Reagim i IRL-së, Komitetit të Helsinkit dhe SHMJR: Institucionet u përpoqën të relativizojnë gjetjet në rastin “Gjaku i pistë”

Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet e tjera shtetërore që morën pjesë në konferencën e djeshme për media, dëshmuan edhe një herë sesi institucionet vetëm me përmbajtjen dhe sidomos me mënyrën e të shprehurit e rrisin mosbesimin e përgjithshëm të qytetarëve ndaj institucioneve. Kjo vjen në një kohë kur duhet të ekspozohen parregullsitë që kanë rezultuar me pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e njerëzve, siç theksohet nga dokumentari i IRL “Gjaku u papastër”, thuhet në reagimin e IRL-së, Komitetit të Helsinkit dhe Shoqata maqedonase e juristëve të rinj, transmeton Portalb.mk.

Ata shtojnë se mesazhet bindëse të ministrit Bekim Sali se askush nuk është mbi ligjin, se nuk ka të paprekshëm dhe se çështja do të ketë zgjidhje ligjore, u zbutën menjëherë me deklarata paushalle dhe të papërshtatshme se “kovid është sëmundje e re dhe se asnjë vend nuk mund të konfirmojë se ajo çfarë është bërë gjatë pandemisë është mjekësi e bazuar në prova.”

“Është e pashmangshme përshtypja se personat kompetentë nga Ministria e Shëndetësisë, Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor, Oda e mjekëve dhe Agjencia e barnave, të cilët u drejtuan në konferencën për media, u përpoqën të relativizojnë gjetjet dhe deklaratat nga filmi dokumentar. Si zakonisht, përgjegjësinë për përgjigjet i gjuajtën tek institucionet tjera dhe i bënë thirrje publikut dhe mediave për më shumë kohë, që institucionet kompetente të konstatojnë gjendjen faktike”, thuhet në reagim.

Ata kujtojnë se të gjitha institucionet tashmë ishin njohur me hulumtimin e IRL-së disa muaj para se të publikohej hulumtimi dokumentar. Në mënyrë shtesë, thonë ata, një pjesë e pretendimeve që u bënë, se metoda e kontestuar nuk është pjesë e protokolleve të trajtimit përgjithësisht të pranuara, ishin të njohura që në fillim të praktikës së saj. Megjithatë, nuk u morën masa konkrete. Gjithashtu, familjarët e pacientëve kanë reaguar prej dy vitesh pranë institucioneve, por nuk kanë marrë përgjigje nëse është bërë ndonjë gjë. Për këtë qytetarët iu drejtuan redaksive të IRL-së. Disa prej tyre kanë ngritur edhe kallëzime penale, siç është familja Brezevi, e cila ka më shumë se tetë muaj në pritje të zgjidhjes ligjore, për kallëzimin penal për trajtimin e të ndjerit Nikolla Brezev në spitalin klinik “Zhan Mitrev”.

“Faktet që i prezantoi Ministria e Shëndetësisë duhej të bindin opinionin se në zinxhirin e përgjegjësisë për rastin “Gjaku i pistë”, Qendra pë Shëndet Publik është institucioni i parë që merr informacion nëse ka infeksione intraspitalore në ndonjërin prej  prej institucioneve shëndetësore. Megjithatë, në konferencën për media nuk kishte asnjë përfaqësues nga ky institucion kyç, gjë që tregon për transparencë të pamjaftueshme dhe ngre dyshime shtesë. Mbetet e paqartë se përse asnjë institucion nuk ka reaguar para publikimit të dokumentarit, duke pasur parasysh faktin se hemofiltrimi prej muajsh reklamohej në mënyrë agresive në televizion nga pronari i spitalit, doktor Zhan Mitrev. Sidomos sepse ministri i mëparshëm i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili ishte në pozitë kur u bë realitet pandemia e COVID, e bindi publikun se metoda e hemofiltrimit (filtrimi i gjakut) nuk është testuar dhe as nuk garanton nga ana mjekësore shpëtimin nga virusi korona, e cila mori mijëra jetë në Maqedoni”, thuhet në reagim.

Në fund, ata i bënë thirrje Prokurorisë Publike që t’i qaset me seriozitet këtij rasti dhe veçanërisht t’i kushtojë vëmendje veprimeve të institucioneve shtetërore në kontrollin e institucioneve shëndetësore publike dhe private. Duke pasur parasysh denoncimet e shumta të qytetarëve që kanë mbërritur këto ditë në organizatat e tyre, i bënë thirrje Prokurorisë Publike që sa më shpejt të informojë opinionin për masat e marra.

Hulumtimi i gazetarëve të IRL-së tregoi se spitali privat i cili ka pranuar më së shumti pacientë gjatë pandemisë së kovid-19 dhe në të cilën mjekimi ka kushtuar dhjetëra mijëra euro, e ka zbatuar metodën e hemofiltrimit (pastrimit të gjakut) e cila praktikisht ka qenë studim klinik. Në kundërshtim me ligjin, studimet klinike nuk janë paraqitur dhe miratuar nga MALMED.

Në publikimet shkencore të publikuara në bazë të studimeve klinike në “Zhan Mitrev”, shkruan edhe se një pjesë e madhe e pacientëve kanë marrë infeksione interhospitale gjatë kohës së mjekimit. Atë e konfirmojnë edhe një pjesë të familjarëve të pacientëve të vdekur në spital. Sipas Qendrës për Shëndet Publik – Shkup, Klinika “Zhan Mitrev” asnjëherë nuk ka paraqitur paraqitje të infeksioneve interhospitale, edhe pse sipas ligjit duhet t’i njoftojë organet shtetërore.

Për rastin në fjalë, Prokuroria ka nisur hetim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button