Prej javës së ardhshme pesë ambulanca kovid në Shkup, nuk ka masa të reja mbrojtëse

Prej javës së ardhshme do të fillojnë me punë pesë ambulanca kovid në Shkup. Po bëhen përpjekje për sigurimin e kuadrit dhe pajisjeve edhe për qytetet tjera, me çka do të përforcohet mbrojtja shëndetësore primare dhe do të mundësohet testim më i shpejtë dhe më i thjeshtë i të sëmurëve, njofton Portalb.mk.

Ambulancat kovid do të vendosen në poliklinikat  Idadija, Gjorçe Petrov, Jane Sandanski, Çento dhe Çair. Ata do të punojnë prej 07:30 deri në 19:30 çdo ditë dhe në të do të ketë mjek kujdestar, sipas parimit të rotacionit. Testimi i qytetarëve që kanë simptoma të kovidimit do të bëhet me teste të shpejta antigjen.

Sipas kryetarit të Komisionit të Sëmundjeve Infektive, Zllate Memedoviq, gjendja është stabile dhe nuk ka nevojë për miratimin e masave mbrojtëse shtesë.

“Gjendja epidemiologjike në pajtueshmëri me të gjitha parametrat që i kemi, a ato janë numri i të hospitalizuarve, numri i krevateve të lirë dhe numri i të vdekurve ende është në shkallën e zonës së gjelbër. Në pajtueshmëri me këtë, nuk do të ketë masa preventive të cilat i rekomandon komisioni”, deklaroi Mehmedoviq, pas mbledhjes së sotme të Komisionit të Sëmundjeve Infektive.

Sipas tij, ka rritje të lartë të shpërndarjes së virusit, por i njëjti nuk shkakton shpesh simptoma seriozë dhe të infektuarit nuk përfundojnë në spital.

“Në rast se rritet numri i rasteve më serioze, sistemi është i gatshëm”, deklaroi Mehmedoviq.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut vazhdon rritja alarmante e të infektuarve me COVID-19. Vetëm në 24 orët e fundit prej 1.631 të testuarve, pozitivë kanë rezultuar 788 persona. Ministria e Shëndetësisë i publikoi të dhënat e detajuara për virusin korona në vend për 24 orët e fundit

Në seancën e kaluar Komisioni për Sëmundje Infektive nuk ka miratuar masa shtrënguese shtesë.

Masat për mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse në transportin publik, objektet shëndetësore, farmacitë dhe ambientet për kujdesin e të rriturve dhe personave me aftësi të kufizuara mbeten të vlefshme.

Komisioni u bën thirrje qytetarëve që të kujdesen për shëndetin e tyre, të shmangin vizitat në ambiente të mbyllura dhe të paajrosura, përveç rasteve urgjente. Në raste të tilla rekomandohet mbajtja e maskës mbrojtëse dhe mbajtja e distancës.

Javën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë rekomandoi mbajtjen e maskave në dhoma të mbyllura gjatë qëndrimeve të gjata dhe ventilim të rregullt.

“Kur qëndroni në ambient të mbyllur për një kohë të gjatë, duhet të vendosen maska ​​dhe personat nga kategoritë e rrezikut duhet të mbajnë maskë të paktën FPP2 ose H95 ose FFP3. Ambientet në të cilat njerëzit qëndrojnë më gjatë (zyrat, klasat në kopshte, dhomat e mbledhjeve, etj.), si dhe ambientet sportive, duhet të inspektohen dhe dezinfektohen rregullisht. Të shmangen grumbullimet e panevojshme në grupe të mëdha dhe kur është e mundur të ruhet distanca prej dy metrash”, njoftoi Ministria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button