Stojanov: Pa maska N95 mos hyni në markete dhe autobusë

Periudhën e fundit, numri i rasteve të reja me kovid në vendin tonë ka ardhur vazhdimisht duke u rritur, por edhe në vendet e rajonit dhe më gjerë. Ajo që vihet re nga raportet e përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë është se numri i riinfektimeve është në rritje, çka tregon se ata që e kanë kaluar tashmë nuk janë rezistent ndaj virusit. Po ashtu, nëse deri para pak ditësh përqindja e personave pozitivë nga numri i përgjithshëm i të testuarve ishte rreth një e treta, statistikat e fundit të ditës së djeshme tregojnë se 44.6 për qind e të testuarve ishin pozitivë, transmeton Portalb.mk.

Ndërkohë që sot pritet që anëtarët e Komisionit për Sëmundjet Infektive të vendosin nëse dhe cilat masa do të ndërmerren për mbrojtjen e popullatës, epidemiologët vlerësojnë se më e rëndësishmja dhe e nevojshme është kthimi i mbajtjes së detyrueshme të maskave.

Të njëjtat masa përsëriten për dy vjet e gjysmë

“Të njëjta masa i flasim dy vite e gjysmë, e njëjta vlen edhe tani. Të shmangen kontaktet personale, të mos hyjet në turma, të mos hyjet në tregje, në autobus. Nëse veçmë hyni, të vendoset maskë edhe atë jo të zakonshme kirurgjikale, por maskë N95. Turmat duhet të shmangen sepse aty ku ka shumë njerëz, aty përhapet kovidi. Në të gjitha vendet turistike shifrat janë rritur. Në Mykonos më shumë se 53.4 e popullsisë totale është pozitive. Ky nënvariant omikron përhapet shumë lehtë. Nuk e di nëse bëhet sekuencimi në vendin tonë, por varianti është ai”, thotë epidemiologu Aleksandar Stojanov.

Siç thotë ai, e mira e kësaj situate është se në muajt e verës shkollat ​​nuk punojnë, por edhe numri i fëmijëve që frekuentojnë kopshtin është më i vogël. Sipas tij, do të ketë mbrojtje më të mirë kur të zhvillohet vaksina e re, e cila do të jetë më efektive për të gjitha llojet e virusit.

“Këto vaksina që kemi tani janë të dimenzionuara në virusin nga Wuhani. Moderna dhe Pfizer tashmë po bëjnë vaksinë të re, presim ta kemi në shtator. Autoritetet duhet t’u thonë pa pushim njerëzve që të vaksinohen sepse as 50 për qind nuk janë vaksinuar me dy doza. Me dozën e tretë, maksimumi 20 për qind e popullsisë. Nuk mund të mendosh në drejtimin që “kam dy doza dhe mjafton”, paralajmëron Stojanov.

Deri më tani janë vaksinuar 46.6 për qind e popullsisë

Që nga fillimi i procesit të vaksinimit në vend, 46.6 për qind e popullsisë së përgjithshme janë vaksinuar me dy doza, gjegjësisht 856.132 persona kanë marrë dy doza. Për krahasim, në Slloveni, e cila ka afërsisht të njëjtin numër banorësh sa Maqedonia e Veriut, nga vendet e rajonit, të vaksinuar me dy doza janë 57 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Për Meta.mk, nga Ministria e Shëndetësisë informuan se nga 1 korriku e në vazhdim, pasi u dha mundësia e vaksinimit me dozën e katërt, në rreth njëzet ditë janë vaksinuar gjithsej 4.259 persona. Shumica e këtyre vaksinave janë për dozën e katërt, gjegjësisht 3472. 648 persona morën dozë të tretë në këto njëzet ditë. Me dozën e parë të vaksinës janë vaksinuar vetëm 76 qytetarë dhe me të dytën 63.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button