Trenat në linjën Shkup-Kumanovë nuk funksionojnë përkohësisht, hekurudha nuk ka mjaftueshëm makinistë për lokomotivat

Udhëtarët, të cilët çdo ditë udhëtojnë në linjën Shkup-Tabanoc ankohen se prej disa ditësh nuk funksionojnë katër palë trena. Redaksia e agjencisë së lajmeve Meta ka pranuar ankesë nga një qytetar për anulimin e trenave, të cilët nisen çdo ditë nga Shkupi për në Kumanovë dhe Tabanoc në orën 04:01, 6:45, 16:25 dhe 20:00, si dhe nga Tabanoci e Kumanova për në Shkup në 05:15, 8:00, 17:40 dhe 21:15.

Ndërsa nga Stacioni Hekurudhor në Shkup konfirmuan se trenat Shkup-Tabanoc-Shkup përkohësisht nuk funksionojnë, duke na informuar se aktualisht trafiku hekurudhor nga kryeqyteti shkon vetëm drejt Velesit, Gjevgjelisë dhe Manastirit.

Hekurudhat e RMV-Transporti konfirmuan, për Meta.mk, se trenat në linjën Shkup-Tabanoc-Shkup përkohësisht nuk funksionojnë për shkak të mungesës së makinistëve dhe mungesës së mjeteve për tërheqje dhe mjeteve që tërhiqen. Premtojnë se qarkullimi hekurudhor në këtë linjë do të normalizohet nga 1 gushti.

Nga kompania hekurudhore sqarojnë se, në linjën Shkup-Kumanovë, gjatë muajit të fundit kanë lëshuar vetëm shtatë bileta mujore, kurse të gjithë udhëtarët të cilët aktualisht kanë bileta mujore dhe nuk mund të udhëtojnë me tren, munden për pjesën e pashfrytëzuar të muajit korrik të parashtrojnë kërkesë për rimbursim dhe fondet e papërdorura nga biletat mujore do t’u kthehen.

Për momentin nga Hekurudhat e RMV-Transporti nuk ka informacion se kur trenat e udhëtarëve në linjat Shkup-Kërçovë-Shkup, Shkup-Koçani-Shkup dhe Shkup-Prishtinë-Shkup do të rikthehen në qarkullim. Treni i shpejtë për në Prishtinë nuk është në funksion që nga fillimi i pandemisë kovid-19 në mars 2020, ndërsa qytetarët nuk kanë mundur të udhëtojnë me tren për në Kërçovë dhe Koçan që nga maji i vitit të kaluar.

Meta.mk tashmë ka shkruar për të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), të cilat tregojnë në vitin 2021se me tren kanë udhëtuar vetëm 252.000 udhëtarë në vend, që është më pak se në vitin 2020 dhe është padyshim rezultati më i keq në historinë e Hekurudhave të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button