fbpx

Kovaçevski: Negociatat me BE-në u hapën, është koha për optimizëm por edhe punë të përkushtuar

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas fillimit zyrtar të negociatave për anëtarësim të plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, mbajti konferencë për shtyp në Këshillin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Ai përgëzoi qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke thënë se ata janë më meritorët për ditën e sotme dhe se nuk iu dorëzuan asnjë sfide, para maleve me lëshime dhe kompromise të vështira, për të përmbushur ëndrrën e tyre për t’u qenë anëtare familjes evropiane, transmeton Portalb.mk.

“Më në fund, 17 vjet më vonë dhe shumë kompromise të vështira, hapet procesi për pranimin e Maqedonisë së Veriut në familjen e madhe evropiane, Bashkimin Evropian. Hapi i parë drejt së ardhmes sonë evropiane është bërë dhe ëndrra jonë tre dekadash është e arritshme. Sot është dita kur fillojmë të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e Maqedonisë. Kapitulli i zhvillimit të përshpejtuar, prosperitetit dhe stabilitetit”, deklaroi Kovaçevski.

Ai këtë ditë e konsideroi si historike, të shumëpritur dhe të merituar, duke nënvizuar se kjo ditë u kushtohet atyre, të gjithë qytetarëve tanë, por edhe të gjithë liderëve të shtetit, përfaqësuesve politikë, sektorit civil, punonjësve akademikë dhe shkencorë, biznesmenëve, gazetarëve dhe punonjësve të medias dhe mijëra administratorëve që, siç shtoi patën guximin të ëndërronin, të kenë një vizion dhe të punojnë shumë për ta përmbushur atë.

“Për të realizuar këtë objektiv strategjik kemi bërë shumë. Ne morëm vendime të vështira që kërkonin udhëheqje dhe guxim, mençuri dhe përgjegjësi. Vendime patriotike në interes të së ardhmes së fëmijëve tanë dhe të vendit. Këto vendime shtetërore janë një tregues i vërtetë se si shteti duhet. Nuk ka patriotizëm më të madh se një vizion dhe plan i qartë për të ardhmen, duke avokuar për prosperitetin e shtetit dhe të gjithë qytetarëve. Miratuam edhe vendimin përfundimtar me të cilin siguruam ruajtjen dhe konsolidimin e identitetit maqedonas, gjuhës, kulturës dhe veçantisë maqedonase. Bashkimi Evropian na pranon si maqedonas që e flasim gjuhën maqedonase me respekt të pakushtëzuar për dinjitetin dhe veçantinë e popullit maqedonas dhe veçoritë e tij identitare, historike dhe kulturore. Kjo është e garantuar përgjithmonë. Pwr këto gjëra as nuk negociohen dhe as nuk do të negociohen”, shtoi Kovaçevski.

Kovaçevski tha se qytetarët do të dalin fitues nga ky proces, se të gjithë së bashku do të dalim më të fortë, më të qëndrueshëm dhe do të ecim shpejt përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët, më premtuese. Ai u shpreh i bindur se ndihma e vazhdueshme dhe e shtuar që do të ofrojë Bashkimi Evropian në periudhën e ardhshme do t’u mundësojë qytetarëve dhe ekonomisë maqedonase të marrin mbështetje konkrete dhe reale, në mënyrë që të jetojmë realitetin evropian sot dhe në mënyrën e duhur.

“Me besim te vetja, në paraardhësit tanë, tradita dhe veçantia dhe me një pamje të qartë të së ardhmes, ne e çojmë vendin përpara. Për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, ne po ndërtojmë një shoqëri demokratike evropiane, në të cilën do të ketë vend për të gjithë, ku sundimi i ligjit ka primatin, dhe qytetarët do të jenë ekonomikisht të avancuar. Vlerat dhe parimet evropiane të lirisë, demokracisë, barazisë dhe shtetit të së drejtës janë aspirata jonë. Ne jemi të lidhur natyrshëm me BE-në dhe tani e tutje do të zhvillojmë së bashku dhe do të zhvillojmë edhe rajonin. Vendi ynë është Europa në miniaturë. Demokracia jonë funksionale multikulturore, multietnike dhe multikonfesionale jo vetëm që do ta pasurojë Bashkimin Evropian, por do të jetë edhe shembull i suksesshëm i një shteti unitar multietnik të integruar në familjen evropiane. Ne jetojmë çdo ditë me  moton e Bashkimit Evropian, jemi qartazi të bashkuar në diversitet dhe jemi thellësisht krenarë me të njëjtit”, tha Kovaçevski.

Ai fjalimin e përfunsoi me fjalët Zhan Mones, se nuk ka të ardhme për qytetarët e Evropës përveç në Union (“There is no future for the people of Europe other than in union.”)

“Urime fillimi i bisedimeve për aderim, të presim së shpejti anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe edhe një herë urime të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Sot në Bruksel zhvillohet Konferenca e parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në gjuhën maqedonase lexoi fjalën hyrëse, ndërsa menjëherë më pas, sipas shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, do të fillojë procesi i skriningut, i cili do të zgjasë një vit e gjysmë. Pas përfundimit të skriningut, është planifikuar Konferenca e dytë ndërqeveritare, në të cilën duhet të përfundojë faza e hapjes së negociatave, por mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese, përkatësisht me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button