Hulumtim: E pakënaqshme mbetet përfshirja në vendimmarrje e të rinjve tetovarë (Infografik)

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut lehtë mund të konsiderohen një grup i margjinalizuar. Shumë pak nga ata i gjen të angazhuar në struktura vendimmarrëse, kurse nga bisedat me të rinjtë të cilët janë aktiv në shoqëri të jepet përshtypje se ata ose janë aktivist të sektorit joqeveritar ose synojnë të ikin në vendet perëndimore. Në vend ka ligj për pjesëmarrje rinore, por ai nuk zbatohet, shkruan Portalb.mk. Sa i përket qytetit të Tetovës, vetëm 1 nga 5 tetovarë të rinj kanë informacione ose janë të vetëdijshëm për ekzistencën e Këshillit Rinor Lokal, por shumë pak kanë informacione për formën e funksionimit, financimit dhe përzgjedhjes së trupave të Këshillit Rinor Lokal.

Autor: Blerim Salihi

Me qëllim për të përmirësuar statusin aktual të të rinjve në vend, në janar të vitit 2020, qeveria miratoi Ligjin për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore. Përmes këtij ligji, për herë të parë në vendin tonë në formë ligjore filloi të organizohet pjesëmarrja rinore dhe u sollën politika rinore në nivel nacional dhe lokal.

Përmes këtij ligji të rinjtë do të garantonin pjesëmarrjen e tyre përmes kornizës juridike dhe mekanizmave të cilët do mundësonin krijimin e politikave me interes për to. Por, fatkeqësisht edhe pas dy viteve në fuqi, ligji nuk gjen zbatim pothuajse në shumicën e territorit të shtetit.

Ndër të tjera, në Kreun e V, Ligji parasheh themelimin e Këshillave Rinore Lokale në të gjitha komunat e Maqedonisë së Veriut, si formë institucionale për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në nivelin e bashkësisë lokale dhe të komunës përkatëse.

Agjencia për Rini dhe Sport e dëshpëruar nga komunat

Agjencia për Rini dhe Sport është organi kompetent mbi të cilin bie barra e shumë masave të parapara me Ligji për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore. Mbi të gjitha, edhe ajo e përgatitjes së Planeve aksionare për implementimin e Strategjisë Nacionale Rinore, strategji e cila ndër të tjera gjithashtu avokon për aktivizim rinor dhe pjesëmarrje rinore në proceset vendimmarrëse.

Në komunikimin me Agjencinë për Rini dhe Sport kuptuam indinjatën e tyre për zvarritjen e proceseve nga ana e komunave.

“Agjencia për Rini dhe sport është e indinjuar me mos respektimin e ligjit për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikave rinore nga pushteti lokal. Për fat të keq, shumë komuna nuk kanë respektuar afatet kohore për formimin e organeve bazë për të rinjtë, edhe pse të rinjtë duhet të shihen si mjet i përparimit dhe nxitës të funksionalizimit të demokracisë dhe transparencës, si në pushtet qendror, ashtu edhe në pushtet lokal”, thonë nga ARS.

Nga atje shtojnë se inkurajojnë komunat që të jenë më afër rinisë por nuk mund t’i detyrojnë të respektojnë ligjin.

“Agjencia për rini dhe sport në vazhdimësi organizon takime me përfaqësueses nga pushtetet lokale si dhe me sektorin civil, ku padyshim jemi të pandërprerë edhe në promovimin e ligjit për pjesëmarrjen dhe politikat rinore, dhe përsëritës për nevojën që ka implementimi i ligjit. Agjencia për rini dhe sport, në anën tjetër, nuk mund  të detyrojë institucionet e vetëqeverisjes lokale për implementimin e ligjit, apo konkretisht për formimin e Këshillave Rinor Lokal, Agjencia si institucion monitoron procesin, grumbullon të dhëna mbi realizimin e ligjit, procesin e implementimit, por nuk mund të detyrojë komunat në implementimin e ligjit, pasi diçka e tillë nuk është paraparë në Ligjin për politika dhe pjesëmarrje rinore “, thonë nga ARS.

Sa i përket pyetjeve lidhur me Strategjinë Nacionale Rinore dhe efikasitetin e të njëjtës për të adresuar problematikat me të cilët përballen të rinjtë, nga Agjencia për Rini dhe Sport thonë se strategjia momentale rinore nuk përkon me realitetin e problematikave rinore.

