Kovaçevski: Me investimin e ri prej 200 milionë euro po bëhemi udhëkryq në Ballkan, duke e lidhur vendin me korridoret hekurudhore rajonale dhe evropiane

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçesvki, sot mbajti fjalim me rastin e ndërtimit të hekurudhës për fazën e parë dhe të dytë të Korridorit 8 dhe rikonstruimin e hekurudhës së Korridorit 10.

Në nënshkrimin e marrëveshjeve morën pjesë zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, ministri i Financave Fatmir Besimi dhe ministri për Transport dhe Lidhj, Bllagoj Boçvarski, si dhe përfaqësuesit e kompanive “Savazh”, “Shtrabag”, “Gjulermak” dhe “MTV” dhe nga Delegacioni i BE-së dhe BERZH-it.

“Bëhet fjalë për një investim prej 200 milionë euro në të cilin planifikohet revitalizimi i Korridorit 8 në aksin Kumanovë – Beljakovc, Beljakovc – Kriva Pallankë dhe remonti i aksit Nogaevc – Negotinë në Korridorin 10. Punimet e ndërtimit, të cilat përfshijnë revitalizimin përveç përmirësimit të karakteristikave teknike të hekurudhës, do të sigurojnë modernizim të plotë sipas standardeve evropiane përmes ndërtimit të urave të reja, vendosjes së barrierave të sigurisë dhe mbrojtjes nga zhurmat dhe vibracionet, instalimin e pajisjeve të reja të sinjaleve për sigurim, ndërtimin e stacioneve të reja hekurudhore, etj. Urime institucioneve për procedurën komplekse të zbatuar me sukses për përzgjedhjen e kontraktorëve në përputhje me rregullat e BERZH-it dhe urime kompanive të përzgjedhura nga të cilat presim realizim  cilësor dhe në kohë në përputhje me marrëveshjen”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se realizimi i investimeve të planifikuara në infrastrukturën hekurudhore në korridoret 8 dhe 10 është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm nga i cili do të përfitojë edhe Republika e Maqedonisë së Veriut, por edhe rajoni.

“Me këtë investim infrastrukturor hapen dhe praktikisht ofrohen tregje të reja për kompanitë vendase. Kompanitë tona do të lidhen më lehtë dhe më shpejt me rajonin dhe më gjerë, gjë që hap shumë mundësi të reja për prosperitet dhe zhvillim ekonomik. Rrugët alternative të ofruara nga ky investim do të nënkuptojnë përfundimisht transport më të lirë për kompanitë, duke ulur barrën mbi ekonominë që sjell kriza ekonomike dhe energjitike në të cilën ndodhemi. Investimi padyshim do të thotë edhe përmirësim i parametrave makroekonomike të shtetit, të rëndësishme ne kohë të krizës globale ekonomike. Me rehabilitimin e Korridorit 8 pas gati 30 vitesh, hekurudha që lidh Republikën e Maqedonisë së Veriut me Republikën e Bullgarisë po bëhet realitet. Ky projekt do të jetë i një rëndësie më të gjerë për ekonominë, për biznesin, por edhe një kontribut në agjendën evropiane për një lidhje funksionale hekurudhore të të gjithë rajonit”, shtoi Kovaçevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button