Gorani i dëshpëruar pasi s’mund ta gjejë vëllain e tij në Halkidiki: Nuk kthehem dot në shtëpi pa të

Nuk mund të kthehem në shtëpi pa vëllain tim, thotë Goran Jovanovski, vëllai i Martinit (31), i cili 11 ditë më parë u zhduk në Halkidiki, transmeton Portalb.mk.

Martini me dy shokë u zhdukën në ujë në plazhin Poseidy kur rrymat e forta i bartën nga bregdeti. Njëri u nxor pas disa orësh dhe tjetri u gjet pas 20 orësh kërkime. Ende nuk ka asnjë gjurmë apo zë nga Martini.

Familja e tij mbërriti në Greqi javën e kaluar dhe që atëherë ka marrë pjesë në kërkimin e vazhdueshëm për Martinin.

Gorani erdhi në Greqi me miq dhe vullnetarë nga vendlindja e tij, për të gjetur sa më parë vëllain e tij. Me të janë nëna, gruaja dhe foshnja e tyre dhjetë muajshe.

“Kemi dhjetë ditë që e kërkojmë në mënyrë aktive vëllanë tim dhe deri më tani nuk ka asnjë rezultat, asgjë”, shprehet i dëshpëruar Gorani.

Ai theksoi se kërkimi për Martinin kushton shumë dhe kërkoi ndihmë nga grekët dhe pushteti lokal, ndërsa falënderoi vullnetarët që po ndihmojnë me vetëmohim gjatë gjithë këtyre ditëve.

“Kërkimi po bëhet shumë i shtrenjtë. Marrim me qira avionë, dronë nënujorë me kamera termike, varka. Gjithçka po bëhet e paqëndrueshme financiarisht për familjen time. Dua të falënderoj vullnetarët që erdhën nga Maqedonia, vullnetarët grekë të shpëtimit që ishin me ne gjatë gjithë kësaj kohe dhe të gjithë njerëzit që dhanë donacione nga e gjithë bota. Nuk mund të bënim asgjë pa to. Ne i jemi mirënjohës edhe qeverisë greke, e cila zgjeroi hetimin”, tha Gorani.

Ai tha se ai dhe familja e tij janë “të bllokuar” në një vend të huaj, gjuhën e të cilit nuk e dinë.

“Nuk mund të shkoj në shtëpi pa vëllain tim. Nuk mund t’i them asgjë nënës sime. Si mund të shkoj në shtëpi pa vëllain tim? Prandaj i kërkoj qeverisë greke të na ndihmojë në çdo mënyrë, me avionë, drone, helikopterë… Në kërkim mund të ndihmojnë edhe civilët me varkat e tyre. Qytetarët mund të ndihmojnë edhe me dronë. Kemi një numër të kufizuar njerëzish dhe duhet kërkuar një hapësirë e madhe”, thotë vëllai i të riut të zhdukur.

Vullnetarët e shpëtimit thonë se droni i tyre nënujor është i përfshirë në kërkim dhe ata do të bëjnë çmos për të gjetur Martinin.

Aksioni i shpëtimit dhe kërkimit filloi të shtunën më 9 korrik pasdite, kur tre shtetasit e Maqedonisë së Veriut u futën në det në plazhin Miti në Posidi të Halkidikit. Disa prej të pranishmëve në plazh kishin vënë re se notarët ishin larguar dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimin bregdetar dhe më pas ka nisur aksioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button