RMV, vala e të nxehtit vazhdon edhe këtë javë, deri të mërkurën disa kategori qytetarësh të lirë nga puna

Moti sot në vend do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla lokale deri në mesatare. Do të fryjë erë mesatare dhe herë pas here e fortë nga veriu, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 14 deri në 24, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 33 deri në 40 gradë. Indeksi UV do të jetë 9, transmeton Portalb.mk.

Mot i ngjashëm në Shkup me temperaturë minimale 19 gradë dhe maksimale 37 gradë.

Sipas DPH-së, në ditët në vijim zona jonë do të jetë nën ndikimin e valës së të nxehtit me temperatura të larta të mëngjesit dhe ditës.

Me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria të premten ka ndryshuar Vendimin lidhur me rekomandimet që kanë të bëjnë me temperaturat e larta të miratuara të mërkurën, me të cilin rekomandohet për lirimin nga obligimet e punës të grupeve më të prekura të qytetarëve, përfshirë gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, është zgjatur deri më 27 korrik. Siç thuhet në njoftimin e qeverisë, nga ky vendim përjashtohen të sëmurët kronikë.

“Sipas informacioneve të marra nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, se në vend temperatura të larta priten në ditët pas 24 korrikut, Qeveria ka marrë vendim për ndryshimin e konkluzionit të seancës së kaluar, i cili i referohej përjashtimit të disa kategorive të personave nga obligimet e punës nga data 21 deri më 24 korrik 2022, me shtyrje të këtij afati deri më 27 korrik 2022. Rekomandimi për lirim nga detyra në periudhën deri më 27 korrik i referohet grupeve vulnerabël të qytetarëve, përfshirë gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç”, njofton shërbimi për shtyp i qeverisë.

Sipas këtij vendimi, në kopshte rekomandohet të mos ushtrohen aktivitete fizike në natyrë dhe fëmijët të mos nxirren jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

Rekomandimet vlejnë edhe për njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqin e Kuq dhe Qendrat për Punë Sociale, për ofrimin e ndihmës për personat e vetëm, të moshuar, të dobët dhe të pastrehë në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit.

Gjithashtu rekomandohet që punëdhënësit të respektojnë detyrimet ligjore në lidhje me disa procese teknologjike dhe prodhuese, të cilat paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve.

Qeveria i bëri thirrje opinionit dhe qytetarëve që të lëvizin me kujdes në pyje dhe të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarr në hapësirë ​​të hapur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button