“Për këtë arsye kemi paraparë krijimin e një strategjie të re, ku së bashku me faktorin ndërkombëtar, sektorin civil, institucionet relevante dhe të rinjtë të krijojmë së bashku strategji të re për të qenë më afër nevojave të të rinjve në botëkuptimin institucional përfundojnë nga Agjencia për Rini dhe Sport.

Institucionet kanë rol dhe përgjegjësi shumë më të madhe për zbatimin e ligjit sesa organizatat joqeveritare, thonë nga Bashkësia për Punë Rinore (BPR).

“Organizatat nuk bëjnë mjaftueshëm, por duhet të kemi parasysh se institucionet kanë një rol dhe përgjegjësi shumë më të madhe për zbatimin e ligjit. Ata jo vetëm që duhet të përmbushin një numër të madh detyrimesh që dalin nga ligji, por duhet të krijojnë një mjedis dhe kushte të favorshme që organizatat rinore të përmbushin detyrimet e tyre. Prandaj, nuk mendojmë se organizatat janë përgjegjëse për zbatimin e pamjaftueshëm të ligjit.” thonë nga Bashkësia për Punë Rinore.

Është e rëndësishme të theksohet se këshillat rinorë janë një formë shumë e rëndësishme e pjesëmarrjes, veçanërisht në vendet që nuk kanë histori të qasjeve të tjera formale dhe sistematike ndaj pjesëmarrjes, siç është kjo e jona. Ligji për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore për herë të parë vendos një formë pjesëmarrjeje që garanton një përfaqësim të kënaqshëm të interesave të të rinjve para autoriteteve lokale. Fatkeqësisht, mendoj se komunat nuk e njohin vlerën dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve dhe mendoj se kjo është arsyeja kryesore që nuk janë të gatshme të investojnë kohë dhe burime për t’i vendosur ato në përputhje me ligjin.” thonë nga Bashkësia për Punë Rinore.

Sipas tyre, hapi i parë pas formimit të këshillave rinore duhet të jetë sigurimi i mbështetjes financiare dhe burimeve të tjera të nevojshme për funksionimin e tyre në vazhdimësi, si dhe krijimi i praktikave për përfshirjen e vazhdueshme të këshillit në procesin e vendimmarrjes në nivel vendor.

Tetova dhe rrugëtimi drejt përfshirjes së rinisë në vendimmarrje

Tentativat për t’i dhënë zë rinisë në Tetovë kanë filluar nga viti 2014 me themelimin disa Këshillave Rinor Lokal. Por, në periudha të shkurtra pas themelimit, kanë dështuar. Rasti i fundit është ai i vitit 2018 ku përmes OSBE dhe organizatave lokale filloj një procedurë e gjatë parapërgatitore për tu kurorëzuar me një Këshill Rinor Lokal funksional në janar të vitit 2020.

Tetova, foto nga Blerim Salihi
Tetova, foto nga Blerim Salihi

Me ndryshimet ligjore, përbërja e Këshillit Rinor Lokal të Tetovës ishte joadekuate dhe si e tillë kërkonte reformim. Sipas Doracakut për Këshillat Rinore Lokale të publikuar nga OSBE dhe Agjencia për Rini dhe Sport, në rastet kur ekziston një Këshill Rinor Lokal në komunë, i cili është formalisht aktiv, komuna dhe personat përgjegjës, në bashkëpunim me anëtarët e Këshillit Rinor Lokal duhet të përgatisin një plan për transformimin e tij.

Gjithashtu, sipas Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, nëse ka një Këshill Rinor Lokal në komunë, mandati i të cilit është aktiv, ai duhet të transformohet në përputhje me dispozitat e ligjit, brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit (neni 26, paragrafi 6). Megjithatë mandati i Këshillit Rinor Lokal edhe përkundër hapësirës ligjore, ka pushuar.

Situata aktuale me Këshillin Rinor Lokal dhe hapat e ardhshëm të kryesisë së Komunës së Tetovës

Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç përbëjnë 20,6% të numrit të përgjithshëm të banorëve në qytetin e Tetovës. Edhe përkundër faktit se Tetova është qytet i dy universiteteve, 6 shkollave të mesme, nga bisedat me të rinj kupton se qyteti hermetikisht i ka mbyllur dyert e mundësive për ta. Ekzistojnë shumë pak mundësi për argëtim, kryesisht nga biznese dhe sipërmarrje private, kurse pjesëmarrja në procese të rëndësishme shoqërore është pothuajse inekzistente.

