Rusia mbetet furnizuesja më e madhe e naftës në Kinë

Në qershor, për të dytin muaj me radhë, Rusia ishte furnizuesja kryesore e Kinës me naftë, teksa blerësit po shmangin blerjen e naftës së papërpunuar të Arabisë Saduite, duke shfrytëzuar furnizimet me çmim të lirë që po ofron Moska, transmeton REL.

Sipas të dhënave të tregut, të prezantuara nga Reuters më 20 korrik, importet kineze të naftës ruse ishin 7.29 milionë tonë në qershor, apo pothuajse 10 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë. Sasia e naftës ruse ishte për mbi 2 tonë më shumë sesa që Kina ka blerë nga Arabia Saudite, furnizuesja tradicionale me naftë e Pekinit.

Me konsumatorët perëndimorë që po shmangin naftën nga Rusia për shkak të pushtimit të Ukrainës, Moska i është drejtuar tregjeve në Azi dhe gjetkë për të mbushur boshllëkun.

Bloomberg raportoi më 19 korrik se India ka importuar pothuajse 1 milion fuçi naftë në ditë në muajin qershor. Ky shtet më herët pothuajse nuk kishte import të naftës ruse.

Sipas raportimeve, dërgesat me naftën e papërpunuar në Kinë kanë ngecur në javët e fundit, një shenjë se Azia mund të mos jetë e pajisur që të absorbojë krejtësisht naftën ruse, ashtu siç pritej.

Të dhënat po ashtu tregojnë se importet e Kinës për gazin e lëngshëm natyror të Rusisë arritën në 52.530 tonë, që paraqet vëllimin e dytë më të madh mujor që nga viti 2021.

Rusia ka ndërprerë furnizimet për disa shtete evropiane sepse ato po refuzojnë që të paguajnë naftën ruse me rubla.

Perëndimi ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe ka larguar Moskën nga institucione financiare dhe sisteme të pagesave ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button