike dhe për projekte strategjike

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Serbisë dhe ministrja e minierave dhe energjetikës, Zorana Mihajloviq, dje në Tiranë tha se ministrat nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria pranuan iniciativën e Serbisë për krijimin e një grupi të përbashkët pune për bashkëpunim në krizën energjetike dhe për projekte strategjike, transmeton Portalb.mk.

Ajo tha se siguria energjetike e rajonit në kushte krize kërkon solidaritet, lidhje dhe punë të përbashkët në projekte strategjike.

“Të gjithë ne në rajon jemi nën presion të madh për të siguruar që gjithçka do të jetë e mjaftueshme për dimër, por është e rëndësishme, përveç zgjidhjes së problemeve aktuale të furnizimit, të diskutohen projektet strategjike dhe investimet e mundshme të përbashkëta që do të bëjnë të gjithë rajonin energjetikisht më të qëndrueshëm. Duhet të punojmë në të dyja rrugët njëkohësisht. Ne të gjithë kemi disa avantazhe krahasuese, disavantazhe të caktuara dhe nevojën për të siguruar stabilitet afatgjatë të energjisë. Propozimi ynë ishte krijimi i një grupi të përbashkët pune të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë që do të merret me zgjidhjen e problemeve këtë dimër, por edhe me bashkëpunimin e mundshëm në projekte të mëdha strategjike dhe më vjen mirë që ministrat e tjerë e pranuan këtë propozim”, tha Mihajloviq.

Mihajloviq pret që grupi punues të fillojë aktivitetet nga java e ardhshme dhe të paraqesë propozime për investime të përbashkëta para presidentëve dhe kryeministrave të tre vendeve, ndër të cilat si të mundshme përmendi elektranat diellore, elektranat e erës, balancimin e përbashkët, lidhjen e tregut, interkoneksionet e gazit apo depo nentokesore për gaz.

“Serbia ka miratuar ligje të reja në fushën e energjisë, shumicën e akteve nënligjore, është në përfundim të përgatitjes së dokumenteve strategjike dhe ka një plan të ri investimi. Është në proces ndërtimi të interkonjeksionit të gazit me Bullgarinë, i cili do të mundësojë diversifikimin e burimeve të furnizimit dhe planifikojmë të lidhemi me fqinjët e tjerë, para së gjithash me Maqedoninë e Veriut dhe Rumaninë”, tha Mihajloviq.

Në panelin, në të cilin morën pjesë ministrat resorë nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, diskutuan situatën aktuale në sektorin e energjisë në të tre vendet, si dhe mundësitë për të kontribuar në stabilitet më të madh energjetik në rajon përmes bashkëpunimit më të ngushtë dhe përfitimit të çdo vendi.

Në fillim të këtij muaji Kryeministri Dimitar Kovaçevski, mbajti takim online me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe njësoj, temat e diskutimit ishin intensifikimi i bashkëpunimit për tejkalimin e përbashkët të vështirësive në furnizimin me ushqim dhe energji, si dhe për të përballuar bashkërisht zjarret e mundshme në të tre vendet këtë verë.

Ndryshe, në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button