RMV, nuk ka shpëtim nga taksa e karbonit, çështja e vetme është nëse paratë do t’i arkëtojë vendi apo BE

Fillimi i aplikimit të taksës së karbonit është një nga mënyrat më efektive për të siguruar zbatimin e parimit ndotësi paguan. E destinuar fillimisht për kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike dhe termike nga lëndët djegëse fosile, por edhe për përdoruesit e energjentëve në industri, taksa e karbonit duhet të sigurojë mjete për rikuperim të mjedisit jetësor nga puna e sektorit të energjetikës, i cili është një nga emetuesit dhe ndotësit më të mëdhenj në vend, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Për momentin, për shoqatat ekologjike në vend nuk ka dilemë se nëse duhet të ketë apo jo, taksë karboni. Çështja është se nëse Maqedonia e Veriut do të fillojë ta aplikojë para se Bashkimi Evropian ta bëjë këtë në vendin tonë. Dallimi është në atë se nëse mjetet që do të mblidhen mbi atë bazë, do të përfundojnë tek ne apo në fondet evropiane.

Vendosja e taksës së karbonit është zgjidhje e mirë nga e cila do të përfitonte shteti, konsideron Nevena Smilevska nga “Eko Svest”, por vetëm nëse paratë që mblidhen, mbi këtë bazë, shkojnë në Fondin e Mjedisit Jetësor. Nëse fondet nga kjo tarifë kthehen në buxhet dhe, si shumica e tarifave mjedisore, destinohen për përdorim të përgjithshëm, atëherë ato nuk e arrijnë qëllimin e tyre.

“Ideja e taksës së karbonit është të mblidhen fonde nga industria, sipas parimit ndotësi paguan, për të financuar riparimin e dëmit që ata e shkaktojnë. Nëse nuk drejtohen si duhet, atëherë qëllimi nuk do të arrihet. Diskutohet edhe për shumën e mjeteve që do të paguhen në krahasim me dëmin që është shkaktuar dhe ndoshta ajo çështje do të jetë gjithmonë e hapur dhe aktuale”, thotë Smilevska.

Nëse vendi nuk vendos taksë për të gjitha aktivitetet dhe produktet intensive me karbon, Bashkimi Evropian do ta bëjë këtë me taksën kufitare të karbonit për çdo produkt që eksportohet nga vendi. Në këtë rast, nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me ato fonde, nëse do të mbeten në BE dhe do të hyjnë në fondet e tyre dhe nëse do të ridrejtohen në rajon për të zgjidhur disa çështje, siç është tranzicioni i drejtë, apo, siç angazhohet CEE Bankwatch, përsëri do të kthehen në vendin që është ngarkuar me taksë.

“Nga përvoja e tryezës së fundit hibride, që u mbajt para pak kohësh, e cila kishte të bënte me sfidat për sektorin e biznesit nga fillimi i aplikimit të mekanizmave të taksimit të karbonit, ku kishte përfaqësues nga qeveria, sektori civil, akademia dhe sektori privat nga i gjithë rajoni është evidente se industria, veçanërisht kompanitë që eksportojnë, është e qartë se kjo taksë është e nevojshme dhe po përgatiten për vendosjen e saj”, thekson Smilevska.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se vendi ka përgatitur një udhërrëfyes për taksën e karbonit dhe në bashkëpunim me Komunitetin e Energjetikës mbetet të punohet në projektin konkret, që taksa të jetë njëkohësisht e drejtë. Sipas udhërrëfyesit, vendosja e taksës kërkon vendim në nivel ministror nga të gjitha vendet anëtare të BEE-së, që duhet të miratohet në fund të vitit.

“Taksa e karbonit mund të ndihmojë në zbatimin e Kontributit Kombëtar të Rishikuar, i cili synon të reduktojë emetimet e gazeve serrë me 51 për qind deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990, që u miratua prillin e kaluar, duke lejuar taksimin e aktiviteteve të ndryshme sipas ndikimit të tyre në klimë. Sipas analizës, rekomandohet vendosja e taksës së karbonit që do të fillojë nga rreth 8 euro për tonelatë të emetuar të CO2 dhe do të arrijë në 28 euro për tonelatë në vitin 2030. Parashikohet që me normën më të ulët të realizohen të hyra prej 60 milionë euro, e me më të lartën 137 milionë euro”, thekson Ministria.

