Geshkovska kërkon burg të përjetshëm në “Monstra”

Prokuroria kërkoi në fjalën e fundit para gjykatësit, dënim maksimal për të akuzuarit për terrorizëm të rastit të Smillkovës. Prokurorja Gordana Geshkovska mbrojti sërish analizën e bërë, se të akuzuarit Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Rami Sejdini, Haki Haziri dhe Sami Luta kanë ekzekutuar në mënyrë çnjerëzore, 5 të rinjtë maqedonas. Prokurorja e lidhi ekzekutimit, edhe me motive fetare e kombëtare. Ajo tha se sulmuesit, kanë shkrepur armët të Enjten e Madhe, që t’ua bëjnë viktimave, të përgjakshme Pashkët, me përfundimin që t’ua shkatërrojnë fenë. Nga ana tjetër, përzgjedhja e të rinjve maqedonas për ekzekutim, ka qenë me përfundimin se “po vrasim ardhmërinë e shtetit”.

Prapavija e gjithë kësaj vrasjeje, sipas Geshkovskës, ka qenë krijimi i ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët. Ndërkaq, avokatët mbrojtës thonë se Prokuroria dhe gjykata po përgatitin një padrejtësi ndaj qytetarëve të pafajshëm. Avokatët e të akuzuarve thanë se dëshmitë e përfshira në analizën e prokurorisë publike nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e pesëfishtë, por në mungesë të dëshmive të reja materiale, prokuroria tenton të përdorë edhe skenarët fetarë dhe kombëtar.

“Sipas fjalës përfundimtare të prokurorisë, sipas meje përgatitet një padrejtësi dhe unë jam i dëshpëruar nga njëra anë pasi ne nuk kishim para nesh analizën e provave as materiale e as verbale që është puna primare. Kjo analizë mungoi pasi nuk ka prova materiale e as verbale, arsyeja është shumë e thjesht pasi këta nuk janë vepruesit të këtij delikti, nuk janë këta të akuzuar që kanë kryer këtë krim”, tha Naser Raufi, avokat mbrojtës.

“Në fjalën e prokurores publike nuk dëgjuam asnjë dëshmi që ka të bëjë me kryerjen e veprës penale ose ndonjë gjë që tregon qartë se të akuzuarit kanë kryer krimin. Gjithë ato fjalë që u thanë kanë të bëjnë me dëshmi që sipas prokurorisë kanë të bëjnë me kryerjen e krimit por ato si të atilla janë dëshmi-indikacione. Vlerësimi ynë është se nuk ka dëshmi se të akuzuarit kanë kryer veprën penale”, u shpreh Gjorgji Nastevski, avokat mbrojtës.

Familjarët e të akuzuarve thonë se akuza e paraqitur nga prokuroria është cinike dhe e pabazë.

“Fjalët e fundit të prokurorisë ishin të pavlera sipas meje pasi asgjë nuk u prezantua nga faktet të cilat i kanë shpallur që në fillim, Por ajo u morr me disa këngë, me disa fotografi, me legjitimacion të UÇK-së, me këngë të autorëve të tjerë, kurse autorësia u përshkruhet sikur të ishin këto autorët e këngës apo të inçizimeve, të klikimeve të gjërave në internet”, theksoi Bedri Ajdari, vëllai i Fejzi Azirit.

“Ajo me disa gjëra si poezi, nuk di si i thurke disa fjalë, për mua është kjo një gjë e montuar dhe jo për njerëz që janë me shkollë që i marrin vesh këto punë, ato ishin poezi të thurura për fëmijë. Për mua shteti po bënë terrorizëm, shteti ka kryer masakrën, ka terrorizuar tërë shtetin, ka dërguar gjithë policinë, aparatin shtetëror dhe tani nuk ka idenë se çfarë të gënjejë”, u shpreh Safet Aziri, babai i Haki Aziri.

“Prokuroria i ka dhënë një konotacion ndëretnik dhe ndërfetar, nuk ka të bëjë asgjë me realitetin. Kjo është një nxitje, kjo është një urrejtje, kjo është një maltretim. E kam pushtetin në duar, ka sistemin, e ti nuk guxon me bë asgjë!”, tha Aqif Sejdiu, xhaxhai i Rami Sejdiut.

Prokurorja Gordana Geshkovska e veshi shpalosjen e akuzës së saj, edhe me disa vargje të këngës “Për ty o Gostivar” të këngëtarit shqiptar Gold AG të marra nga kompjuterët e të akuzuarve, që sipas saj kanë frymëzuar sulmuesit.

——————————————————————————————————————————————————————–

“Gjykata të dënojë të akuzuarit me dënime maksimale, që të kënaqet drejtësia”. Kjo ka qenë kërkesa që i ka drejtuar trupit gjykues të Gjykatës Penale të Shkupit prokurorja publike Gordana Geshkovska, shkruan gazeta Koha.

Ajo për herë të fundit përsëriti akuzat dhe provat kundër shtatë shqiptarëve të akuzuar në rastin “Monstra” për vrasjen e pesëfishtë në prill të vitit 2012. Duke përsëritur pretendimet e saj, që i kishte paraqitur gjatë seancave të mëhershme, Geshkovska foli edhe për motivin e të akuzuarve. Sipas saj, me provat materiale dhe verbale mund të konstatohet autorësia e krimit të pesëfishtë.

Geshkovska ndër të tjera u shpreh se nuk është zgjedhur rastësisht e “Enjtja e madhe”, ditë kjo e rëndësishme për besimtarët e fesë ortodokse, por edhe grupi i të rinjve maqedonas. “Mesazhi i autorëve ka qenë i qartë. Do t’ua zhdukim fenë, kombin dhe të ardhmen”, theksoi Geshkovska. Fjala e prokurores, menjëherë pas mbylljes së seancës, shkaktoi reagime të ashpra nga të afërmit e të akuzuarve, të cilët edhe njëherë me bindje të plotë theksuan se shtatë të akuzuarit nuk kanë të bëjnë me vrasjen e pesë maqedonaseve në prill të 2012-ës. 

Gazeta Koha lajmëron më shumë detaje rreth kësaj teme në numrin e saj të fundjavës.

Lajme të ngjashme

Back to top button