Kosova dhe Shqipëria me kurrikulë të unifikuar të sistemit parauniversitar

Më 3 qershor do të nënshkruhet në Tiranë marrëveshja për unifikimin e kurrikulave të sistemit parauniversitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Kjo marrëveshje vjen si rezultat i punës së përbashkët të grupeve profesionale, që janë formuar nga dy Ministritë e Arsimit.

Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kurrikulë të përbashkët të sistemit të arsimit parauniversitar.

Kjo kurrikulë do t’i paraprijë edhe hartimit të teksteve të përbashkëta.

Shefi i kabinetit në Ministrinë e Arsimit, Arbër Morina, tha për Radio Kosovën, se marrëveshja për unifikimin e kurrikulës, që do të nënshkruhet më 3 qershor në zyrën e kryeministrit Edi Rama në Tiranë, vjen si rezultat i punës së grupeve të ekspertëve.

“Kjo është si rezultat i punës së vazhdueshme të ministrit Buja për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Një punë që e kanë bërë grupet profesionale të cilat janë themeluar nga të dy ministrat. Tashmë është një lajm i mirë për mbarë arsimin, për mbarë shqiptarët se nxënësit e arsimit parauniversitar do të mësojnë me sistemin e unifikuar të arsimit Kosovë-Shqipëri”, ka thwnw Morina.

Ai bëri të ditur se tashmë Ministria e Arsimit e Shqipërisë i ka bërë ndryshimet e nevojshme në legjislacionin e tyre për arsimin parauniversitar, të cilat pritet të aprovohen.

“Grupet profesionale, ekspertë të Kosovës dhe Shqipërisë kanë bërë përafrimin në mënyrën më profesionale të mundshme. Ekspertët do të japin fjalën e fundit dokumenteve që duhen aprovuar. Me rëndësi është që marrëveshja po nënshkruhet, pastaj mund të rrjedhin edhe dokumente të vogla që e saktësojnë më në detaje këtë çështje”, ka shtuar ai.

Megjithatë, ende nuk është saktësuar se kur do të fillojë zbatimi i kurrikulës së përbashkët.

Ndërkohë, ekspertët dhe mësimdhënësit nga Kosova do të ndihmojnë Shqipërinë në fazën e pilotimit të kësaj kurrikule.

Në Kosovë, nga 1 shtatori i këtij viti, kurrikula do të pilotohet edhe në 114 shkolla, ndërsa deri tani është pilotuar në 10 sosh. /rtk/

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Urime unifikimin e kurrikulave të sistemit parauniversitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Uroj që ta zgjëroni bashkëpunimin dhe unifikimin edhe me Ministrinë e arimit të Maqedonisë. Unifikimi ndihmon lëvizjen e lirë të nxënësvë në regjion. Përgëzime

Back to top button