Me qëllim për të kuptuar deri në cilin nivel është implementimi i Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, me theks të veçantë për Këshillin Rinor Lokal (KRL), kemi kontaktuar organet e Komunës së Tetovës.

“Aktualisht ekziston Këshilli Rinor Lokal por për shkak të zgjedhjeve nuk është aktiv. Me ligjin e ri komunat e kanë patjetër të destinojnë 0.1% të buxhetit vjetor në llogarinë e Këshillit Rinor. Ne si komunë planifikojmë në re-balancë ti  parashohim këto mjete”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Në vitet 2018 dhe 2019 nuk ka pasur mjete për KRL kurse në vitin 2020 me vendim këshillit komunat janë ndarë 500.000 denarë por edhe kjo s’ka qenë me buxhet, informojnë nga atje.

Nga Komuna thonë njoftojnë se problemet kryesore për stagnimin e procesit vjen si shkak i mungesës së arkivimit të dokumenteve paraprake të Këshillit Rinor Lokal, kurse gjithashtu na informuan se veç më Komuna është në prag të zgjedhjeve të reja të KRL-së dhe veçse ka përfunduar aplikimi për Këshillin Nismëtar.

Thirrjen për Këshillit Nismëtar, Komuna e Tetovës e ka hapur me datë 21 qershor 2022. Roli i këtij këshilli është të themelojë  kuvendin rinor lokal.

Statuti i Komunës aktualisht i plasuar në ueb-faqen e Komunës së Tetovës është ai i vitit 2006, i cili mbart emrin e Kryetari të atëhershëm të Këshillit të Komunës së Tetovës, Resi Abdurahmani (dhe përkon me Fletoren zyrtare të referuar nr. 14/2006). Në këtë statut nuk ka asnjë dispozitë për organin e Këshillit Rinor Lokal në Komunën e Tetovës, dhe as nuk ekziston neni 62-g.

Rrjedhimisht, e plasuar si e këtillë shpallja e thirrjes për Këshillin Nismëtar përbën edhe shkelje të procedurës ligjore për themelimin e Këshillit Rinor Lokal të paraparë në nenin 17, paragrafi 2 (Ligji për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore), i cili taksativisht thotë që për të themeluar Këshillin iniciues fillimisht nevojitet vendimi statutor i Këshillit të komunës për ndryshimin dhe/ose plotësimin e Statutit të komunës – për themelimin e një organi të veçantë në komunë: Këshilli Rinor Lokal.

Këshilli Rinor Lokal paraprak, sfidat, proceset dhe çfarë u realizua

Në vitin 2020 gjatë themelimit të Këshillit Rinor Lokal, Olti Esati u përzgјodh si Kryetar dhe udhëheqës i këtij institucioni në Komunën e Tetovës. Edhe aktualisht ai është udhëheqës në detyrë (ud. kryetar) deri në themelimin e Këshillit Rinor Lokal të ri.

Olti tregon për disa nga aktivitetet e realizuara më KRL-në.

“Aktivitetet e para të ndërmarra nga ekipi im kanë qenë kryekëput me promovimin e KRL-së në fillim nëpër mediumeve lokale, e pastaj ato nacionale, kampanjë promovuese nëpër shkollat e mesme ku dhe kemi pasur takime me drejtorët e të gjithë shkollave të mesme duke ju dhënë suport nxënësve. Gjatë viteve sa kam qenë në pozitën si Kryetar i Këshillit Rinor kemi treguar suksese të njëpasnjëshme në projekte si: Përpilimin e strategjisë dhe projektit për hapjen e qendrës Rinore, hapjen e qendrës Rinore, aksionin ekologjik “Çdo ditë është Dita e Planetit Toke”, aksioni për shpërndarjen e 1000 maskave pa pagesë për qytetarët e Tetovës, rikonstruimin e ish-Radio Tetovës, Promovimin e Këshillit Lokal të Tetovës në instancën shtetërore, ndihmëse nga ana e anëtareve të KRL-së gjatë tërmetit në Shqipëri, uljen e çmimit të biletave të transportit publik për të rinj, përfaqësimin e KRL-së në edicionin e pestë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigjet poetike”, pjesëmarrje e të rinjve në procesin e regjistrimit të popullsisë, mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta e kështu më radhë”, shprehet Olti Esati.

Për redaksinë tonë Olti Esati gjithashtu potencon se ai aktualisht mbart edhe pozitën e Koordinatorit Rinor në Komunë, por edhe pse nuk ka ndodhur shkarkimi ligjor i tij, pozita i është besuar tjetërkujt.

