A e pasqyron letërsia jetën reale? 

Raporti mes letërsisë dhe jetës reale (fiksionit dhe faktografisë) është shumë i vjetër, po vetëdijësimin mbi të vërtetat që shpërfaq tektsi letrar ia kemi borxh mendimit teorik aristotelian. Pikëpamja e tij bazike mbi artin që imiton natyrën ishte dhe mbeti gjer më sot temë e pakapërcyeshme dhe e pasosur debatesh teorike, që kërkojnë përgjigjet e pyetjeve: A e shpreh vepra e artit të vërtetën për jetën dhe njerëzit?; A është bota reale veç hije e botës së ideve/ imagjinatës?; A është arti imitim – formë e njohjes së realitetit?; Çfarë shpreh letërsia, të veçantën apo të përgjithshmen?…

Dante Aligieri thoshte se në “Komedinë hyjnore” e ka dhënë realitetin të cilit letërsia nuk ka mundur t’i shmanget gjer në ditët e sotme, pavarësisht të dhënës se pikëpamjet teorike dhe praktika krijuese janë nuancuar në varshmëri të përhershme me kohën edhe hapësirën e caktuar.

Jose Saramago barazonte jetën reale me letërsinë: Gjithmonë kam menduar se historia nuk është jetë reale, letërsia po, dhe asgjë tjetër. Duke kujtuar rrëfimet e gjyshit të tij, ai foli për imtësitë që ua shtonte atyre sa herë që i rrëfente. Pra, kur iu rrek shndërrimit të paraardhësve të tij në personazhe letrare, nuk mundi t’i shmanget fenomenit të pasurimit të kujtimeve të fëmijërisë, vizatimit dhe rivizatimit të portreteve të tyre me lapsin që rrëmon dhe ndryshon përherë hartën e paqëndrueshme të kujtesës

Për shkrimtarin Emil Zola romansierët janë gjykatësit shqyrtues të njeriut dhe pasioneve të tij. Për Gëten dhe Stefan Cvajgun letërsia lind/ frymëzohet nga realiteti, përkatësisht materja brute e artit është jeta reale. Zonja dë Stalë (Zhermen Neker) shkon edhe më tej duke thënë se letërsia ndikohet fuqishëm nga rrethanat historike dhe tiparet racore të mjedisit që e krijon atë. Në parathënien e “Komedisë njerëzore”, veprat fiksionale, pa ndonjë lidhje të qëndrueshme me jetën reale, Balzaku i quan foshnja shtatëmuajshe. Për shkrimtarin shqiptar Zija Çela: Ajo që hetohet si diçka biografike, është gjysmë mashtrim – zanat, mjeshtëri. Gjysma tjetër është e vërteta e përjetshme e Flaubert-it: Madamë Bovari jam unë. Për poetin Visar Zhiti, krahas fantazisë, letërsia e madhe ka brenda, medoemos, të vërtetën dhe moralin, sepse: vepra që në një mënyrë ose tjetrën s’mbart jetën e autorit, e ka të vështirë të bëhet jetë e të tjerëve…

Natyrisht, nuk mungojnë as ata që hedhin në ujë kategorikisht idenë e çfarëdolloj paasnjanësie krijuese. Kështu, për Alain Robbe – Grillet: Objetiviteti, në kuptimin e zakonshëm të fjalës – paasnjanësia totale e vëzhgimit – është e gjitha në mënyrë të dukshme një iluzion. Për Annie Dillard: Fiksioni nuk mund të ndahet nga tradita”, sepse “materialet e fiksionit janë copëza të botës… Një fiksion krejt natyralist, sot është një relike absurde. Për Mario Vargas Llosën: Përvoja është burimi i krijimeve letrare… Çdo krijimi letrar, madje edhe atij më të harlisurit, mund t’i gjendet pikënisja, nyja e lidhur pazgjithshmërisht me përjetimet e shkrimtarit. Madje, do të guxoja të thosha se ky rregull nuk ka përjashtim dhe se, për rrjedhojë, në letërsi, shpikja e pastër shkencore nuk ekziston.

Ky evoluim dijesh ka bërë që, ndryshe nga pararendësit e tyre, shkrimtarët e kohës sonë ta pranojnë pa drojë se lëndën e parë të tekstit letrar, pavarësisht mënyrës se si është inkorporuar dhe ç’vend zë ajo brenda veprës, e përbën jeta reale. Kjo, natyrisht, nuk parakupton kurthimin e veprës së llojit autobiografik brenda të vërtetave të plota të jetës së shkrimtarit, përkatësisht sharrimin e saj në biografi të maskuara autorësh…, sepse në këtë rast, në vend se për tekste letrare do të flisnim për të tjera zhanre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button