Ka filluar me punë shoqata për kapjen e qenve endacak në Tetovë

Ka filluar me punë shoqata “AMOS Shelter” në Tetovë. Pas mesnate deri në orët e hershme të mëngjesit ka realizuar aksionin e kapjes së qenve endacakë më agresiv, informojnë nga Komuna e Tetovës, shkruan Portalb.mk. Ky aksion do të vazhdojë ditëve në vijim.

“Duke filluar nga mbrëmë (00:00- 04:30), duke u bazuar në thirrjet telefonike nga vet qytetarët në numrin e përmendur nga shoqata AMOS, veterinarë nga Shkupi, përfaqësues komunal dhe nga shoqata AMOS kanë zhvilluar aksionin e kapjes së qenve endacakë më agresiv. Aksioni i kapjes së këtyre qenve është zhvilluar në disa lokacione ku turma e qenve ka qenë më e madhe (lagjia Teteks, varrezat e qytetit, qendra e qytetit dhe komuna e Tetovës). Kapja e këtyre qenve është bërë në mënyrë profesionale me pushkë anestezionale jo dëmtuese.” ka njoftuar kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.

Sipas njoftimit të tij, qentë kontrollohen se a janë të vaksinuar dhe se a kanë çipa regjistrues.

Ndryshe, udhëheqësia e re komunale në muajin shkurt shpalosi planin për menaxhimin me to, dhe pesë muaj më pas plani ka nisur të zbatohet.

Portalb në vazhdimësi ka shkruar për këtë problem sepse numri i rasteve kur qentë sulmojnë apo kafshojnë qytetarët është i lartë.

Vetëm nga fillimi i këtij viti e deri  me 4 korrik 2022 në SPB Tetovë janë regjistruar 59 raste të kafshimeve, kryesisht nga qen endacak, prej të cilëve më shumë se gjysma, gjegjësisht 34 janë raportuar në stacionin policor në Tetovë.

Mjetet financiare të ndara nga Komuna e Tetovës për këtë problematikë janë më pak se vitin e kaluar, gjegjësisht për këtë vit komuna ka ndarë 2 milionë denarë, ndërsa vitin e kaluar kishte të ndara 3.5 milionë denarë.

Në vitin 2021 në SPB Tetovë kishte 113 raste të denoncuara për kafshim nga qentë endacak.

Kujtojmë që  shpresat ishin te ndërtimi i qendrës rajonale për strehimin e qenve endacak për tërë komunat e Pollogut, por e njëjta ka dështuar  pasi komuna e Bërvenicës refuzoi ndërtimin në territorin e saj. Ndërkaq për këtë Kasami tha se do të kërkohet vend tjetër në kuadër të Komunave të Rajonit të Pollogut, pas dështimit në Komunën e Bërvenicës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button