Negociatat për anëtarësim të plotë të Maqedonisë në BE mund të zgjasin me dekada

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria përfundimisht sot në Bruksel do të zhvillojnë Konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Pas zhvillimit të kësaj konference, do të fillojë procesi i skriningut, ndërsa më pas është planifikuar Konferenca e dytë ndërqeveritare, në të cilën duhet të përfundojë faza e hapjes së negociatave. Ky proces për Maqedoninë e Veriut, por edhe Shqipërinë pritet të jetë i gjatë dhe jo i lehtë, konsiderojnë analistët dhe njohësit e çështjeve evropiane për Portalb.mk. Ky rrugëtim për vendin do të jetë i gjatë, edhe për shkak të kontestit me shtetin fqinj Bullgarinë.

Analisti Nano Ruzhin, konsideron se negociatat do të jenë të gjata dhe e gjithë shpejtësia e hapit varet nga vetë shteti që pretendon kandidimin për progres në demokraci, në luftë kundër korrupsionit, pavarësi të gjyqësorit, sundimi të së drejtës dhe reforma tjera që i kërkon BE.

Nano Ruzhin
Nano Ruzhin

“Sa më shumë sukses të ketë ky domen, si dhe domeni ekonomik dhe ai social, aq më afër do të jetë Bashkimi Evropian. Pra, gjithçka varet nga ne. Nuk ka më asnjë faktor që do të thotë se ne nuk mund të jemi anëtarë të BE-së apo çfarë ndodhi me Turqinë, përjetësisht në dyert e BE-së. Tani gjithçka varet nga ne. Kjo është arsyeja pse ky proces mund të zgjasë dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet, ndoshta mund të ndodhë edhe më shpejt. Askush nuk e di, sepse, siç e shohim, gjeopolitika është një gjë shumë e çuditshme dhe prandaj jam optimist, shpresoj për një pjesë të madhe të Ballkanit Perëndimor dhe anëtarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, do të hapërojnë këtë herë”, vlerësoi Ruzhin.

Ndërkohë analisti Ibrahim Mehmeti, nënvizon se çështja më e rëndësishme në fakt është fillimi i negociatave, sepse Maqedonia ka pritur 17 vite për këtë datë dhe kjo është gjithsesi një indikator edhe për atë se çka pason pas kësaj. Sa i përket vetë kohëzgjatjes së procesit të negociatave të antarësimit, shton ai, kjo është çështje shumë relative, sepse ka shtete që janë në këtë proces me dekada, siç është Turqia, pastaj Serbia dhe Malit i Zi.

“Gjithë kjo flet se ky proces është relativisht i gjatë. Mund të zgjasë 10 vite, 20 vite, varet shumë nga gatishmëria, përgatitja paraprake e shtetit, sepse, ky nuk është proces vetëm i politikës, por është edhe proces teknik, i cili kërkon njohuri shumë të gjëra nga shumë lëmi dhe ekspert, jo një e dy, por kërkon ekip ekspertësh, të cilët do të jenë në gjendje të japin këto përgjigje, përgjigje që kërkohen nga BE, kështu që ka shumë punë dhe të flasim tani për datën është mendoj iluzore, por nuk më kujtohet të ketë një shtet, së paku këto raundi i fundit i shteteve që janë pranuar që e kanë kryer këtë punë më pak se një dekadë. Në rastin tonë, duke pasur parasyshë çështjen e kontestit me Bullgarinë, mund të zgjasë edhe më tepër, sepse çdo kontest, çdo mospajtim, i cilësdo palë, qoftë nga ana e BE, dmth të anëtarëve, qoftë nga ana e kandidatëve siç është Maqedonia ose Shqipëria. Kjo kërkon kohë për t’i afru qëndrimet”, deklaroi Mehmeti.

Ibrahim Mehmeti
Ibrahim Mehmeti

Sa i përket krahasimit ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë, ai shtoi se ka përshtypje dhe bindje se Shqipëria e ka pak më të thjeshtë procesin, sepse nuk ka ndonje kontest të hapur, edhe pse siç shton Mehmeti, nuk dihet, kur të fillojnë negociatat mund të dalin edhe aty tema të cilat nuk mund t’i parashikojmë. Maqedonia nga ana tjetër si kandidate, brenda shtetit ka shumë kundërshtime dhe së pari duhet që këto kundërshtime, siç thotë Mehmeti, të “hekurosen” dhe pastaj tu përgjigjen kërkesave që ka BE.

