MASH dhe Komuna e Tetovës u përplasën për kompetencat e emërimit dhe shkarkimit të drejtorit të gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”

Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se Komunës së Tetovës ia  merr  kryerjen e punëve për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të Shkollës së Mesme Komunale Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” – Komuna e Tetovës, sepse, sipas tyre, edhe përkundër  masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, nuk ka siguruar kryerjen e punëve që i përcakton ligji si kompetencë e tij.

“Më 8 korrik Inspektorati Shtetëror i Arsimit e njoftoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës se me iniciativë të drejtorit të shkarkuar të shkollës është kryer inspektim i jashtëzakonshëm në SHMKGJ  “Kirill Pejçinoviq” në Komunën e Tetovës. Mirëpo është konstatuar se Kryetari i Komunës së Tetovës ka shkarkuar drejtorin pa procedurë të zhvilluar paraprake në përputhje me ligjin dhe ka emëruar ushtrues detyre”, thonë nga MASH.

Ata shtojnë se Inspektorati njoftoi  kryetarin e komunës për procedurën e kundërligjshme.

“Në përputhje me ligjin, Inspektorati kreu  inspektim kontrollues, për të konstatuar nëse kryetari i Komunës së Tetovës ka vepruar sipas Udhëzimit. Është konstatuar se Aktvendimi për shkarkimin e drejtorit ende nuk është anuluar, ndërsa funksionin ushtrues detyre  ende e ushtron  drejtori i ri i emëruar. Kryerjen e punëve në pajtim me Ligjin e merr Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në emër dhe llogari të komunës në kohëzgjatje prej  12 muajve”, thuhet në kumtesë.

Komuna e Tetovës ka reaguar lidhur me vendimin MASH, ku sipas tyre, nga vet mënyra e kumtimit të këtij vendimi të cilin Komuna e Tetovës e ka marrë përmes gazetarëve, tregon seriozitetin dhe peshën e këtij pushteti të çoroditur, gjegjësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila, siç thonë ata, nuk e sheh të arsyeshme që në mënyrë zyrtare të komunikojë.

“Së pari njoftojmë opinion se vendimin për shkarkimin e ish drejtoreshës se gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e ka marrë në bazë të propozimit të këshillit të gjimnazit, ku ligji për arsim të mesëm e obligon kryetarin e komunës  që në afat prej 15 ditëve të veproj sipas propozimit nga këshilli i shkollës, i njëjti ka vepruar në bazë të raportit të revizionit komunal ku janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe keqpërdorimesh financiare që kanë dëmtuar buxhetin e shkollës. Ky vendim nuk ka se si të llogaritet ndryshe përveçse vazhdimësi e politikave hakmarrëse kundër qytetarëve të Tetovës, vetëm e vetëm se kjo komunë nuk menaxhohet nga pushteti qendrore aktual. Për ironi edhe më të madhe, ne jemi dëshmitarë ku vetëm para disa ditëve, patëm rastin qe të ndjekim video inçizimet se si vëllai i një kryetari të komunës, i cili hyn dhe pa fije turpi vjedh dokumentacionin nga dosja e shkollës për të fshehur keqpërdorimet e bëra, kurse MASH nuk pati asnjë reagim lidhur me këtë, por përkundrazi mbrojti keqpërdorimet dhe krimin”, reagojnë nga Komuna e Tetovës.

Komuna e Tetovës pyet ministrin se a është i vetëdijshëm për këto veprime apo thjesht ia dërgojnë letrat qe t’i nënshkruaj dhe pranon urdhrat nga shefi i tij A.G, i cili, siç thonë nga komuna, qartazi dallohet se është i gatshëm të bëj gjithçka, vetëm e vetëm t’u hakmerret qytetarëve  të Tetovës për humbjen në zgjedhjet lokale.

“Dhe për në fund, ju informojmë se për rastin në fjalë Komuna e Tetovës do të informojë të gjitha përfaqësitë diplomatike të vendeve mike në rend të parë Uashingtoni dhe Brukseli”, thuhet në reagim.

Ndryshe, më 12 maj Komuna e Tetovës e ka shkarkuar drejtoreshën e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Llalla me akuzat se ka kryer keqpërdorime financiare. Vendimi i Komunës për shkarkim, siç kanë deklaruar, është bazuar në raportin Revizionit të brendshëm komunal dhe është vërtetuar edhe nga Këshilli i Shkollës. Në një deklaratë për mediat, Llalla mohon akuzat.

Në vend të Llallës, drejtoreshë u emëruar profesoresha e gjuhës angleze, Hatije Azizi-Etemi e cila e konfirmoi informacionin për Portalb.mkAzizi-Etemi është ish-këshilltare komunale nga Lëvizja Besa në përbërjen e këshillit të kaluar në Komunën e Tetovës. Ajo është anëtare e kryesisë qendrore të kësaj partie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button