Sali: Për 3 vjet në Zhan Mitrev janë kryer 3 inspektime të rregullta dhe 9 të jashtëzakonshme

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali sot mbajti konferencë për media në të cilën njoftoi më shumë detaje rreth rastit të spitalit klinik “Zhan Mitrev” pas rrëfimit të publikuar nga “IRL”, ku ishin bërë eksperimente mbi pacientët e sëmurë me Kovid-19. Sali njoftoi se në këtë spital janë bërë 3 inspektime të rregullta dhe 9 të jashtëzakonshme për tre vjet, transmeton Portalb.mk.

“Në 3 vite, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISSH) realizoi 45 inspektime të rregullta dhe 55 të jashtëzakonshme në 12 spitale private. Në Zhan Mitrev janë kryer 3 inspektime të rregullta dhe 9 kontrolle të jashtëzakonshme. Për momentin në MALMED është duke u zhvilluar takim pune me shërbimin e ekspertëve dhe me persona nga Zhan Mitrev për faktin se janë kryer studime klinike te pacientët. Si person, mjek dhe profesionist, ndjej përgjegjësi të thellë dhe jam i vendosur ta çoj deri në fund këtë rast. Duhet të ketë sistem që funksionon dhe mbron qytetarët”, tha Sali.

Hulumtimi i gazetarëve të IRL-së tregoi se spitali privat i cili ka pranuar më së shumti pacientë gjatë pandemisë së kovid-19 dhe në të cilën mjekimi ka kushtuar dhjetëra mijëra euro, e ka zbatuar metodën e hemofiltrimit (pastrimit të gjakut) e cila praktikisht ka qenë studim klinik. Në kundërshtim me ligjin, studimet klinike nuk janë paraqitur dhe miratuar nga MALMED.

Në publikimet shkencore të publikuara në bazë të studimeve klinike në “Zhan Mitrev”, shkruan edhe se një pjesë e madhe e pacientëve kanë marrë infeksione interhospitale gjatë kohës së mjekimit. Atë e konfirmojnë edhe një pjesë të familjarëve të pacientëve të vdekur në spital. Sipas Qendrës për Shëndet Publik – Shkup, Klinika “Zhan Mitrev” asnjëherë nuk ka paraqitur paraqitje të infeksioneve interhospitale, edhe pse sipas ligjit duhet t’i njoftojë organet shtetërore.

Për rastin në fjalë, Prokuroria ka nisur hetim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button