“Pozita e koordinatorit rinor është pozitë të cilën Kryetari i Komunës e nominon drejtpërdrejt me mandat katër vjeçar. Unë pozitën e Koordinatorit Rinor e kam marrë në fund të vitit 2020 që do të thotë që mandatimi im në këtë pozitë përfundon në fund të vitit 2024. Pas ardhjes së administratës së re në krye të Komunës së Tetovës, pak muaj më vonë kryetari Bilall Kasami ka bërë emërim të një tjetër personi në pozitën e njëjtë. Unë nuk kam dhënë dorëheqje nga kjo pozitë dhe kam kërkuar disa herë nga kabineti i kryetarit, të më japin shpjegim rreth kësaj çështje dhe kam hasur në mos përgjigje nga ana tyre. Problemi rreth kësaj çështje ende nuk ka filluar dhe do filloj në momentin e mbledhjes së bordit iniciues për formimin e KRL-së me të cilin duhet të udhëheq Koordinatori rinor”, thotë ai.

Esati gjithashtu, potencon se kryetari i Komunës, Bilall Kasami, ka keqpërdorur emrin e KRL-së, gjatë postimit me datë 12 maj me rastin e panel diskutimit “Future of Europe” ku kryetari Kasami deklaron se ky panel është organizuar nga Këshilli Rinor Lokal.

Aktiviteti të cilin kryetari Bilall Kasami e ka publikuar në faqen e tij në rrjetin social facebook ka qenë një keqpërdorim i emrit të KRL-së për politika të ulta ditore.” thotë Esati.

Kontaktuam me anëtarët e KRL-së dhe asnjëri prej tyre nuk kanë pasur informacion rreth aktiviteti dhe askush nga anëtarët në cilësinë e delegatit të KRL-së nuk ka marrë pjesë në atë aktivitet të cilin kryetari Bilall Kasami e ka promovuar para përfaqësuesve të BE-së si aktivitet i Këshillit Rinor Lokal.

Koordinatori i “ri” për redaksinë tonë, pohoi se ka marrë pjesë në emër të KRL-së.

“Nuk e di si është e mundur që dikush i cili aspak nuk figuron në strukturat e KRL-së të përfaqësojë KRL-në?!” shton ud. Kryetari i KRL-së.

I pyetur nga redaksia nëse Olti do të rikandidohej për Kryetar sërish në Këshillin e ri Lokal, ai thotë se nuk ka vendosur ende.

Përfshirja dhe këndvështrimi i sektorit civil mbi Këshillin Rinor Lokal

Nga bisedat me të rinjtë rezulton se 53% e tyre, rrugën për të qenë aktiv në shoqëri e krijojnë përmes përfshirjes në sektorin joqeveritar. Edhe pse zyrtarisht të regjistruar në Regjistrin Qendror, në Tetovë ka qindra organizata, por situata faktike në terren është shumë më ndryshe.

Nga Instituti për Zhvillimin e Bashkësisë (IRZ), janë të mendimit se rinia Tetovare është aktive dhe janë të kyçur në vendimmarrje në jetën publike, përfaqësuesit e tyre marrin pjesë ne punën e Kuvendit Komunal, në organe dhe trupa të partive politike dhe ngjashëm.

Referuar pyetjes tonë se a janë të njoftuar rreth Këshillit Rinor Lokal, përfaqësuesit nga IRZ thonë:

“Po, jemi të njoftuar me ekzistimin dhe punën e Këshillit Rinor Lokal. Një kohë kishim edhe përfaqësuesin tonë. Deri më sot nga Komuna e Tetovës nuk kemi qenë të kontaktuar për pyetje lidhur me Këshillin Rinor Lokal, përveç gjatë themelimit.” thonë nga IRZ.

“Fillimisht duhet të punojmë në zbatimin e detyrimeve të Ligjit për përfaqësim rinor dhe politika rinore. Më pas duhet të përpilojmë metodologji për ndihmesë financiare për shoqatat dhe grupet rinore. Do ishte mirë të garantohej pjesëmarrja rinore nga të gjitha grupet etnike, të rinj të pavarur të udhëheqin me këshillat rinore, me çka do garantohej përfaqësim i drejtë i gjithë të rinjve”, thonë nga IRZ.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Qendrës për të drejtat e njeriut – Tetovë, pjesëmarrjen e ulët rinore e cilësojnë si mungesë e informacionit për të rinjtë nga ana e organeve për të u kyçur, mundësitë që ju jepen të rinjve për zhvillimin e tyre janë shumë të limituara dhe si rrjedhojë të rinjtë kanë interes të ulët për tu kyçur.

