Si t’u japim jetë të dytë rrobave të vjetra – zgjidhje efektive për ripërdorimin e tekstilit

Në periudhat kur ngrohet moti, është koha kur në përgjithësi i pastrojmë shtëpitë dhe dollapët tanë. Rrobat e dimrit i zëvendësojmë me ato verore, blejmë edhe rroba të reja, por çfarë ndodh me rrobat dhe këpucët tekstile që nuk do t’i veshim më?

Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, indeksi i prodhimit industrial është në rritje. Rritje në sektorin e industrisë përpunuese është shënuar edhe në prodhimin e veshjeve. Nga ana tjetër, tek ne nuk mbahet evidencë statistikore se sa rroba blejmë, në muaj apo në vit. Por sipas Qendrës për nxitjen e importeve nga vendet në zhvillim (CBI) një person mesatar blen 60 për qind më shumë rroba çdo vit, duke krijuar një sasi të madhe mbeturinash, shkruan Meta.mk.

Industria e tekstilit, gjatë gjithë procesit të prodhimit, është gjithashtu shumë e varur nga uji i pastër. Sipas OJQ-së, Global Fashion Agenda (Agjenda Globale e Modës) nga Kopenhaga, shkencëtarët vlerësojnë se tekstili prodhon 35 për qind të ndotjes mikroplastike në oqeanet e botës, gjë që e bën atë një nga burimet më të mëdha të njohura të ndotjes me mikroplastikë.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë gjithashtu se për të bërë një palë xhinse nevojiten gati 8000 litra ujë. Ndërkohë një person mund të pijë këtë sasi brenda shtatë vitesh. Rreth 1,7 miliardë tonelata dyoksid karboni në atmosferë vijnë çdo vit nga industria e veshjeve dhe tekstilit. Ekspertët nga Instituti i Resurseve Botërore kanë përllogaritur që nëse konsumi vazhdon me këtë ritëm, deri në vitin 2050 do të na duhen tre herë më shumë resurse natyrore se sa sasitë që i konsumonim në vitin 2000.

Për të mbrojtur mjedisin dhe për të reduktuar mbetjet e tekstilit në botë, vitet e fundit janë shfaqur disa iniciativa që gjejnë mënyra kreative dhe inovative të përpunimit të tekstilit. Por tek ne, rrobat dhe pëlhurat e tjera që nuk i përdorim shpesh përfundojnë në deponi të përziera me mbeturina të tjera dhe rrallë herë riciklohen.

E shprehur në tonelata, vitin e kaluar janë përzgjedhur vetëm 8.737 tonelata mbetje tekstili.

Më së shpeshti, copat e rrobave dhe tekstileve të përdorura që nuk na duhen, përfundojnë pranë koshave, duke shpresuar se dikush do të gjejë diçka që i nevojitet. Kur nuk përfundojnë me mbeturinat e tjera, shpesh i shohim si lecka të shpërndara nëpër trotuare dhe parqe lagjesh.

Foto; Meta…mk

Në Shkup ka disa kontejnerë të Kryqit të kuq ku mund të dhuroni rrobat e ruajtura mirë dhe të pastra, këpucë, shtroje, batanije, peshqirë, lodra, çanta, dekorime, aksesorë mode dhe shumë produkte tekstili. Donacionet i pranojnë persona në rrezik social (familje, persona të vendosur në familje kujdestare dhe persona të vendosur në institucione), kurse një pjesë mund të blihet edhe në qendër të qytetit në ndërmarrjen sociale “Kopçe” (Pulla) me çmime shumë të ulëta.

Foto; Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit

Përveç këtij opsioni, në rrjetet sociale ka disa profile të onlajn dyqaneve që shesin ose dhurojnë rroba të përdorura. Blerja e rrobave të përdorura është shumë e popullarizuar në botë, në shumë vende evropiane disa copa arrijnë çmime shumë të larta sepse konsiderohen antike.

Në vendin tonë janë të rralla nismat nëpërmjet të cilave të rinjtë kanë mundësi të rifreskojnë dollapët  e veshjeve duke i shkëmbyer apo ripërdorur. Përfaqësues të disa prej markave të njohura të stilistëve vendas në një bisedë për Meta.mk thonë se në koleksionet e tyre nuk mund fare të përdorin tekstile tashmë të përdorura.

“Imagjinoni se si do të dukej nëse do të përdornit, për shembull, ndonjë copë mëndafshi jashtëzakonisht cilësor, por kur ta shqepni ai nuk është më i përdorshëm. Realisht bota ka ecur shumë përpara në këtë drejtim, përdoren edhe materiale organike. Por nëse e prezantojmë, nuk do të jemi konkurrente me çmimet”, tha për Meta.mk Silvana Çabuleva, drejtoreshë në “Elena Luka”.

Ndërsa shtëpitë e mëdha të dizajnit, për arsye të ndryshme, mendojnë se nuk është e lehtë që një veshje të rimodelohet, ka stilistë të rinj që e bëjnë këtë.

This slideshow requires JavaScript.

Katerina Dimitrovska nga Manastiri, marka e së cilës njihet me emrin Luna Aditya, beson se tekstili jo vetëm që mund të përdoret një ose dy herë, por ai ka shumë jetë. Prandaj, sipas saj, menaxhimi i tekstileve të përdorura duhet të rregullohet shumë më seriozisht. Me fjalë të tjera, ajoi thotë se duhet të ketë kontejnerë që do të destinohen posaçërisht për deponimin e tekstilit,  kurse me fabrikat e tekstilit duhet të rregullohet ripërdorimi i copave të pëlhurës që mbeten nga përpunimi i konfeksionit.

