ANALIZË: Ekspertët: këtë vit inflacioni mbi 9% – çmimet e metaleve po bien, çmimet e ushqimeve rriten!

Çmimet e ushqimeve, energjisë, gazit, produkteve primare do të rriten. Cunami i çmimeve do të “tërbohet” gjatë gjithë vitit 2022. Këto janë pjesë e vlerësimeve të fundit të ekonomistëve për lëvizjet e çmimeve. Rreziqet janë përforcuar për shkak të ndërprerjes në zinxhirët e furnizimit.  Çmimet e lëndëve të para bazë, drithit dhe grurit do të rriten, e bashkë me to do të rriten edhe çmimet e ushqimeve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Cunami i çmimeve gjatë gjithë vitit 2022, “qetësim” vitin e ardhshëm….

Lufta në Ukrainë, sanksionet ekonomike, ndërprerja në zinxhirët e furnizimit të produkteve ushqimore bazë, lëndëve të para, energjisë, gazit mbeten faktorë rreziku për shkak të të cilëve viti 2022 do të jetë padyshim një nga vitet më të vështira për qytetarët – të përballur me rritjen e paparë të çmimeve për dekada. Sipas analistëve të anketuar nga BPM-ja, përqindja e inflacionit këtë vit do të jetë më e lartë se 9%, nivel ky dukshëm më i lartë se sa parashikon Qeveria dhe Banka Popullore.

“Për sa i përket inflacionit, pritjet për vitin 2022 tregojnë një përqindje mesatare prej 9,5% dhe janë më të larta se në anketën e mëparshme, kur ishte 6,5%. Një rishikim më i moderuar në rritje vihet re edhe në pritjet për vitin 2023 dhe 2024, kështu që të anketuarit presin që përqindja e inflacionit të jetë 5,5% në vitin 2023, gjegjësisht 3,9% në vitin 2024” – thuhet në Anketën e re të BPM-së.

Për të katërtën herë, Banka Popullore ndërmori një hap për të shtrënguar politikën monetare – rritje të normave bazë të interesit, gjë që do të rrisë normat e interesit për kursimet, por edhe për kreditë. Por, ekonomistët paralajmërojnë se disa nga lëvizjet e autoriteteve fiskale dhe monetare mund të ndikojnë më tej në rritjen e presionit të çmimeve.

“Të anketuarit besojnë se masat fiskale dhe monetare të ndërmarra më parë për përballimin e pandemisë Kovid-19, si dhe shpenzimi i kursimeve, mund të çojnë në presione të mundshme shtesë inflatore. Shumica e të anketuarve vazhdojnë të besojnë se lëvizje të tilla të inflacionit janë kryesisht në anën e ofertës dhe janë të një natyre të përkohshme, dhe për dallim nga anketa e mëparshme, disa prej të anketuarve presin që ato të kenë një efekt të caktuar edhe në vitin e ardhshëm, me një stabilizim gradual në vitin 2024” – vlerësojnë analistët ekonomikë.

Çmimet e ushqimit, karburanteve, metaleve…

Çmimet do të rriten në vendet e BE-së dhe në Gjermani, e cila është partneri ynë më i rëndësishëm tregtar. Për shkak të rritjes së inflacionit të importeve – presioni i çmimeve në vend do të rritet dhe do të mbetet gjatë gjithë vitit 2022. Raporti i fundit i Bankës Popullore vë në dukje se shpresat për frenimin e inflacionit në gjysmën e dytë të këtij viti janë “shkrirë”.

“Rishikimi në rritje është për shkak të pritjeve për inflacion më të lartë midis të gjithë partnerëve tanë të importit, me ç’rast kontributin më të madh në rishikimin rritës në dy vitet e fundit e kanë Gjermania dhe Polonia” – thotë BPM-ja.

Rritje do të ketë në çmimet e naftës, gazit, energjisë dhe ushqimeve. Edhe pse OPEC e rriti prodhimin, për shkak të sanksioneve të BE-së për importin e naftës ruse dhe rritjes së çmimeve të shitjes së naftës nga Arabia Saudite, priten korrigjime në rritje të çmimit të karburanteve.  Stabilizimi i çmimeve në vitin 2023 – por i kushtëzuar me zgjidhjen e luftës në Ukrainë.

Edhe çmimet e produkteve ushqimore bazë do të rriten për shkak të rritjes së çmimeve të lëndëve të para, në radhë të parë të drithit dhe grurit, andaj në raportin e BPM-së thuhet:

“Çmimet e produkteve ushqimore kanë pësuar rishikime në rritje për të gjithë periudhën e projeksionit. Kështu, në vitin 2022 pritet një rritje më e madhe e çmimit të drithit dhe grurit, në kushtet e ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit të këtyre produkteve në Detin e Zi për shkak të konfliktit ushtarak midis Ukrainës dhe Rusisë, si dhe pritshmëritë për prodhim më të ulët te disa nga prodhuesit e tjerë të mëdhenj për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike. Për vitin 2023 pritet që çmimi i grurit të mbetet i njëjtë me atë të vitit 2022, kundrejt pritshmërive të mëparshme për uljen e tij.

Kriza ushtarake dhe presioni i çmimeve tashmë kanë prekur ekonomitë – ngadalësimi i aktivitetit ekonomik, reduktimi i kërkesës, mbi të gjitha për metale.

“Për sa i përket çmimeve të metaleve, rishikimet janë në rënie për të gjithë periudhën e projeksionit, veçanërisht për nikelin në vitin 2022. Korrigjimi në rënie i çmimit të nikelit është në masën më të madhe një reflektim i ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në Kinë dhe pritshmërive për një kërkesë më të ulët të mundshme nga industria e makinave elektrike, për shkak të kostove tashmë të larta të prodhimit që do të kishin një efekt dekurajues në kërkesën për automobila” – analizon BPM-ja.

Në qershor u mat një nga përqindjet më të larta të inflacionit në vend – kostoja e jetesës krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar u rrit për 14,5%, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 13,7%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button