Përfaqësuesit e Qendrës për të drejtat e njeriut – Tetovë shprehen se kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në procesin e themelimit të këtyre strukturave rinore konform Ligjit të ri me kapacitetet tona, por asnjëherë nuk janë kontaktuar nga Komuna për asnjë çështje lidhur me të rinjtë.

Nga organizata mendojnë se të rinjtë e Tetovës kanë kapacitete për të qenë pjesë aktive e shoqërisë, kurse u nevojitet një dozë motivimi që të jenë pjesë aktive e shoqërisë dhe procese transparente.

“Komuna duhet të ketë angazhim më serioz për çështjet lidhur me te rinjtë. Të konsiderohen të rinjtë si pjesa më e vyeshme e komunitetit sepse janë e ardhmja dhe konsiderimi i nevojave të tyre është mënyra e vetme qe të prosperojmë vendin ku jetojmë.  Me patjetër duhet të merren parasysh nevojat e të rinjve, të ju ofrohen kushte dhe mundësi për zhvillim dhe ngritje edukative, kulturore dhe shoqërore. Të kyçen në proceset e vendimmarrjes në kuadër të Komunës/debate diskutime lidhur me çështjen e të rinjve.” shtojnë nga  Qendra për të drejtat e njeriut – Tetovë.

Përfaqësuesit e organizatës CEO Mollëkuqja janë të mendimit së të rinjtë janë aktiv atëherë kur kanë ku të jenë aktivë. Ata shtojnë se të vetmet mundësi që ju ofrohen të rinjve në Tetovë janë nga organizatat joqeveritare kurse mungon interesimi i institucioneve shtetërore për t’i përfshirë në vendimmarrje.

Referuar pyetjes tonë se a janë të njoftuar rreth Këshillit Rinor Lokal, përfaqësuesit nga Mollëkuqja thonë se janë të vetëdijshëm për Këshillin Rinor Lokal, megjithatë e kanë parë jofunksional deri sot dhe se nuk janë kontaktuar nga komuna për çështje që kanë të bëjnë me të rinjtë.

Sa u përket kapaciteteve të të rinjve për të u kyçur në iniciativa të këtilla ata shtojnë se të rinjtë tanë kanë kapacitet përtej asaj që mund të ofrojnë komunat dhe organizatat tjera.

“Megjithatë, shumë shpesh Këshillet Rinore Lokale kanë qenë plotësisht partiake, kurse të rinjtë as që duan të dëgjojnë për partitë që i kanë dëshpëruar aq shumë. Kështu që nëse duam që të rinjtë të jenë aktiv nëpër struktura të tilla, duhet t’i bindim që të njëjtat nuk krijohen sa për sy e faqe, por realisht për të mirën e tyre.” thonë nga Mollëkuqja.

Sipas përfaqësuesve të Institutit Alternativa Liberale (LAI), rinia në Tetovë ka mungesë të konceptit të kyçjes në komunitet dhe jetën publike edhe atë për dy arsye kryesore.

“Së pari shumë pak animohen të rinjtë për tu kyçur në jetën publike nga ana e institucioneve. Të rinjtë që kyçen kryesisht kanë prapavijë partiake, ndërkaq kyçja në jetën publike dhe politike nënkupton interes i të rinjve të jenë pjese e proceseve si në institucione ashtu edhe në komunitet, si një obligim dhe e drejtë që e kanë si taksapagues. Dhe së dyti,  të rinjtë, posaçërisht gjeneratat më të reja nuk shprehin interes për kyçje në iniciativa komunitare për shkak të një pritshmërie të bëjnë çdo gjë me pagese, dhe vullnetarizmi dhe angazhimi ne komunitet për të mirën e komunitetit nuk shihet më si një vlerë.” thonë nga LAI.

