Ademi: Tani me VMRO-në bisedohet për ndarjen e resorëve

Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi ka thënë se janë në përfundim e sipër bisedimet rreth ndarjes së resorëve dhe pozicioneve në Qeveri mes BDI-së e VMRO-DPMNE-së.

“Ajo që është e rëndësishme është se bisedohet për harmonizimin e platformave për program të përbashkët qeveritar dhe këto bisedime tashmë kanë përfunduar. Tani bisedohet faza e dytë rreth ndarjes së resorëve dhe pozicioneve në qeveri dhe shumë shpejt opinion do të jetë i njoftuar me rezultatet përfundimtare”, tha Ademi në UEJL të Tetovës, ku mori pjesë si Ministër i Ekologjisë në Konferencën e parë ndërkombëtare për strategjitë lokale rreth ndryshimeve klimatike së bashku me Ambasadorin e SHBA në Maqedoni Poll Vollers.

Ademi ka folur edhe rreth përgatitjeve për Kongresin e rradhës të BDI-së më 5 qershor. “Përgatitjet për Kongresin e tretë janë në fund.

Kanë përfunduar gjitha aktivitetet organizative dhe aktivitetet brendapartiake. Më 5 qershor presim që delegatët të mblidhen në Tetovë dhe të miratojmë programin e ri, statutin e ri, të zgjedhim kryetarin e BDI-së dhe Këshillin e Përgjithshëm prej 75 anëtarëve””, tha Ademi.

Lajme të ngjashme

Back to top button