Margarita Kadriu në AAB: Gruaja të mos shikohet si kuotë për numër, por si kapacitet

Nënkryetarja e PDK-së, Margarita Kadriu, mbajti një ligjëratë para studentëve të Universitetit AAB për rolin e gruas në shoqërinë kosovare.

Ajo në këtë ligjëratë tha se gruja në Kosovë nuk duhet parë vetëm si kuotë për të mbushur numrin, por si kapacitet.

“Të mos shikohet gjinia se për kënd po votojmë, por të shikohen kapacitet e tij ose të saj”, tha nënkryetarja e PDK-së.

Kadriu tha se sot mund të shohësh femra të suksesshme në sektorë të ndryshëm, qoftë në media, qoftë në arsim, qoftë në shkencë, qoftë në art, qoftë në sport, por edhë në sfera të tjera të jetës.

“Gruaja kosovare ka ditur t’i tregojë vlerat e saja në të gjitha fushat, mirëpo duhet ta pranojmë që roli i gruas vazhdon ende të mbetet një sfidë në shoqërinë tonë”.

Ajo thotë se Ligji zgjedhor ka mundësuar një përfaqësim dinjitoz të femrës në kuvendin e Kosovës.

“Përfundimisht duhet ta kuptojmë se gruaja nuk është për të mbushur kuotën gjinore, mirëpo gruaja duhet të shikohet si individ”.

Kadriu tha se nëse në institucionet shtetërore, gruas i është dhënë një hapësirë më e madhe, në qeverisjen lokale, fatëkeqësisht nuk e sheh këtë trend të përfaqësimit të gruas, duke shtuar se 90 për qind e drejtorëve të emëruar deri më tani në qeverisjen komunale vazhdojnë të jenë meshkuj.

“Unë bëj thirrje se përfaqësimi me shumicë mashkullore duhet të ndryshojë përfundimisht. Është fakt që ende mungon besimi te kapaciteti i grave. Ne na duhen sa më shumë ministre, na duhen drejtoresha, na duhen udhëheqëse na duhen gra që dinë dhe duan të ecin përpara. Ne duhet të luftojmë që të kemi një përfaqësim të dinjitetshëm pasi që kemi shumë femra të afta në shoqërinë kosovare, te të cilat mund të mbështetemi dhe të cilat mund t’i shtyejnë proceset përpara”, vlerësoi nënkryetarja e PDK-së, Margarita Kadriu.

Në këtë ligjëratë ajo foli edhe për fondin për punësim, duke thënë se si ekonomiste do ta japë kontributin e saj në hapjen e sa më shumë vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Në fund të kësaj ligjërate u zhvillua edhe një debat, ku studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj, nënkryetarja e PDK-së, Margarita Kadriu. /Knninfo.com

Lajme të ngjashme

Back to top button