“Instituti Alternativa Liberale ka qenë e ftuar si një ndër organizatat që punojnë me të rinj qysh në zanafillën e idesë për Këshill Rinor në Komunën e Tetovës, të iniciuar aso kohe nga ana e UNDPsë dhe kemi qenë të kyçur aktivisht gjatë përgatitjes së Strategjisë Rinore në vitin 2014 – 2015. Duhet të potencoj se involvimi jonë në këtë procedurë ka qenë jo si ftesë nga ana e Komunës por nga ana e UNDP-së. Që atëherë nuk kemi qenë të kontaktuar nga ana e Komunës lidhur me të rinjtë ose Këshillin Rinor. ”Kurse rekomandimet e tyre për mirëqenien e të rinjve janë që Komuna të krijoj atmosferë ku të rinjtë ndjejnë se janë të mirëseardhur në institucione dhe se zëri i tyre dëgjohet. Një nga këto mënyra është edhe vet KRL. Përzgjedhja e anëtarëve tek i njëjti duhet të jetë transparent dhe me meritokraci, dhe jo siç jemi mësuar deri tash të bëhet në linja partiake. “Në aspektin e vendimmarrjes, është me rëndësi që të ketë në nivel lokal përfaqësim i të rinjve (KRL) në zyrën e Kryetarit të Komunës që do sjell zërin e të rinjve gjatë sjelljes së vendimeve, përpilimit të strategjive, etj” përfundojnë nga Instituti Alternativa Liberale.

Sipas organizatës Active Life, të rinjtë janë pak të interesuar dhe aspak të kyçur në proceset vendimmarrëse.

Përderisa potencojnë se janë të informuar për ekzistencën e Këshillit Rinor Lokal, por asnjëherë nuk kanë qenë të kontaktuar ose të informuar nga ana e Komunës së Tetovës.

Për mirëfunksionimin e Këshillit Rinor, ato potencojnë se “duhet të hiqet mentaliteti i lidhjeve partiake dhe familjare/ shoqërore dhe të punohet për interesin e gjerë të shoqërisë. Rinia nuk mund të përballoj më tepër padrejtësi, prandaj gjithnjë edhe më tepër po largohen nga vendi. Udhëheqësit ndryshojnë por avazet me sa duket vazhdojnë, duhet të tejkalohet hendeku i interesit personal dhe të shihet e mira e përgjithshme” përfundojnë nga organizata Active Life.

Në këndvështrimin e përgjithshëm rezulton se gjithë organizatat janë mirë të informuara për ekzistimin e Këshilleve Rinore Lokale edhe pse asnjëherë të njëjtat nuk kanë qenë të kontaktuara nga ana e Komunës për të adresuar çështjet rinore. OJQ-të kanë besim në kapacitetet e të rinjve edhe pse janë të hapur për mbindërtimin e të njëjtave, kurse rekomandimet e përgjithshme janë për transparencë më të madhe dhe përfaqësim më të drejtë.

Zëri rinor, informimi, dhe dëshira për të qenë pjesë e proceseve shoqërore

Të lënë në fund por të parët për nga rëndësia: të rinjtë, janë edhe qëllimi i realizimit të këtij materiali. Gjatë hulumtimit kemi anketuar 50 të rinj të moshës 15 – 29 për të vlerësuar dhe kuptuar pikëpamjet e tyre për çështjen.

Edhe pse Ligji u adresohet nevojave të tyre, shumica e të rinjve nuk janë të informuar se i njëjtë ekziston dhe aspak të informuar për përmbajtjen e të njëjtit, kjo pasi që mediat dhe institucionet relevante pak e kanë promovuar dhe kanë informuar për të njëjtin.

Vetëm 1 nga 5 tetovarë të rinj kanë informacione ose janë të vetëdijshëm për ekzistencën e Këshillit Rinor Lokal, por shumë pak kanë informacione për formën e funksionimit, financimit dhe përzgjedhjes së trupave të Këshillit Rinor Lokal.

Të rinjtë pjesa më vitale e shoqërisë dhe njëkohësisht prijësit e proceseve, kanë mungesa të dukshme të informatave për çështje të cilat i tangojnë direkt ato. Edhe në kohën kur ekziston korniza ligjore, kemi mungesë të hapave konkret nga pushteti si qendror ashtu edhe lokal që të rinjve të jepet vendi i merituar në shoqëri. Proceset e iniciuara nga Komuna e Tetovës për Këshill Rinor Lokal janë një shpresë se ndoshta situata po shkon drejt përmirësimit dhe të rinjtë do fitojnë zërin e tyre, por i ngelet kohës dhe proceseve aktuale të dëshmojnë për fatin e rinisë tetovare.

Ky material  është realizuar me përkrahje të projektit “Young Journalists Network” i Democracy Lab në bashkëpunim me Ambasadën e ShBA-ve në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button