“Për fat të keq, pothuajse nuk ka fare bashkëpunim me fabrikat. Më intereson shumë Lëvizja ‘Zero mbetje’ si në jetën time personale ashtu edhe në atë profesionale. Kështu unë i bëj krijimet e mia, duke përdorur ose copa të vogla pëlhure të mbetura nga qepja dhe nga shitja  e  copave që askush nuk do t’i blinte më, ose rroba tashmë të përdorura. Më tej i riformoj, i lyej dhe i qëndisi dhe i dizajnoj në mënyra të ndryshme. Copat e vogla i përdori për mbushje, nuk hedhi asgjë. Ka raste kur gjej numër më të madh ekzemplarësh të një veshjeje dhe për mua është mundësi për të krijuar copë të re, me një pamje krejtësisht tjetër, për të cilën në rrethana të tjera do të më duhej ta blija materialin nga ndonjë dyqan tekstili“, tha Dimitrovska.

Dizajnerja e re është e kënaqur me interesin për veshjet unike që i bën.

“Klientët e mi janë kryesisht të rinj. Por edhe një numër i madh i femrave të rritura që duan të blejnë diçka. Nuk e kanë aspak problem që do të veshin diçka që është krijuar nga materiali i përdorur tashmë. Madje mendoj se njerëzve u mungon diçka e tillë”, tha Dimitrovska.

Në mungesë të bashkëpunimit me fabrikat e mëdha, Dimitrovska bashkëpunon me platformën Vtoro azno (Thesari i dytë) Ata organizojnë ngjarje sezonale për shkëmbimin e rrobave dhe sendeve të tjera (libra, aksesorë etj.). Prej sivjet, tashmë kanë krijuar praktikë të 4 shkëmbimeve gjatë vitit, sipas sezonit aktual, pikërisht kur të gjithë pastrojmë dollapët dhe heqim qafe atë që nuk na nevojitet. Ata organizojnë edhe ngjarje të jashtëzakonshme, kështu që këtë vit morën pjesë në festivalin “D Fest” në Dojran, ku organizuan shkëmbim veshjesh për vizitorët e festivalit, si dhe ridizajn.

“Përveç nesh, thuajse nuk ka fare nisma të tjera për riciklimin e tekstilit, të paktën jo ato që merren seriozisht dhe praktikisht me këtë çështje dhe ofrojnë ndonjë zgjidhje afatgjatë. Mbetjet e tekstilit nga familjet ende hidhen me mbetje të përziera në deponi, dhe kjo paraqet  kërcënim serioz për mjedisin jetësor. Pavarësisht trendit të marketingut të gjelbër, i cili shpesh përfaqëson të ashtuquajturat greenwashing  (pastrim i gjelbër), rrobat tona sot janë kryesisht prej materialesh sintetike, shpesh forma plastike, të cilat jo vetëm janë në kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën kur i veshim, por pas asgjësimit ato shpërbëhen në grimca mikroplastike, të cilat më pas e ndotin tokën dhe ujin, si dhe ajri me djegien e tyre dhe lëshimin e gazrave të dëmshëm”, tha Ana Todorovska nga Vtoro Azno.

Ajo ndryshimin real dhe afatgjatë e sheh në kthimin në praktikën e brezave të gjyshërve tanë të prodhimit të tekstileve ekskluzivisht nga materiale natyrore dhe refuzimit të plotë të përdorimit të materialeve sintetike.

Sipas Todorovskës, sikurse tha dizajnerja Dimitrovska, nga ajo që tashmë është prodhuar dhe me të cilën kemi për momentin, duhet të krijohet dhe zbatohet një sistem i qëndrueshëm i menaxhimit të mbeturinave të tekstilit dhe ripërdorimi maksimal i mundshëm i tekstilit që e ka humbur  funksionin primar.

“Mendoj se tema e tekstilit të përdorura është ende një temë tabu sepse lidhet drejtpërdrejt me idenë e një lloj statusi social. Nisma nga Vtoro Azno (Thesari i Dytë) synon të rrëzojë atë mit dhe të popullarizojë rrobat e përdorura dhe të gjithë konceptin e ripërdorimit, pikërisht përmes ngjarjeve. Tashmë ka vizitorë të rregullt që rregullisht gjejnë copa të përshtatshme dhe largohen të kënaqur. Ka edhe disa iniciativa të tjera lokale që merren me ngritjen e vetëdijes për këtë çështje, siç është Fashion Revolution Macedonia”, tha Todorovska.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se ne ende jetojmë në një shoqëri konsumatore që dikton ritmin e blej-hedh-blej, kurse ne tashmë po i ndjejmë pasojat e këtij stili të jetesës – ne, në kuptimin e plotë të fjalës, po varrosemi në plehrat tona, kurse kjo nuk është e qëndrueshme në një planet me resurse të kufizuara.

“Prandaj Vtoro Azno përfshin elemente të modelit të ekonomisë rrethore, lëvizjen zero mbeturina dhe i referohet motos “E panevojshmja për ty është pasuri për tjetrin”, tha Todorovska.

Dhe derisa aktivistët e rinj gjejnë zgjidhje konkrete dhe efektive, menaxhimi i mbeturinave të tekstilit në institucionet e Maqedonisë mbetet vetëm në letër. Sipas Planit për Menaxhimin e Mbeturinave të Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën 2021-2031, grumbullimi i veçantë i tekstileve si dhe i mbeturinave të rrezikshme nga amvisëritë pritet të zgjatet deri në vitin 2025.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button