Obama, tur vizitash në Europë

Javën e ardhshme Barack Obama nis në Europë një tur të përqendruar tek veprimet ruse në Ukrainë. Ndalesa e parë e presidentit të Shteteve të Bashkuara do të jetë Polonia, një vend aleat që kërkon nga Uashingtoni më shumë garanci sesa thjesht dërgimi i një kontigjenti të vogël trupash amerikane, siç ishte ai i dislokuar në muajin prill.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka hequr paralele mes veprimeve të Moskës në Ukraine me ato të Luftës së Ftohtë, kur tanket sovjetike hynë në Evropën lindore. Por me një ndryshim: lidershipi amerikan sot është, sipas tij, shumë më i rëndësishëm se atëherë.

“Aftësia jonë për të formësuar opinionin botëror ka ndihmuar në izolimin e menjëhershëm të Rusisë. Për shkak të udhëheqjes amerikane, bota menjëherë i dënoi veprimet ruse. Europa dhe grupi G7 u bashkuan me ne për të vendosur sanksione. NATO-ja përforcoi angazhimin tonë ndaj aleatëve tanë në Europën Lindore”, deklaroi Obama.

Por ekspertët vërejnë edhe një problem tjetër përtej Ukrainës dhe ndajnë bindjen se Obama nuk duhet ta lejojë kontinentin e vjetër të rrëshqasë. Triumfi i së djathtës radikale në zgjedhjet për Parlamentin Europian, për “Washington Post” ishte një sinjal shqetësues.

Deri tani, shkruan gazeta, mendonim se Europa ishte e palëkundur në angazhimin e saj ndaj parimeve të demokracisë liberale dhe se shembulli europiano-amerikan do të vazhdontë të frymëzonte lëvizje të ngjashme nëpër botë.

“Por votimet e së djelës e lëkundën thellësisht këtë imazh. Fitoret e UKIP-it në Britani, Frontit Nacional në Francë apo edhe hyrja e një neo-nazisti në Parlamentin gjerman 96-vendësh shtojnë fuqinë e euroskeptikëve, por vetëm vitet në vazhdim do të përcaktojnë nëse ky ishte hapi i parë drejt triumfit të nacionalizmit agresiv dhe gërryejes së të drejtave themelore të Europës”, shkruan gazeta.

E këtu hyn në skenë Obama, vijon “Washington Post”, me hapat që do të hedhë në të ardhmen: a do ta kthejë Europën në fokusin e politikës së jashtme amerikane, apo do të bëjë përpara me projektin-pilot të Azisë, teksa vazhdon të ndjekë me kujdes linjën Bush-Clinton-Bush të ndërhyrjeve ushtarake selektive.
/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button