Gençovska: Pozicioni i Bullgarisë për gjuhën maqedonase mbetet i pandryshuar

Ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska gjatë konferencës së sotme për shtyp pas nënshkrimit të protokollit bilateral midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, theksoi se në marrëdhëniet bilaterale, Bullgaria nuk e njeh gjuhën zyrtare të Maqedonisë së Veriut, shkruan MIA, njofton Portalb.

“Bullgaria nuk heq dorë lidhur me qëndrimin për gjuhën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Plotësisht e respektojmë vendimin e Kuvendit Popullor, sipas të cilit Bullgaria nuk e njeh këtë gjuhë. Në kontekst të 26 vendeve-anëtare të tjera , megjithatë, ato kanë pozicione të tyre dhe ne assesi nuk mundemi t’i detyrojmë ta pranojnë qëndrimin tonë. Por, pozicioni bullgar është i garantuar në gjithë kornizën negociuese”, deklaroi Gençovska.

Është e rëndësishme, theksoi Gençovska, se prej tani asnjë dokument në procesin e inkuadrimit të Maqedonisë drejt BE-së, “nuk mund të kuptohet si njohje bullgare e ekzistimit të së ashtuquajturës gjuhë maqedonase”.

“Edhe kjo është qartë e përshkruar në deklaratën e njëanshme që Bullgaria do ta prezantojë të hënën gjatë Komitetit të përfaqësuesve të përhershëm”, tha ministrja e Punëve të Jashtme dhe shtoi se kjo deklaratë do të prezantohet edhe në hapat e ardhshme në nivel evropian dhe do të përshëndetet nga Këshilli i BE-së.

Ministrja e Punëve të Jashtme Teodora Gençovska tha se gjatë caktimit të datës për konferencën e parë ndërqeveritare nga ana e Presidencës çeke me BE-në, Republika e Maqedonisë së Veriut do të ketë konferencë politike ndërqeveritare, ndërsa pastaj autoritetet në RMV duhet ta fillojnë procedurën, që të ndryshojë Kushtetuta me qëllim që në të të përfshihen edhe bullgarët lokal.

Siç informoi, madje pastaj do të ketë konferencë të dytë ndërqeveritare në të cilët në fakt do të fillojë procesi negociues, por kjo do të varet nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut.

“Mund të zgjasë tre muaj, siç ishte rasti kur emri i Republikës së Maqedonisë së Veriut u ndryshua, por mund edhe të vazhdojë edhe dy vite”, tha Gençovska.

Ministrja bullgare e Punëve të Jashtme deklaroi se negociatat e vërteta për Shqipërinë mund të fillojnë menjëherë pas konferencës së parë ndërqeveritare.

Në Sofje sot ministrat e punëve të jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska e nënshkruajtën protokollin bilateral pas takimit të komisionit të përbashkët ndërqeveritar. Sipas paralajmërimeve, protokolli duhet të publikohet pas nënshkrimit të tij.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbrëmë në konferencën për shtyp informoi se më 19 korrik do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button