U publikua Protokolli bilateral i nënshkruar midis RMV-së dhe Bullgarisë (DOKUMENT)

Ministria e Punëve të Jashtme e publikoi Protokollin bilateral të cilin në Sofje e nënshkruajtën shefat e diplomacive të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Buar Osmani dhe Teodora Gençovska, njofton Portalb.

Pas kthimit nga Sofja, Osmani para gazetarëve e prezantoi Protokollin bilateral dhe tha se të gjithë detyrimet për historinë vijnë madje pasi që harmonizohen historianët në Komisionin e përzier historik.

Marrëveshja ka “5+1 pika”, çështjet historike, eurointegrimet, gjuha e urrejtjes, pretendimet territoriale, rehabilitimi i viktimave të represioneve në periudhën komuniste dhe të drejtat e njeriut

Ministri Osmani potencoi se negociatat me Bashkimin Evropian fillojnë të martën me konferencën e parë ndërqeveritare në Bruksel.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbrëmë në konferencën për shtyp informoi se më 19 korrik do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button