Ninulla ballkanike: Miopi sociologjike, porosi etike (II)

Një fakt tjetër që konstatohet kur analizohen skenat e “Ninullës Ballkanike” është se kuadrot më fuqishëm e theksojnë “estetikën” (lexo: kiçin arkitekturor) e “Shkupi 2014” se atë autentiken e Çarshisë së Vjetër apo osmane. Në disa skena shfaqet edhe një diskriminim gjuhësor, emri i qebaptores së Sylejman ustait është dhënë në dy gjuhë, turqisht dhe maqedonisht: “Taş Köprüsü” dhe “Камен мост”. Ndërkohë në sfond dëgjohen këngë boshnjake si “Razbole se sultan Sulejman” (versioni ku Stambolli cilësohet si Carigrad, pra versioni serb në vend të atij boshnjak), këngë rome “Sao roma babo babo” (Ederlezi), por jo edhe ndonjë (qytetare) shqiptare, këngë si ajo e Gani Grubit, “Çka ke vajzë (1961), e Qamilit të Vogël për tërmetin 1963 (“O në mëngjes kur zbardhi drita…”), e Ismet Vejselit “Po të lutem me m’kujtue” (1963) etj.

Në përgjithësi, ndonëse në ndërveprim mbi pesë shekuj, turqit nuk kanë njohuri të sakta lidhur me Ballkanin. Këtë e kemi konstatuar qysh nga ditët e studimeve kur për ta gjithë vendet ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë ishin terra incognita. Siç duket kjo gjendje po vazhdon edhe përkundër politikave shtetërore proballkanike dhe frekuentimit të shpeshtë të trojeve ballkanike gjatë dekadave dhe në veçanti viteve të fundit. Në webfaqen e CNN Turk (12 korrik 2022) duke u dhënë  shpjegime lidhur me vendin ku incizohet seriali në fjalë thuhet se “Maqedonia, që është një nga vendet që të bien ndërmend kur përmendet Ballkani; gjendet në lindje të Europës. Në veriperëndim kufizohet me Malin e Zi (!), në veri me Serbinë, në lindje me Bullgarinë, në perëndim me Shqipërinë.” I lëvizet pozicioni Malit të Zi dhe shpërfillet Kosova!

Anësh këtë gazetareske, mosdija e skenaristit të këtij seriali nuk ka arsyetim, ai që s’di, duhet të hulumtojë vendin ku bën film. Minimalja: Wikipedia-n dhe nxjerr konkluzione lidhur me mjedisin që trajtohet. Një gjë që të bie në sy në këtë produksion është edhe shpërfillja e kulturës shqiptare shkupjane. Është e çuditshme që vetëm dy elemente shqiptare të defilojnë në tre pjesët e para të filmit: flamuri shqiptar në prapaskenë në një shtëpi të afërt me konakun, emri Luran (ndoshta në kujtim artistit të ndjerë Luran Ahmeti që kishte defiluar edhe në kinematografinë turke).

Sidoqoftë, produksioni në fjalë ka edhe anën e vet pozitive, moralo-etike, porositë me sfond aksiologjik human. E tillë është skena kur qoftexhiu vëren jashtë një mjeran, një njeri të varfër dhe i thotë ndihmësit të vet që t’i çojë një sanduiç, e fukarai me bukën në dorë kthehet dhe kërkon falje se e ka kafshuar me harresë pa bërë pagesën dhe meqë s’ka asnjë qindarkë kërkon që ta regjistrojë në fletoren e borxhlinjve se përndryshe nuk do e marrë sanduiçin. Pronari i dyqanit i thotë se do të paguajë kur të ketë, bën lëvizje gjoja se shënon emrin, qoftet dhe ajranin. Dhe kur dhëndrri-ndihmës e nxjerr fletoren nga fioka konstaton se s’ka gjë të shënuar, fletorja e bardhë si dëbora, pa asnjë vijë në të. Pra Sylejmani ka ushqyer njerëz skamnorë pa regjistruar asgjë për ta.

