RMV, ndërmarrjet komunale publike kërkojnë ndihmë nga Qeveria për faturat e larta të energjisë elektrike

Ofruesit e shërbimeve komunale publike kërkojnë ndihmë nga shteti për të përballuar sfidat e krizës ekonomike dhe energjetike. Shoqata e ofrimit të shërbimeve komunale (ADKOM) kërkon mbledhje në Qeveri pasi thonë se kriza e vë në pikëpyetje funksionimin normal dhe ofrimin e shërbimeve komunale, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të rritjes enorme të çmimit energjisë elektrike, rritjes së çmimit të benzinës që është pothuajse njëqind për qind dhe inflacionit, niveli i të cilit është alarmant, kemi rritje dramatike të kostove në operimin tonë. Si ndërmarrje, ofrues të shërbimeve komunale dhe të ujësjellësit, kemi obligim ndaj qytetarëve që të vazhdojmë të ofrojmë shërbimet në nivelin e duhur përkundër të gjitha sfidave makroekonomike me të cilat ballafaqohemi”, tha kryetari i ADKOM-it, Pece Milevski, në konferencë për media para Qeverisë.

Ai tha se çmimet e shërbimeve që Ndërmarrjet Publike u ofrojnë qytetarëve janë në të njëjtin nivel përkundër faktit se çmimi i energjisë elektrike është ngritur disa herë.

“Bilancet tona janë në kufijtë e qëndrueshmërisë dhe në një situatë të tillë zgjidhja është ose rritja e çmimit të shërbimeve, që nuk është qëllimi ynë sepse do të bjerë në barrë të qytetarëve, ose ndihma sistematike nga qeveria si mënyrë për të mbrojtur standardin e qytetarëve dhe për të shmangur falimentimin dhe ndërprerjen e ofrimit të shërbimeve”, thotë Milevski.

Drejtori i NP Ujësjellësi dhe Kanalizim – Shkup, Zllatko Perinski, pret që nga shtatori faturat e energjisë elektrike të rriten së paku pesëfish. Ai thotë se në funksionimin e Ujësjellësit është e nevojshme rryma dhe për shkak të zonave të larta pompat punojnë 24/7.

“Në mënyrë shtesë jemi të ngarkuar me obligime të trashëguara që kompania i ka pasur diku mbi 300 milionë denarë. Tani jemi diku rreth 270 milionë denarë dhe e gjithë kjo pas periudhës së verës praktikisht do ta bëjë të pamundur funksionimin normal të Ujësjellësit dhe Kanalizimeve – Shkup dhe për këtë po mundohemi të kontaktojmë me pushtetin qendror”, thotë Perinski.

Në ADKOM, anëtarë janë 90 Ndërmarrje Publike nga Maqedonia e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button