“Mua më duket se vendi nuk ka bërë shumë përgatitje në këtë periudhë, ndoshta edhe pse ka pasur një defitizëm të them një dëshpërim ndoshta dhe nuk është prit që do të fitohet data kështu edhepse kemi pritur 17 vite, pi nëse kemi parasyshë këto kontestetz së pari me Greqinë, pastaj me Bullgarinë, kam përshtypjen se nuk është punuar shumë në këtë fushë, por edhe nuk ka ndoshta edhe aq shumë njohës të çështjeve evropiane, në kuptimin e legjislacionit dhe standardeve teknike, sepse ka shumë aspekte teknike, nuk është vetëm çështja e ligjeve, po edhe çështka e standardeve, prodhimit, të shërbimeve, të drejtave të njeriut, pra është një sferë shumë e gjërë. Vetëm do të duhet të ketë njerëz që kanë njohuri konkrete, jo vetëm dëshirë, por edhe njohuri”, vlerëson Mehmeti.

Ardita Abazi, nga Instituti për Politika Evropiane, konsideron se përvoja e vendeve që negociojnë për hyrje në Bashkimin Evropian, tregon se kjo rrugë nuk është as e shkurtër dhe as e lehtë.

“Nëse shikohen përvojat e shteteve tjera, si për shembull Serbia, negocion veç më 9 vite, Mali i Zi 10 vite dhe nuk kanë përfunduar akoma, por edhe të shteteve nga zgjerimet e mëhershme ( të raundit 2004 ), realisht nuk mund të presim që negociatat e Republikës së Maqedonisë së Veriut të zgjasin me pak se 10 vite, kjo edhe përkrah shkallës relativisht të lartë të harmonizimit të legjislacionit të vendit me atë të BE-së ngase edhe procesi ka ndryshuar dhe është akoma me kompleks”, vlerëson Abazi.

Ardita Abazi

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë qëndruar në dhomën pritëse të BE-së prej vitesh dhe vetëm sot do të fillojnë konferencën e parë ndërqeveritare.

Kohëzgjatja e negociatave varet nga shkalla e gatishmërisë në momentin e fillimit të tyre, aftësia për të përshtatur legjislacionin e brendshëm me legjislacionin evropian si dhe nga zbatimi i reformave të nevojshme. Pas përfundimit të negociatave, zakonisht zhvillohet një referendum në vendin kandidat dhe një proces i miratimit të anëtarësimit në vendet e tjera anëtare.

Maqedonia e Veriut është kandidate për anëtarësim në BE  prej 17 vitesh, përkatësisht që nga viti 2005. Në vitin 2009, vendi mori rekomandimin e parë për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Komisioni Evropian përcaktoi se vendi është gati. Megjithatë, fillimisht problemi i pazgjidhur me Greqinë ishte pengesë për fillimin e negociatave, dhe së fundmi çështjet e hapura me Bullgarinë.

Ndërkohë, Shqipëria ka pritur shtatë vjet për fillimin e negociatave. Në vitin 2014, Këshilli i Ministrave të BE-së i dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Krerët e diplomacisë pranuan rekomandimin e Komisionit Evropian se vendi është gati të nisë negociatat. Më pas Shqipëria mori udhëzime të drejtpërdrejta nga BE për zbatimin e reformave në administratën publike, gjyqësorin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vendet e anËtarësuara së fundmi, kanë pritur më pak. Kroacia ka negociuar për gjashtë vjet, ndërsa Bullgaria dhe Rumania, negociuan katër vite, por iu dhanë edhe dy vite shtesë për të harmonizuar legjislacionin në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit dhe në vitin 2007 u bënë pjesë e BE-së

Nga ana tjetër Bashkimi Evropian nuk mund tu garantojë vendeve kandidate dhe atyre që kanë filluar procesin e negociatave datë se kur ato do të bëhen pjesë e familjes evropiane.

Ndryshe, ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, nënshkruan dje në Sofje protokollin dypalësh. Atij i ka paraprirë një mbledhje e komisionit ndërqeveritar.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend. Ndërsa në Kuvend u miratua më 16 korrik 2022.

Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button