Nga ky institucion dakordohen që norma konkrete e taksës do të kontribuojë ndjeshëm në arritjen e synimeve kombëtare klimatike për sektorin e energjetikës, të përcaktuara në përputhje me Marrëveshjen e Parisit. Disa nga aktivitetet prioritare për të cilat mund të përdoren këto fonde janë subvencionimi i kostove të energjisë për të mbrojtur konsumatorët e cenueshëm me të ardhura të ulëta, të cilët do ta kenë më vështirë të përballen me rritjen e kostove, si dhe një pjesë e fondeve në vitet e para mund të përdoren edhe për t’iu ndihmuar minatorëve të qymyrit të kalojnë në punë në industri të tjera.

Ekologjistët pajtohen se shtyrja e afateve për miratimin e Ligjit për Veprim Klimatik, nga pikëpamja e vendosjes së kësaj takse, nuk do të sjellë përfitime dhe as nuk do t’i mbrojë ndotësit, veçanërisht ata nga sistemi energjetik. Ligji me të cilin transponohet Direktiva për krijimin e sistemit për tregtimin me kuotat nga emetimi i gazeve serrë brenda Bashkimit mund të vonohet dhe të miratohet vitin e ardhshëm, por kjo nuk do të vonojë detyrimet që, ndoshta nga viti 2026, BE-ja do të vendosë tatimin ndërkufitar për eksportin e prodhimeve vendase. Thonë se edhe deri tani nuk ishte e qartë nëse me miratimin e këtij ligji taksa e karbonit do të fillonte të arkëtohet menjëherë apo do të bëhet shtyrja e afateve. Megjithatë, është me rëndësi të fillojë të aplikohet para vitit 2026 dhe ashtu të qartësohet çështja nëse do të lejojmë fondet të shkojnë në ato evropiane apo do t’i mbajmë në vend dhe do t’i përdorim për investime të gjelbra në sektorët më të prekur.

Vitin e kaluar, 21 për qind e emetimeve globale të gazeve serrë u mbuluan nga mekanizmat e kompensimit të karbonit. Vendet e para që e vendosën taksën e karbonit në vitin 1990 ishin Finlanda dhe Polonia, kurse në vitin 2005 u prezantua Sistemi i Tregtimit të Emisioneve të BE-së (EU ETS), që mundësoi më shumë emetime të gazeve serrë të mbuloheshin nga taksa e karbonit. Shumë vende i kanë vendosur të dy mekanizmat e çmimeve, gjegjësisht edhe taksën e karbonit edhe ETS, duke futur kështu një taksë për emetimet dhe instalimet që nuk mbulohen nga sistemi. Gjermania, për shembull, vitin e kaluar, paralelisht me EU ETS, filloi aplikimin e sistemit kombëtar ETS për emetime nga ngrohja dhe transporti.

Çdo shtet-anëtar i BE-së që merr pjesë në sistemin EU ETS paguan një çmim të vetëm i cili në vitin 2020 ishte rreth 30 euro për një tonelatë CO2, ndërsa para pak kohësh është rritur në 45 euro për sektorët e elektro-energjetikës, industrisë dhe aviacionit vendas. Megjithatë, kur bëhet fjalë për normat e taksës së karbonit, ato dallojnë nga vendi në vend. Më të lartat paguhen në Suedi, rreth 110 euro për emetime të një tonelate karbon, ndërsa më të ulëtat në Poloni prej 0,09 euro për tonelatë.

Vendi i BE-së që është më afër Maqedonisë dhe ka vendosur taksë për CO2 është Sllovenia, ku çmimi për një tonelatë është rreth 17 euro, ndërsa vendi i parë në rajon është Mali i Zi, ku paguhet 24 euro për tonelatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button