Shembulli numër dy i afirmimit të vlerave është ai i natës kur ndodh tërmeti dhe në pjesën maqedonase të Shkupit s’ka ujë; Jovanka me motrën e saj dalin në pjesën myslimane ku ka pompa që qesin ujë nga bunari. Pasi Ertani ua mbush enët banorëve të mëhallës, ia mbush bidonat edhe Jovankës, e cila nxjerr një banknotë për të paguar dhe merr këtë përgjigje: “Ne nuk e shesim ujin që është dhuratë e Zotit, e shpërndajmë atë falas.” Sylejmani një radhë duke kaluar nëpër çarshi këshillon djalin e ri që të mos e shpërdorojë ujin, të ketë kujdes në konsumimin e tij, mesazh ky domethënës në kohën e krizës globale ekologjike. Nga fjalët mbresëlënëse janë edhe ato të gjyshit, Zubejr Aga, i cili e këshillon djalin e vet (Sylejmanin) që bën presion mbi Ertanin duke dashur ta mbrojë identitetin e nipçes së tij: “S’mund ta shpëtosh shpendin duke e gjuajtur me gurë”, fjalë këto me porosi të fuqishme pedagogjike, që janë mësim për të gjithë se nuk duhet përdorur metoda represive gjatë edukimit të fëmijëve.

Aspektin fetar e shënjon figura e gruas me shami, Gylsymit, inxhiniere e informatikës; pra afirmohet shkollimi i femrave me mbulesë. Të  segmentit spiritual janë edhe ezani, vajtja në xhami e Ustait, cilësimi i tij si “prijës shpirtëror”, kujtesa historike për krimet e bëra nga komunizmi ndaj shenjtërive, tempujve islamikë (xhamive) dhe rrëfimi dhe dëshira për ta rindërtuar njërën prej tyre të cilës nga kohën e Titos e këndej i ka mbetur vetëm një mur në këmbë, porosia nga pjesa e tretë lidhur me afërsinë mes feve abrahamike (“Ndaç Solomon, ndaç Sulejman, e njëjta gjë”). Do shënuar edhe vlerën që i kushtohet traditës, “çfarë të ketë të vlefshme e të rëndësishme, e gjen te e vjetra, te më të vjetrit” (Daniel), theksi i vënë mbi rëndësinë e unitetit (“Nëse jemi tok, mund ta çojmë ujin të rrjedhë edhe në anë të kundërt” – Mustafa) dhe mbi solidarizimin me të shtypurit (“Dua të bëhem si Christiano Ronaldo që i ndihmoi fëmijët palestinezë, dhe pas veprimit të tij karvani i dhuruesve u bë i pafundëm” – Ertani).

Si përfundim, mund të themi se “Ninulla Ballkanike”, pas “Elveda Rumeli” riaktualizon çështjen e Ballkanit te një auditor mbi 80-milionësh e më gjerë, e vetëdijëson opinionin turk për rëndësinë dhe afërsinë që ka ky vend dhe Ballkani me Turqinë, por jep një pasqyrë shumë të mangët demografike dhe kulturologjike lidhur me Shkupin si epiqendër e gadishullit në fjalë. Përkundër “gafeve” sociologjike, në një kohë të krizës së vlerave, të orkestrimit të konsumit të dokrrave kulturore (Khayati, 2022: 27) ky serial, afirmon dhe përkujton vlera sociale me peshë. Ai nuk e ka elementin e idolizimit të yllit (idolization of star) që është refleks i fetishizmit të mallrave të shoqërisë së spektaklit (Debord, 1967) dhe që është elementi kyç i industrisë së serialeve. Është një produkt artistik që mund të ndiqet familjarisht ngase në të nuk defilojnë zhveshurina, nuk ngërthen tregëtim tradhëtish, aferash, aventura sekscentrike e të ngjashme me çka dallohet nga serialet e tjera turke që më tepër se një dekadë kanë “pushtuar” Ballkanin dhe 3/4-tën  e botës (146 shtete, 2019).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button