RMV, procedura për ndryshime kushtetuese nuk do të nisë para pushimeve

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, sot prezantoi kornizën kohore për fillimin dhe përfundimin e procesit të shqyrtimit me Bashkimin Evropian. Siç thuhet, nëse ndiqet afati kohor nga Brukseli, shqyrtimi duhet të përfundojë deri në nëntor 2023, transmeton Portalb.mk.

Pas prezantimit, disa nga pyetjet e gazetarit kishin të bënin me detyrimin për ndryshimin e Kushtetutës, përkatësisht përfshirjen e bullgarëve në të, gjë që duhet të ndodhë para konferencës së radhës ndërqeveritare në të cilën do të hapen klasterët. Më saktë, gazetarët kërkonin përgjigje se kur do të nisin ndryshimet kushtetuese, duke qenë se skriningu do të zgjasë deri në fund të vitit të ardhshëm.

“Ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës zgjatën më shumë se katër muaj. Nuk kemi ende një kalendar fiks për amendamentet kushtetuese, por është detyrim që duhet ta përfundojmë më së voni deri në fund të skriningut. Do të shqyrtojmë me kujdes rrethanat, atmosferën, dialogun në Parlament. Qëllimi është të përfundojmë me sukses…. Sigurisht që do të jetë pas pushimeve verore. Atëherë do të mund të flasim për kalendar të saktë. E rëndësishme për ne është që të ecim as shumë shpejt e as shumë ngadalë. Gjëja më e rëndësishme është që rezultati të jetë pozitiv”, tha Mariçiq.

Në pjesën e mëtutjeshme të përgjigjeve, Mariçiq ka sqaruar se këto amendamente kushtetuese për nga përmbajtja janë më të lehtat deri më tani. Arsyeja, shtoi ai, është se vetëm duhet të shtojmë disa komunitete (përveç bullgarëve, malazezëve dhe kroatëve) në shtatë tashmë të përmendura në Kushtetutë. Koncepti ynë i Kushtetutës është i tillë që lejon ndryshime të tilla, vazhdoi Mariçiq, duke kujtuar se kështu ka qenë për 20 vjet.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociata nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Në Samitin e fundit të BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button